Presidenti i SHBA, Donald Trump ka dalë me një plan të befasishëm për Rripin e Gazës, duke u zotuar se SHBA do marrë përgjegjësinë e rindërtimit, ndërsa për palestinezët thotë që të zhvendosen në vendet fqinje, duke e quajtur territorin palestinez një "zonë të shkatërruar" nga lufta.
Kjo deklaratë e Trump nga Uashingtoni ku priti kryeministrin izraelit, Benjamin Netanjahu ka sjellë edhe reagimin e Hamasit. Një zëdhënës i lartë i Hamasit, Sami Abu Zuhri ka thënë për Reuters se deklaratat e presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, mbi marrjen e kontrollit të Rripit të Gazës janë “qesharake” dhe “absurde” dhe “çdo ide e tillë mund të ndezë rajonin”.
Nga ana tjetër, Arabia Saudite tha se nuk do të zyrtarizojë lidhjet me Izraelin nëse nuk krijohet një shtet palestinez, pasi kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha se normalizimi me mbretërinë e Gjirit do të ndodhte.
“Arabia Saudite do të vazhdojë përpjekjet e saj të palodhura për të krijuar një shtet të pavarur palestinez me Jerusalemin Lindor si kryeqytet dhe nuk do të vendosë marrëdhënie diplomatike me Izraelin pa këtë”, tha Ministria e Jashtme Saudite në një deklaratë në X.
Presidenti Trump njoftoi planin e tij të befasishëm, pa dhënë hollësi specifike, gjatë një konference të përbashkët për shtypin me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu. Plani i Trump parashikon zhvendosjen e përhershme të palestinezëve nga Gaza në vendet fqinje, duke e quajtur Rripin e Gazës, “një zonë të shkatërruar”.
Presidenti Trump përsëriti thirrjen e tij për Jordaninë, Egjiptin dhe shtetet e tjera arabe për të pranuar banorë të Gazës, duke thënë se palestinezët nuk kishin alternativë tjetër veçse të largoheshin nga brezi bregdetar, i cili duhet të rindërtohet pas gati 16 muajsh të një lufte shkatërruese midis Izraelit dhe militantëve të Hamasit.
Por këtë herë Presidenti Trump tha se do të mbështeste zhvendosjen e palestinezëve "përgjithmonë", duke shkuar përtej sugjerimeve të tij të mëparshme, që udhëheqësit arabë tashmë i kanë kundërshtuar me forcë.