Sarandë-Policia ka arrestuar 55-vjeçarin Adriatik Bodini që plagosi me thikë ditën e djeshme (31 mars) bashkëshorten e tij në lagjen nr. 4 në Sarandë.
51-vjeçarja Mirjana Bodini, pas ndihmës së parë në spitalin e Sarandës është transportuar me ambulancë drejt spitalit të Vlorës për trajtim më të specializuar. Sipas burimeve policore të Sarandës 51-vjeçarja nuk ka dhënë asnjë deklaratë për shkakun e konfliktit me bashkëshortin.
Dera e ballkonit e banesës në katin e tretë të një pallati pesë katësh e familjes Bodini ishte edhe sot e hapur. Tek hyrja përballë nuk kishte njerëz pasi ndodhen në emigracion.
Gjurmët e gjakut të 51 vjeçares kanë ngelur edhe sot nëpër shkallët e pallatit. Banorët e lagjes të intervistuar nga Report Tv thanë se ata janë familje e qetë. Fqinjët janë të habitur për çfarë ka ndodhur mbasditen e së hënës, 31 mars 2025. Çifti Bodini me origjinë nga Nivica janë prindër të një djali. Adriatik Bodini punon në ndërtim, aktualisht merret me punime ndërtimi në Piqeras.
‘Në vijim të informacionit paraprak të dhënë ditën e djeshme, lidhur me ngjarjen e ndodhur rreth orës 17:40, në lagjen nr. 4, Sarandë, ku dyshohet se shtetasi Adriatik Bodini, 55- vjeç, gjatë një konflikti për motive të dobëta në banesë, plagosi me mjet prerës (thikë) bashkëshorten e tij, shtetasen Mirjana Bodini, 51 vjeçe, ju informojmë se: Falë punës së pandërprerë dhe veprimeve të shpejta hetimore e operacionale, shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë bënë të mundur lokalizimin dhe arrestimin e autorit të dyshuar, Adriatik Bodini, brenda 24 orëve nga momenti i ngjarjes, në vendin e quajtur “Kthesa e Kakomes”, në kushtet kur ishte bërë i pamundur largimi i tij, si rezultat i kontrolleve të shumta policore në terren.
Materialet do t’i referohen Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për veprime të mëtejshme procedurale.
Komente
