Autori i dyshuar Teilor Tivari

Kronikë

Policia zbardh vrasjen në Durrës: Autori shkoi në banesë për të blerë drogë nga Valbon Beqirit, u arrestua ai dhe bashkëpunëtori

25 Shtator, 12:56| Përditesimi: 25 Shtator, 13:19

  • Share

1758795818_tejlortivari.jpg

 

Policia e Durrësit ka zbardhur vrasjen e 51-vjeçarit Valbon Beqiri, mbrëmjen e së mërkurës, në lagjen nr.12 të qytetit bregdetar, brenda një banese.

Blutë kanë arrestuar autorin e dyshuar Teilor Tivari 24 vjeç, si dhe bashkëpunëtorin e tij, Xh.D. 27 vjeç. Ky i fundit ndihmoi autorin të largohej me një taksi dhe më pas e dërgoi në banesën e tij.

Policia sqaron se Tivari kishte shkuar në banesën e Valbon Beqiri për të blerë drogë. Por në konflikt e sipër mes tyre, 24-vjeçari goditi disa herë me thikë 51-vjeçarin Beqiri, duke i shkaktuar vdekjen. Më pas u arratis.

I dyshuari u identifikua nga hetimet e policisë dhe kqyrjes së kamerave të sigurisë në zonë. Policia sqaron se Valbon Beqiri ishte vrarë rreth orës 10:00 të paradites me thikë. Theksojmë që ngjarja u zbulua në mbrëmjen e së mërkurës, kur 51-vjeçari u gjet i vdekur në banesë nga nipi i tij.

Autori akuzohet për vrasje me dashje dhe mbajtje pa leje e armëve të ftohta. Ndërsa 27-vjeçari Xh.D. që e ndihmoi akuzohet për moskallëzim krimi dhe përkrahje të autorit të krimit. 

Njoftimi i Policisë së Durrësit:

Zbardhet dhe dokumentohet me prova ligjore vrasja me thikë e 51-vjeçarit.

Identifikohet, kapet dhe vihet në pranga autori i dyshuar i vrasjes.

Në pranga dhe një shtetas që e ndihmoi për t’u larguar nga vendi i ngjarjes.

Më datë 24.09.2025, rreth orës 19:00, është marrë njoftim se në lagjen nr. 12, Durrës, në katin e katërt të një pallati ishte gjetur pa shenja jete, me shenja dhune dhe plagë të shkaktuara me mjete të mprehta prerëse, shtetasi M. B., alias V. B., 51 vjeç.

Menjëherë u ngrit një grup i posaçëm hetimor dhe, nën drejtimin e Prokurorisë, u zhvilluan hetime të thelluara dhe një sërë veprimesh me qëllim zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit/ve.

Nga veprimet intensive hetimore të kryera, rezultoi se vrasja e këtij shtetasi ka ndodhur rreth orës 10:00 të datës 24.09.2025.

Po nga veprimet, rezultoi se në banesën e 51-vjeçarit kishte hyrë shtetasi T. T., 24 vjeç, banues në lagjen nr. 7, Durrës, me qëllim blerjen e lëndës narkotike.

Gjatë komunikimit dhe qëndrimit, 24-vjeçari dyshohet se, për motive të dobëta, është konfliktuar me 51-vjeçarin dhe gjatë konfliktit, shtetasi T. T. e ka goditur me thikë në pjesë të ndryshme të trupit, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.

Pas ngjarjes, i dyshuari është larguar nga vendi i ngjarjes, duke u ndihmuar nga shtetasi Xh. D., 27 vjeç, i cili, me një mjet taksi, e ka dërguar fillimisht në banesën e tij.

Nga tërësia e veprimeve hetimore janë siguruar prova ligjore që vërtetojnë autorësinë e të dyshuarve në kryerjen e kësaj vepre penale.

Në vijim të veprimeve, pas ndjekjes, u bë e mundur kapja e të dyshuarve dhe arrestimi në flagrancë i tyre.

Në bashkëpunim me Prokurorinë vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Vrasja me dashje”, “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”, “Moskallëzimi i krimit” dhe “Përkrahja e autorit të veprës penale”.

 


Lajmi kryesor:

Zbardhet vrasja e Valbon Beqirit në Durrës, policia arreston autorin dhe bashkëpunëtorin: Shkoi të blinte drogë! I dyshuari: Donte të më përdhunonte (EMRI)


V.GJ /ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Qeveria e shkarkoi, a duhet Erion Veliaj ta ankimojë në Kushtetuese?