Plagosja e efektivit në veri të Kosovës është një vepër kriminale e Serbisë. Kështu shprehet në një reagim në Facebook, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e cila shkruan se autorët e këtij krimi të rëndë duhet të sillen përpara drejtësisë. Osmani më tej shkruan se në asnjë mënyrë nuk do të ketë më polic dhe ushtri serb në territorin e Kosovës.
“Kërcënimi i hapur për agresion policor e ushtarak nga ana e Serbisë dëshmon se në atë shtet vazhdon mendësia hegjemoniste. Kjo duhet të refuzohet e kundërshtohet qartë nga e gjithë bota demokratike, e cila i dha goditjen më të fuqishme kësaj mendësie pikërisht në vitin 1999.
Plagosja e mbrëmshme e një pjesëtari të Policisë së Kosovës është veprim kriminal dhe i orientuar kundër rendit kushtetues e sovranitetit të Kosovës si dhe kundër veprimeve për sundim të rendit e ligjit. Gjithashtu, sulmet ndaj gazetarëve përbëjnë cenim flagrant të të drejtës për informim të lirë.
Autorët e këtyre krimeve, urgjentisht të sillen para drejtësisë, ndërkaq institucionet e drejtësisë duhet të veprojnë menjëherë.
Në territorin e Republikës së Kosovës kurrë më nuk do të ketë policë dhe ushtarë të Serbisë! Ëndrra hegjemoniste e Serbisë nuk do të jetësohet kurrë!”- shkroi Vjosa Osmani.
Lajmi kryesor:
Persona të maskuar në veri të Kosovës plagosin një polic! Osmani: Vepër kriminale e Beogradit! Brnabiç: Do rikthejmë trupat serbe
G.MO/ReportTv.al