“Në vendin tim e në vendin tënd, një i çmendur një vend e çmend”, këto janë vargjet që më kujtohen në 90-vjetorin e shkrimtarit të së shkuarës, së tashmes dhe së ardhmes, Dritëro Agolli.
Dritëro Agolli poet, prozator, gazetar dhe politikan i njohur gjatë gjysmës së dytë të shekullit të XX. Ai është ndër shkrimtarët më të njohur në Shqipëri i cili ka lindur më 13 tetor 1931 në Devoll dhe është ndarë nga jeta më 3 shkurt 2017.
Pasi mori mësimet e para në vendlindje, vazhdoi gjìmnazin e Gjirokastrës, një shkollë me mjaft traditë. Studimet e larta për letërsi i mbaroi në Petërburg.
Për shumë kohë, Agolli ishte gazetar në të përditshmen "Zëri i popullit", dhe kryetar i Lidhjes së shkrimtarëve dhe artistëve të Shqipërisë. Ai la pas një krijimitari mjaft të gjerë me poezi, poema, tregime, novela, romane, drama, skenarë filmash etj.
Disa prej veprave më të rëndësishme të tij janë përkthyer në Perëndim e në Lindje. Në veprën e Agollit e pa veten si protagonist bujku dhe bariu, fshatari dhe studenti, malësori dhe fusharaku. Agolli u bë poeti i tokës dhe i dashurisë për të, shkrimtari i filozofisë dhe i dhimbjes njerëzore.
Dritëro Agolli u shfaq në letërsi si një autor me kërkesa të larta për poezinë. Ai synoi një poezi më të përveçme, me më shumë individualitet. Thjeshtësia e komunikimit, mesazhet universale dhe shprehja e hapur e ndjeshmërisë janë shtyllat e forta ku mbështetet poezia e tij
Në prozën e tij Agolli solli risi vetëm në strukturën narrative, por dhe në galerinë e personazheve të veta. Ata lanë sa të çuditshëm aq dhe të zakonshëm, sa tragjikë aq edhe komikë, sa të thjeshtë aq edhe madhështorë. Frazeologjia e pasur popullore dhe filosofia jetësore e bëjnë përgjithësisht tërë veprën letrare të Agollit sot për sot ndër më të lexuarën.
Vepra e tij poetike më e shquar është Nënë Shqipëri (1975), ku krijohet figura e Atdheut me traditat heroike, me vështirësitë e shumta që ndeshi në rrugën e vet dhe me vendosmërinë për të përballuar çdo pengesë e armik.
Në poemën Baballarët theksohet rëndësia e veçantë e vijimësisë së traditave revolucionare në jetën e shoqërisë. Në një sërë vjershash dhe poemash Dritëro Agolli pasqyron frymën heroike të periudhës së Luftës ANÇ (Poema e udhës, Poemë për babanë dhe për vete etj.).
Në prozë bëri emër sidomos romani "Komisari Memo" (1969), në të cilin pasqyrohet roli i madh edukues dhe drejtues në vitet e Luftës ANÇ. Nga ngjarjet e kësaj periudhe e merr subjektin edhe romani "Njeriu me top" (1975), që flet për ndikimin e luftës çlirimtare në mentalitetin e njerëzve. Dritëro Agolli ka botuar edhe mjaft tregime e novela nga jeta e sotme.
Ndër krijimet satirike romani Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo (1973) vë në lojë konformizmin, servilizmin dhe vanitetin si shfaqje të huaja për njeriun e ri.
Dritëro Agolli u zgjodh për 30 vite me radhë deputet në Parlamentin Shqiptar.
Një ndër shkrimtarët me penën më të art shqiptare i cili do të jetë “gjallë” përmes shkrimeve të tij përgjithmonë, Dritëro Agolli!
Lajmi kryesor:
Një dorëshkrim i çmuar i Dritëro Agollit i dhurohet Akademisë së Shkencave nga e bija
J.GJ.//ReportTv.al