Plani/ Arrestime dhe konfiskim pasurish para negociatave me BE

25 Prill 2018, 07:52| Përditesimi: 25 Prill 2018, 08:05

  • Share

Tre raportet e fundit ndërkombëtare për Shqipërinë, ai i Freedom House, progres-raporti i Komisionit Evropian dhe raporti i Departamentit Amerikan i Shtetit e kanë vënë theksin tek pandëshkueshmëria e korrupsionit në nivele të larta.

SHBA-BE kanë shtuar presionin për krijimin e një historiku me hetime, arrestime dhe dënime për korrupsion në nivele të larta, për të përshpejtuar integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Dhe pesha kryesore për plotësimin e këtij kushti bie mbi organin e prokurorisë.

Në këtë kuadër, Prokuroria e Përgjithshme, nën drejtimin e Arta Markut, ka depozituar në Kuvend një strategji për luftën kundër korrupsionit dhe krimit në javët dhe muajt në vijim. Strategjia paralajmëron nisjen e një aksioni të ri kundër krimit dhe korrupsionit, në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë dhe institucionet ligjzbatuese vendase. Pjesë e aksionit do të jenë edhe ngritja e skuadrave të përbashkëta hetimore me SHBA dhe BE.

Goditja e pasurive
Në strategjinë e Prokurorisë së Përgjithshme parashikohet rritja e cilësisë së hetimit pasuror, përmes zbatimit të ligjit të ndryshuar anti-mafia, i cili parashikon konfiskimin e pasurive të zyrtarëve të korruptuar ashtu siç operohet me pasuritë e organizatave kriminale. “Pasuria e paligjshme e përfituar nga veprat penale, kryesisht ato të krimit të organizuar, korrupsionit e pastrimit të parave, synon të futet në qarkullimin e ligjshëm ekonomik.

Hetimi pasuror është një mjet i dobishëm në duart tona, për të ndaluar këtë fenomen por nga ana tjetër edhe për të ndihmuar hetimin penal, duke zbuluar motive, lëvizje, dëshmitarë etj”, thuhet në dokument. Organi qendror i akuzës synon rezultate të larta në këtë drejtim.

“Do të synojmë rezultate më të larta nëpërmjet hetimi pasuror, nëpërmjet zbatimit të ligjit nr. 10192/2009, të përmirësuar nga ndryshimet e vitit 2017 në drejtim të hetimit dhe masave të mëposhtme: Zhvillimi i hetimeve financiare paralelisht me çdo hetim për vepra penale të rënda. Rritja e bashkëpunimit ndërmjet prokurorive që hetojnë veprat penale objekt i fushës së zbatimit të ligjit nr. 10192/2009, i ndryshuar, dhe ndërmjet tyre dhe institucioneve ligjzbatuese;

Realizimi i analizave të posaçme mes strukturave ligjzbatuese dhe prokurorive; Shfrytëzimi i teknologjisë dhe kapaciteteve hetimore-financiare të institucioneve si tatime, dogana, banka etj; Rritja e bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë; Rritja e mëtejshme e kapaciteteve profesionale, nëpërmjet organizimit të trajnimeve të vazhdueshme dhe rritja e hetimeve proaktive”,
thuhet në strategji.

Përgjimet
Po në funksion të aksionit të ri në luftën kundër korrupsionit dhe krimit, kryeprokurorja paralajmëron përdorimin më me efiçencë të përgjimeve të komunikimeve elektronike. “Ka qenë një objektiv i vazhdueshëm i prokurorisë realizimi i veprimeve teknike të përgjimit nga oficerët e policisë gjyqësore nën drejtimin dhe kontrollin e prokurorit që heton, duke vlerësuar si një pikë të fortë në rritjen e eficencës së hetimit, mundësinë e ndjekjes në dinamikë të përgjimit dhe nga ana tjetër ngushtimin e rrethit të subjekteve që marrin informacion.

Ndryshimet ligjore të vitit 2017, i hapën rrugën këtij procesi dhe hapat e mëtejshëm synojnë: Krijimi dhe funksionimi i strukturave të posaçme dhe të specializuara për kryerjen e përgjimit të komunikimeve elektronike pranë prokurorive; Pajisja e strukturave të mësipërme me mjetet teknike të nevojshme dhe trajnimi për përdorimin; Zgjerimin e kapaciteteve për përgjimin aktiv”,
parashikon strategjia.

SPAK-u
Pas ndryshimeve kushtetuese dhe ligjeve të reformës në drejtësi, struktura e re që do të hetojë veprat penale të korrupsionit dhe krimit të organizuar, është Prokuroria e Posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe Njësia e Posaçme Hetimore, e cila emërtohet “Byroja Kombëtare e Hetimit”. Kjo strukturë e specializuar do të ushtrojë kompetencat në mënyrë efikase dhe të pavarur nga çdo ndikim i paligjshëm, i brendshëm apo i jashtëm.

Deri në krijimin e kësaj strukture, çështjet në kompetencë të saj do të hetohen përkatësisht nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda dhe prokuroritë pranë gjykatave të rretheve gjyqësore, sipas kompetencës të përcaktuar përpara hyrjes në fuqi të ndryshimeve të Kodit të Procedurës Penale. Në strategji thuhet se kjo përgjegjësi, në mënyrë të vazhdueshme ka qenë prioritet i punës së prokurorisë, dhe do të vijojë të ushtrohet me angazhim maksimal dhe bashkëpunim të të gjitha strukturave.

Disa nga pikat e strategjisë kundër korrupsionit
Zhvillimi i hetimeve financiare paralelisht me çdo hetim për vepra penale të rënda.

Rritja e bashkëpunimit ndërmjet prokurorive që hetojnë veprat penale objekt i fushës së zbatimit të ligjit nr. 10192/2009, i ndryshuar.

Realizimi i analizave të posaçme mes strukturave ligjzbatuese dhe prokurorive.

Shfrytëzimi i teknologjisë dhe kapaciteteve hetimore-financiare të institucioneve si tatime, dogana, banka etj.

Shkëmbimi i shpejtë të informacionit dhe përdorimin e metodave të posaçme hetimore.

Realizimi i takimeve periodike dhe analizave të përbashkëta me Policinë e Shtetit.

Rritja e bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë.

Rritja e mëtejshme e kapaciteteve profesionale, nëpërmjet organizimit të trajnimeve të vazhdueshme.

Rritja e hetimeve proaktive.

Përdorimi me eficencë i përgjimeve të komunikimeve elektronike.

Krijimi dhe funksionimi i strukturave të posaçme dhe të specializuara për kryerjen e përgjimit të komunikimeve elektronike pranë prokurorive.

Pajisja e strukturave të mësipërme me mjete teknike bashkëkohore dhe trajnimi për përdorimin.

Zgjerimi i kapaciteteve për përgjimin aktiv.

Vënia në eficencë dhe rritja e kapaciteteve të shërbimeve të ekspertimeve.

Shtimi i numrit të prokurorëve, oficerëve të policisë gjyqësore dhe administratës ndihmëse të Prokurorisë.

Arritjen e rezultateve konkrete në hetimin e çështjeve të korrupsionit dhe krimit të organizuar, nëpërmjet gjithë masave të kësaj strategjie.

Sigurimin e bashkëpunimit maksimal me gjithë institucionet ligjzbatuese dhe Prokurorinë e Posaçme.

Rritjes së shpejtësisë, cilësisë dhe efektivitetit të bashkëpunimit gjyqësor ndërkombëtar:

Koordinimin eficent ndërmjet prokurorive.

Vendosjen e kontakteve të drejtpërdrejta me institucionet homologe.

Krijimin e kanaleve të sigurta të komunikimit.

Rritjen e bashkërendimit me institucionet dhe agjencitë e huaja ligjzbatuese.

Ngritjen e skuadrave të përbashkëta hetimore.

Organizimin e trajnimeve për krijimin dhe funksionimin e skuadrave të përbashkëta hetimore.

Komento

Komente

  • Edi: 25/04/2018 09:54

    asgje sdo behet, jo arta marku te vije ne prokurori por edhe vete fbi e cia te vije ne shqiperi dhe asgje sdo behet, kaq i krimbur dhe kaq i korruptuar sa eshte shqiperia, asnje vend ne bote nuk na perfill, kudo poshterohemi e merremi neperkembe si qytetare te dores se fundit, sepse dihet qe vijme nga llumi i botes.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?