Festa e PSG-së

Sport

‘Poker’ kampionësh, PSG likuidon 4-0 Atletico Madridin në Kupën e Botës për Klube (GOLAT)

16 Qershor, 09:10| Përditesimi: 16 Qershor, 11:37

  • Share

Pasadena, California - Paris Saint Germain ka dhuruar një paraqitje fantastike në Grupin B të Kupës së Botës për Klube, duke mposhtur me rezultatin e thellë 4-0 skuadrën e Atletico Madridit.

Ndonëse ishin spanjollët që rrezikuan të parët me anë të Julian Alvarez në minutën e tretë, goditja e argjentinasit shkoi jashtë kuadratit. Reagimi i kampionëve të Champions League erdhi shpejt dhe në minutën e 19-të Fabian Ruiz zhbllokoi rezultatin, pas një asisti të bukur nga Khvicha Kvaratskhelia.

Në fundin e pjesës së parë, Antoine Griezmann pati një rast të artë për të barazuar, por tentativa e tij u prit nga Donnarumma. PSG reagoi menjëherë dhe në kundërsulm Vitinha dyfishoi shifrat, duke çuar rezultatin në 2-0 para pushimit.

Në pjesën e dytë, Kvaratskhelia ishte pranë golit të tretë, por gjuajtja e tij, e devijuar nga Oblak, u ndal në traversë. Atletico arriti të gjente rrjetën në minutën e 51-të me Giuliano Simeonen, por VAR-i anuloi gjithçka për shkak të një faulli në nisjen e aksionit.

Situata u bë edhe më e vështirë për “Los Colchoneros” në minutën e 78-të, kur Clement Lenglet u ndëshkua me karton të kuq. Sorloth shpërdoroi një tjetër mundësi të pastër në minutën e 82-të, para se PSG të vuloste fitoren me dy gola të tjerë.

Senny Mayulu realizoi golin e tretë pas asistit të Ibrahima Mbaye, ndërsa Vitinha kompletoi “pokerin” nga pika e bardhë në minutën e 95-të.

PSG kryeson grupin dhe në ndeshjen e radhës do të përballet me Botafogon, ndërsa Atletico Madridi kërkon të reagojë ndaj Seattle Sounders.

Ora 09:30
FOTOLAJM/ Mbi 80 mijë tifozë ndoqën duelin PSG - Atletico Madrid në California

Sfida e Grupit B në Kupën e Botës për Klube mes PSG dhe Atletico Madrid u ndoq nga 80.619 tifozë në stadiumin e Pasadena në California (SHBA). Skuadra e PSG-së fitoi 4-0 duke dominuar "Los Colchoneros". Në një stadium të hapur dhe me tribuna të shtrira, tifozët shijuan një ndeshje me gola.

S.Dh/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Kë mbështesni në konfliktin mes Izraelit dhe Iranit?