Policia ka organizuar disa operacione në qytete të ndryshme të vendit, kundër veprimtarisë së palejuar të lojërave të fatit në Shqipëri. Për pasojë, janë arrestuar 4 persona dhe janë proceduar penalisht 4 të tjerë të cilët janë kapur në flagrancë duke vendosur baste sportive nëpër lokale të ndryshme.
Në Tiranë në pranga kanë rënë shtetasit L. J., 32 vjeç, dhe A. P., 18 vjeç, të dy banues në Tiranë, pasi u kapën në flagrancë, në rrugën "Babë Rexha", duke vënë baste sportive, me celularët e tyre. Gjithashtu policia e Kavajës arrestoi shtetasin A. P., 45 vjeç, i cili në lokalin e tij ushtronte veprimtarinë e lojërave të fatit.
Gjatë operacionit në një lokal të Durrësit, në pranga ka rënë pronari, S.Xh, 42 vjeç i cili është kapur duke vendosur baste online nëpërmjet telefonit të tij.
Ndërkohë në Vlorë janë proceduar penalisht shtetasit, S. M., 43 vjeç, D. A., 36 vjeç dhe S. N., 37 vjeç pasi mbanin në celular aplikacione për vendosjen e basteve sportive. Gjithashtu procedim penal është regjistruar edhe për Ll. Ll., 48 vjeç, pasi gjatë kontrollit të ushtruar nga shërbimet e Policisë, në lokalin që ky shtetas administronte, janë gjetur 3 valixhe me çipsa që përdoren për lojëra fati.