Gjatë fjalës së kryesocialistit Edi Rama në rrugën e re të Kolonjës që lidh bregdetin me zonën e juglindjes dhe do të zhvillojë turizmin, nuk kanë munguar as batutat e përhershme dhe ironitë me opozitën dhe kreun e PD-së, Sali Berisha.
Teksa fliste për zhvillimin e zonës dhe përfitimet ekonomike e turistike nga hyrja e Shqipërisë në BE, grantet dhe fondet që siguroheshin për të investuar më shumë, një nga qytetarët e pranishëm thirri emrin e tij “Edi Rama...!”.
Disi i ‘kompleksuar’ nga kjo ndërhyrje, kryeministri iu drejtua duke i kërkuar ‘llogari’ se përse e ndërpreu kur po thoshte diçka të rëndësishme për komunitetin e zonës dhe shqiptarët. Në nëntekst ideje ai shpjegoi se atë e kishin këtu dhe se u duhej shqiptarëve për t’i çuar në BE, kurse për t’i mbajtur jashtë BE-së kishin “bufin e kënetës”.
“Hyrja në BE është çështje dinjiteti, por jo patjetër e tillë, pasi është zgjidhje e shumë gjërave, e jo vetëm personalisht. Pasi fondet për fshatin, zhvillimin rural, agro-turizmin (Edi Rama, ndërhyn dikush nga mbështetësit)... Po pse ma ndërpret fjalën kur po thoja diçka që i intereson të gjithëve me këtë Edi Ramën?! Edi Ramën këtu e keni, si brenda BE edhe jashtë BE, këtu jam unë. Jashtë BE-së nuk ju duhem, ju duhem për t’ju çuar në BE. Për t’ju mbajtur jashtë BE-së keni bufin e kënetës”, tha Rama.
Dhe për ta finalizuar batutën e tij ironike me rivalin politik, shtoi:
“Po për juve këtij është kot për t’ua zënë me gojë (Sali Berishën), sepse ju këtu ia keni kënduar këngën me kohë, që para se ai të bëhej buf. Po thosha se për zhvillimin rural, për agro-turizmin janë 300 mln euro në vit dhe që i shërbejnë zonës dhe zhvillimit...”, u shpreh kryeministri.
Lajmi kryesor:
Rama nga Kolonja: Unë jam për t’iu çuar në BE, për t’iu mbajtur jashtë keni ‘bufin e kënetës’! Ne punojmë e bëjmë rrugë, ata sulmojnë
A.Q/E.H/ReportTv.al
