Kronikë

SPAK: Bajrat grup kriminal! Safet Bajri të hënën në GJKKO për vrasjen e xhaxhait të Ibrahim Licit, do t'i merret kampion ADN-je

22 Shkurt, 12:13| Përditesimi: 22 Shkurt, 17:03

  • Share

TIRANË - Safet Bajri, i cili u arrestua mesditën e së premtes pritet të dalë të hënën para Gjykatës së Posaçme për verifikimin e masës së sigurisë dhe njëkohësisht për tu marrë në pyetje në lidhje me vrasjen e vitit 2018 të Fatbardh Licit.

Së bashku me të, para gjykatës pritet te dalin edhe kushëriri i tij, Behar Bajri dhe Astmer Bilalin të akuzuar për të njëjtën vrasje, por që aktualisht ndodhen në qeli në kuadër të operacioneve “Metamorfoza”.  Hetimet janë kryer nga prokurorja Elida Kaçkini, ndërsa vendimi në mungesë i masës u dha nga gjyqtarja Etleva Deda.

Bashkë me masën “arrest me burg” Gjykata e Posaçme ka miratuar me kërkesë të SPAK edhe kërkesën për kryerjen e një analize të ADN-së së Safet Bajrit. Mësohet se ditën që u soll nga Shkodra në policinë e Tiranës  e pranishme ka qenë edhe ekspertja që do të merrte kampionet për ADN, por nuk është lejuar në atë moment nga i arrestuari, i cili ka kërkuar të bëhet në një ditë tjetër.

Deri tani mësohet se Bajri e ka mohuar përfshirjen në vrasjen e Fatbardh Licit, një qëndrim që e ka mbajtur edhe me herët, kur u arrestua për të njëjtën ngjarje, por hetimi ndaj tij u pushua për mungesë provash. Ai ka pretenduar se me familjen Lici në fjalë nuk ka pasur konflikte.

Nuk dihet se cilat janë provat që e kanë bindur SPAK e GJKKO për të nxjerrë dy ditë më parë 3 arreste, por mësohet se një ndihmë për hetimin kanë dhënë komunikimet në SkyEcc.

Motivi i vrasjes së xhaxhait të Ibrahim Licit, rivalit të Bajrave, sipas SPAK, lidhet me dyshimin e Behar Bajrit se Ibrahim Lici, kishte vrarë pjesëtarin e grupit të tyre, ish-policin Boran Bërçana më 15 korrik të vitit të 2018, i cili u ekzekutua në makinë bashkë me partneren Silvi Ndoci. Për këtë ngjarje që autoritetet ende nuk e kanë zbardhur, një muaj më pas Bajrët morën hak duke vrarë xhaxhanë e Licit.

SI.E./Xh.K/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Grupi i PS në listë të hapur, përveç drejtuesve politikë, si iu duket?