Fenomeni i gërryerjes së tokave bujqësore nga lumi Vjosë po shndërrohet në një katastrofë ekologjike dhe ekonomike në njesive vendore Novoselë. Deri më tani, mbi 60 hektarë tokë bujqësore janë zhdukur, duke sjellë pasoja për banorët. Zonat më të prekura janë Mifoli, Novosela, Fitore dhe disa fshatra të tjerë të Vlorës, ku toka bujqësore përbën burimin kryesor të të ardhurave.
“Fermeret paguajnë taksat për këto toka që po i merr lumi. Po nuk u vunë pritat do dalë lumi deri tek hekurudha”, u shpreh kryeplaku, Ilia Moçka.
Kryeplaku i Novoselës tha se vitet e fundit është përshpejtuar erozioni për shkak të daljes së lumit nga shtrati dhe mungesës së pritave mbrojtëse.
“Duhen vendosur pritat njësoj si në anën e Fierit. Ne kemi bërë kërkesa, na kanë premtuar por asgjë nuk është bërë”, tha më tej.
Në disa segmente janë vendosur panele mbrojtëse por janë të pamjaftueshme për të frenuar erozionin. Gërryerja vazhdon me ritme të shpejta, duke rrezikuar jo vetëm humbjen e mëtejshme të tokës por dhe infrastrukturën rrugore. Banorët kërkojnë ndërhyrje nga Bordi i Kullimit, në varësi të Ministrisë së Bujqësisë.