Presidenti i SHBA, Donald Trump mbetet optimist për planin e tij të paqes në Gaza. Pas ultimatumit të një dite më parë ndaj Hamasit, Trump kërkon që faza e parë e bisedimeve, që pritet të vijojnë sot mes negociatorëve të lëvizjes së armatosur dhe Izraelit në Egjipt, të përfundojnë brenda kësaj jave. Ai i përshkroi bisedimet e deritanishme si shumë pozitive, por paralajmëroi se koha ishte thelbësore dhe se nevojitej veprim i shpejtë për të shmangur "gjakderdhjen e madhe".
"Këto bisedime kanë qenë shumë pozitive dhe po përparojnë me shpejtësi. Ekipet teknike do të takohen përsëri të hënën në Egjipt për të përpunuar dhe sqaruar detajet përfundimtare. Më është thënë se faza e parë duhet të përfundojë këtë javë dhe po i bëj thirrje të gjithëve të veprojnë shpejt", shkroi Trump.
Negociatorët e Hamasit dhe Izraelit do të takohen sot në Sharm el-Sheikh në një përpjekje për të ecur përpara me planin e paqes së Trump, të pranuar nga të dyja palët. Delegacioni i Hamasit tashmë ka mbërritur në qytetin egjiptian, ndërsa delegacioni izraelit do të udhëhiqet nga Ministri i Çështjeve Strategjike Ron Dermer, kreu i Shin Bet dhe kreu i Mossadit. I dërguari special i Presidentit të SHBA-së Donald Trump, Steve Witkoff , dhe dhëndri i presidentit, Jared Kushner, pritet gjithashtu të marrin pjesë.
Disa orë më parë, Benjamin Netanyahu shprehu dyshime rreth qëllimeve të vërteta të Hamasit. "Po-ja e tyre nuk është e sigurt, por nëse po, ne do të veprojmë", tha ai.
Bisedimet vijnë pasi Hamasi ra dakord për disa pjesë të një plani paqeje prej 20 pikash të SHBA-së, duke përfshirë dorëzimin e pengjeve dhe qeverisjen e enklavës nga teknokratë palestinëze, por po kërkon negociata për çështje të tjera. Megjithatë, në tekstin e deklaratës nuk përmendet çarmatimi i lëvizjes, të cilin e kërkon Izraeli, apo dëbimi i luftëtarëve të saj në vende të treta, dy pika kyçe të planit të presidentit amerikan.
Lajm ne perditesim…
Komente
