Partizani fitoi 2-1 me Tiranën për javën e 24-t në Superligë. Pas ndeshjes për mediet folën dy trajnerët. Orges Shehi i Partizanit tha se skuadra ndihet mirë me këtë sukses, por ende nuk janë me hap kampioni. Julian Ahmataj i Tiranës tha se të tijtë interpretuan mirë dhe se gabimi i Abdullahut në portë ndikoi në rezultat.
“Ndihem mirë. Gjithë skuadra ndihet mirë, për shkak të rëndësisë që ka kjo ndeshje. Derbi është derbi. Morëm një gol në tranzicion, që mund të ishim vendosur më mirë. Por skuadra tregoi karakter që ka shpirt gare. Kemi qenë agresivë dhe kemi pasur edhe raste të tjera. Në disa raste lojtarët ishin të paqartë. Kishim mundësi që të ndërronim edhe krahun e lojës. Është një interpretim i përgjithshëm i mirë, edhe pse e mira s’ka fund. Ne e dimë që Skuka dhe Mba nuk janë në gjendjen e tyre më të mirë. Ne në vetëm ditët e fundit na është bashkuar grupi komplet. Ne nuk jemi me hap kampioni, jemi me një hap normal. Kërkuam të fusim sa më shumë eksperiencë, sepse është e rendësishme në këto ndeshje derbi", tha mes të tjerash Shehi.
Nga ana tjetër, Julian Ahmataj i Tiranës theksoi se gabimi i Abdullahu në portë ndikoi në këtë takim.
“Më vjen keq për ambientin, tifozët dhe për humbjen që pësuam. Një ndeshje shumë e mirë u prish në një moment dhe psikologjikisht u rrëzuam. Mungesa e eksperienës në fushë, i dimë risqet që morëm përsipër. Por duhet t’u besojmë të rinjve. Eksperienca e lojtarëve del në pah në një ndeshje derbi. Deri në momentin e gabimit të portierit Partizani nuk ishte shfaqur asnjëheë në portë. Ne kishim pasur disa mundësi, mund edhe të dyfishonim rezultatin. Na dhemb shumë kjo humbje. U fol sikur po na mbante ne Partizani te porta. Ndërkohë në pjesën e dytë ne e kishim këmbën te gjysmëfusha e Partizanit”, tha Ahmataj.
Lajmi kryesor:
GOLAT/ Kryeqyteti mbetet i kuq, Partizani përmbys 2-1 Tiranën në derbi! Bardheblutë një vit e gjysmë pa fitore ndaj 'Demave'
S.Dh/ReportTv.al