Falja e Fitër Bajrami në shesh, vitet e kaluara

Kronikë

Politika uron Fitër Bajramin, Ruçi: Festival i vlerave shpirtërore! Meta: Sakrificat na kujtojnë se duhet të mbrojmë demokracinë

12 Maj 2021, 22:34| Përditesimi: 12 Maj 2021, 22:42

  • Share

Krerët e politikës shqiptare kanë uruar festën e Fitër Bajramit për të gjithë besimtarët e fesë myslimane, pas një muaji sakrificash e solidariteti. Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, uroi besimtarët myslimanë, duke thënë se shpreson që kjo të jetë festa e fundit që e festojmë të izoluar.

Në urimin e tij, Presidenti Ilir Meta shkruan se kremtimet e Fiter Bajramit na kujtojnë sakrificat e patriotëve tanë të besimeve të ndryshme fetare për të ndërtuar shtetin e pavarur dhe sovran, si dhe për të konsoliduar një nga vlerat më përfaqësuese të kombit shqiptar, harmoninë e ndërfetare. Po ashtu kreu i PD-së, Lulzim Basha i ka uruar agjërim të pranuar besimtarëve myslimanë.

Pas një muaji sakrificash dhe agjërimi, besimtarët myslimanë festojnë nesër Fitër Bajramin. Ndryshe nga viti i kaluar, ku falja e mëngjesit u krye vetëm nëpër xhami për shkak të kushteve të COVID-19, këtë herë falja do të kryhet në sheshet kryesore të qyteteve. Në Tiranë, ky ritual do të kryhet në sheshin 'Skënderbej', siç ka ndodhur prej vitesh.

Ora 22:39
Fitër Bajrami, Basha uron besimtarët myslimanë: Agjërim dhe lutje të pranuara

Foto e publikuar nga Basha

Kreu i PD-së, Lulzim Basha besimtarët myslimanë me rastin e Fiter Bajramit dhe mbylljen e muajit të Ramazanit. Me një postim në Tëitter, Basha i uron besimtarëve agjërim dhe lutje të pranuara.

"Nga zemra ju uroj gjithë besimtarëve myslimanë Gëzuar Fitër Bajramin! Agjërim të pranuar, lutje të pranuara, shpresë të përtëritur.  Zoti e bekoftë Shqipërinë!", shkruan Basha.

Ora 21:41
Meta uron besimtarët për Fitër Bajramin: Sakrificat na kujtojnë se duhet të mbrojmë demokracinë

1620827186_ilirmeta.jpeg

Presidenti Ilir Meta ka uruar të gjithë besimtarët mysliman për festën e Fiter Bajramit. Në një postim në rrjete sociale Meta shkruan se kremtimet e Fiter Bajramit na kujtojnë sakrificat e patriotëve tanë të besimeve të ndryshme fetare për të ndërtuar shtetin e pavarur dhe sovran, si dhe për të konsoliduar një nga vlerat më përfaqësuese të kombit shqiptar, harmoninë e ndërfetare. Sipas tij duhet të angazhohemi për të mbrojtur demokracinë, pa të cilën liria e besimit sot nuk do të ishte e mundur dhe për të forcuar Shqipërinë në tërësi, për ta kthyer atë në familjen tonë të përbashkët.

Postimi i plotë: 

Sonte i bashkohem festës së çdo besimtari mysliman shqiptar për mirëseardhjen e Fiter Bajramit dhe urimeve të përzemërta për agjerim të pranuar, për më shumë shëndet, mbarësi, begati dhe paqe në familjet tuaja.

Me thirrjen e lutjeve të mëngjesit, nesër nga xhamitë e qyteteve dhe të fshatrave tona, besimtarët do të shënojnë përmbylljen e Ramazanit, të një muaji reflektimi shpirtëror plot sakrifica, por edhe me sfida të tjera të vështira shoqërore, që kaluam së bashku.

Shumë shqiptarë ndanë gjatë Ramazanit ndihmën e tyre fisnike për njerëzit në nevojë, duke ju gjendur pranë të sëmurëve, të varfërve dhe të pamundurve, me qëllimin e mirë për të ndërtuar një jetë të përbashkët komunitare, më të drejtë dhe më solidare.

Mbështetur në këto parime dhe vlera të larta hyjnore, morale, sociale dhe kombëtare është koha të angazhohemi çdo ditë për të ndërtuar një Shqipëri më njerëzore, që udhëhiqet me besimin në Zot, me përgjegjësinë qytetare dhe institucionale, vetëm drejt së mirës së përbashkët dhe që e refuzon arrogancën, korrupsionin, veset dhe dhunën, në çdo formë që ato mund të shfaqen.

Kremtimet e Fiter Bajramit na kujtojnë sot me krenari sakrificat e patriotëve tanë të besimeve të ndryshme fetare për të ndërtuar shtetin e pavarur dhe sovran, si dhe për të konsoliduar një nga vlerat më përfaqësuese të kombit shqiptar, harmoninë e mrekullueshme ndërfetare.

Kjo trashëgimi e vyer nuk do të ishte e mundur pa kontributin e jashtëzakonshëm të klerikëve myslimanë, të cilët mbi gjithçka vendosën Atdheun, si gjënë më të shenjtë.

Së bashku, edhe ne, duhet të angazhohemi për të mbrojtur demokracinë, pa të cilën liria e besimit sot nuk do të ishte e mundur dhe për të forcuar Shqipërinë në tërësi, për ta kthyer atë në familjen tonë të përbashkët, ku të gjithë të kenë mundësinë të ndërtojnë të ardhmen e tyre të sigurt europiane dhe ku askush të mos ndihet i përjashtuar, i izoluar, i nënçmuar dhe i vjedhur.

“Lehtësoni dhe mos vështirësoni, përgëzoni për të mirë dhe mos nxisni urrejtje.” Kuran
GËZUAR FITER BAJRAMIN!

Ora 20:03
Ruçi uron besimtarët myslimanë me rastin e Fiter Bajramit: Festival i vlerave shpirtërore! Meta: Sakrificat na kujtojnë se duhet të mbrojmë demokracinë

TIRANË- Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, ka uruar sot besimtarët myslimanë me rastin e Fiter Bajramit dhe mbylljen e muajit të Ramazanit. 

“Gëzimi i festës së bekuar të Fiter-Bajrami vjen pas një muaji sakrificash të agjërimit, gjatë të cilit besimtarët myslimanë u falën, dëshmuan besimin, dashurinë, shpresën, solidaritetin dhe humanizmin. Fiter Bajrami është për myslimanët shqiptarë një festival i shpalosjes së vlerave më të mira të besimtarëve, është pjesë e mozaikut shpirtëror të shumë traditave shqiptare e botërore.

Myslimanët shqiptarë nderojnë fenë e tyre dhe pasurojnë jetën shpirtërore të kombit. Edhe këtë vit muaji i Ramazanit dhe Fiter Bajrami janë gëzime brenda një dhimbjeje të madhe që ka kapluar gjithë njerëzimin. Por lajmi i mirë është se ne shqiptarët po lehtësohemi prej vuajtjes që shkaktoi pandemia dhe jemi në pragun e daljes e shpëtimit prej saj. Festa e Fiter Bajramit na i lehtëson sakrificat, na i shton shpresat dhe na e shumëfishon gëzimin e rikthimit në normalitetin e jetës.

Pas kufizimit të ushtrimit të riteve, agjërimit, gëzimit e shpresës brenda vatrave familjare, ka filluar çlirimi prej tyre dhe festimi e gëzimi bashkarisht. Dëshiroj të shpreh mirënjohjen time dhe të Kuvendit të Shqipërisë për të gjithë besimtarët, institucionet dhe komunitetin mysliman për mbështetjen që u dhanë qytetarëve, sidomos fëmijëve, të moshuarve, të sëmurëve e më të dobtëve për të përballuar mundimet dhe vuajtjet që shkaktoi pandemia.

Uroj që kjo të jetë festa e fundit që e festojmë të izoluar! Të gjithë myslimanëve u uroj Bajram të bekuar dhe të gëzuar! Shëndet, paqe e lumturi në familjet e të gjithë besimtarëve myslimanë dhe të gjithë shqiptarëve!”, shkruan në mesazhin e urimit Kryetari i Kuvendit,  Gramoz Ruçi.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?