Interi u mposht 0-2 nga Fluminense në fazën e 1/8 të Kupës së Botës për Klube duke u eliminuar. Humbja ka nxjerrë në pah edhe problemet në kampin zikaltër. Klima jo e mirë te Interi ka bërë që kapiteni Lautaro Martinez të 'shpërthejë' në fund të takimit dhe argjentinasi e ka një mesazh për Hakan Calhanoglu, turkun e ekipit që kërkon largimin me destinacion Galatasaray.
"Kushdo që nuk dëshiron të qëndrojë këtu duhet të largohet, mesazhi im është i qartë", tha Martinez, që nuk përmendi me emër shokun e ekipit. Për këtë u kujdes presidenti Marotta, i cili tha se Lautaro i drejtohej Calhanoglusë.
“Unë them që ndërhyrja e Lautaros është shumë emocionuese dhe domethënëse. Ai është kapiteni dhe ka përgjegjësi. Edhe unë e kam thënë gjithmonë, kur një lojtar thotë se dëshiron të largohet, dera është e hapur. Nuk e tha ai, por po e them unë, fjala është për Calhanoglu. Gjithsesi, nuk duhet ta hedhim fajin vetëm mbi Calhanoglu, do të flasim me të. Për momentin nuk ka kushte për t’i ndarë rrugët tona. Nëse do të ketë, do ta bëjmë pa probleme”, tha presidenti Marotta.
Lautaro Martinez vë fytyrën para kamerave, por nuk përmend emra.
"Duhet të duash të jesh në këtë ekip, në vendin ku sollëm Interin dhe ku duhet të vazhdojmë ta mbajmë. Nuk do të përmend emra, por pashë shumë gjëra që nuk më pëlqyen. Ishte një sezon i gjatë dhe i lodhshëm, i përbërë nga shumë lëvizje, mbetëm me zero tituj dhe duhet të fillojmë përsëri në mënyrën më të mirë vitin tjetër. Në këto pesë vitet e fundit kemi fituar dhe duhet të jemi një grup si në vitin e yllit të dytë", tha kapiteni Martinez.
Lajmi kryesor:
Calhanoglu thyen heshtjen dhe i përgjigjet Lautaros: Udhëheqësi i vërtetë nuk kërkon fajtorë, s'e kam tradhtuar kurrë Interin
S.Dh/ReportTv.al