Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier ka reaguar lidhur me ngjarjen e ndodhur më 6 janar në Gotovushë, në afërsi të Shtërpcës të Kosovës, ku dy të rinj serbë u plagosën me armë zjarri.
Ambasadori shprehet se SHBA-ja e dënon ngjarjen dhe se është mirë që autoritetet reaguan shpejt dhe arrestuan të dyshuarin për sulmin.
“Ishte nder për mua që peshkopi Teodosije më ftoi të marr pjesë në shërbesën e mëngjesit për Krishtlindje dhe është traditë shekullore të përjetosh diçka të tillë. Do të doja të shfrytëzoj këtë rast për t'iu përgjigjur shkurt asaj që ndodhi dje në Shtërpc, natyrisht në emër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës të përmendim se sa të tronditur jemi të gjithë nga ajo që ndodhi me dy të rinjtë që u qëlluan dhe sigurisht e dënojmë atë akt. Gjithashtu jemi mirënjohës që autoritetet vepruan shpejt dhe arrestuan të dyshuarin”, tha Hovenier të shtunën në mëngjes teksa po merr pjesë në liturgjinë e Krishtlindjeve në manastirin e Graçanicës.
Sulmin ndaj dy rinjve serb e dënoi dhe Bashkimi Evropian, Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano ka kërkuar që autoritet të hetojnë rastin.
“BE-ja dënon me vendosmëri plagosjen e një fëmije dhe një të riu në Kosovë dje. Është e rëndësishme që autoritetet të hetojnë plotësisht këtë krim të neveritshëm dhe drejtësia të ushtrohet. I urojmë viktimave shërim të plotë dhe të shpejtë”, ka shkruar Stano në Twitter.
Lajmi kryesor:
Plagosja e 2 serbëve në Shtërpcë, familjarët e ushtarit të FSK-së: E bëri për vetëmbrojtje! Prokuroria: Patën mosmarrëveshje verbale
S.C/ReportTv.al