Partizani feston përmbysjen 2-1 ndaj Tiranës

GOLAT/ Kryeqyteti mbetet i kuq, Partizani përmbys 2-1 Tiranën në derbi! Bardheblutë një vit e gjysmë pa fitore ndaj 'Demave'

16 Shkurt, 20:57| Përditesimi: 16 Shkurt, 21:55

  • Share

FT/ Partizani 2-1 Tirana (Skuka 31' (p), Cara 42' / Latifi 7')

Partizani ia ka dalë të mposhtë 2-1 Tiranën me përmbysje për javën e 24-t të Superligës. Derbi i kryeqytetit u luajt në "Air Albania" mes 12.638 tifozëve. Sfida ishte e luftuar dhe me raste shënimi, teksa në stadium nuk munguan flakadanët dhe koreografitë nga dy tifozeritë.

Ndeshja nisi mirë për Tiranën, që shënoi me Liridon Latifin pas shtatë minutave lojë. Një gabim në mesfushën e kuqe nxorri Abazajn përballë Hoxhës, me gardianin e "Demave" që priti gjuajtjen e parë dhe në kthimin e topit ishte Latifi që përshëndeti rrjetën.

Goli i pësuar shtoi sulmet e të kuqve, teksa goli doli nga "hiçi" në të 32 minutë. Në një sulm pa pretendime, Lulaj ktheu një top te portieri Abdullahu, me këtë të fundit që nuk e kontrolloi si duhet dhe shkaktoi penallti. Skuka nga 11 metra nuk gaboi duke vendosur ekuilibrat.

Në fundin e pjesës së parë, Rrapaj shpiku një vertikalizim fantastik për Carën, me kavajasin që shënoi golin e përmbysjes për Partizanin në të 42 minutë. Pjesa e dytë kishte nga një rast të mirë për dy skuadrat, me Lushkjën që goditi edhe shtyllën te Tirana.

Në këtë përballje u vu re se bardheblutë vuajnë mungesën e lojtarëve në stol, teksa debutoi 18-vjeçari Rigers Sulaj. Në fund të ndeshjes Partizani merr tri pikë dhe i siguron Orges Shehit fitoren kundër ish-skuadrës së tij, me durrsakun e pankinës që deri në tetorin e 2023 drejtonte Tiranën.

Kështu, Partizani e çon në gjashtë numrin e ndeshjeve pa humbje ndaj Tiranës. Bardheblutë kanë një vit e gjysmë pa fitore në derbi. Katër triumfe për Partizanin dhe dy barazime në gjashtë përballjet e fundit. Ky ishte dueli numër 202 mes tyre në histori.

Pas javës së 24-t, Partizani me 40 pikë qëndron sërish në vendin e dytë, tetë pikë më pak se Egnatia kryesuese që ka një ndeshje mangut. Tirana me 34 pikë mban vendin e katërt dhe rrezikon "Final Four", me skemën e re që do aplikohet në fund të 36 javëve të rregullta të Superligës.

Do jetë një mini-turne me katër ekipet e renditura të parat në fundin e majit që do vendosë ekipin fitues së këtij sezoni në elitën e futbollit shqiptar.

Komentet kryesore:

90+5' Mbyllet 2-1 ndeshja në "Air Albania". Partizani mund Tiranën.

90' Pesë minuta shtesë.

77' Rigers Sulaj, 18-vjeçari debuton te Tirana. Merr vendin e Ermal Metës, një tjetër 18-vjeçari.

68' Aksion perfekt nga Tirana, Regi Lushkja godet shtyllën e majtë pingule të Hoxhës.

62' Skuka i bën vend Taipit te Partizani.

49' Rrapaj humbet rastin e artë, e dërgon topin mbi portë. Partizani shpërdoron mundësinë e "vulosjes" së sfidës. Tirana vuan në qendrën e mbrojtjes.

46' Nis pjesa e dytë pa zëvendësime.

45' Mbyllet 2-1 pjesa e parë.

42' Partizani 2-1 Tirana. Tedi Cara përmbys ndeshjen dhe i jep avantazhin Partizanit pas një aksioni model në minutën e 42.

31' Partizani 1-1 Tirana. Xhuliano Skuka rikthehet të shënojë në derbi. Pas gafës së Abdullahut në portën e Tiranës, Ferataj akordoi penallti që u kthye në gol nga Skuka.

7' Partizani 0-1 Tirana. Liridon Latifi kalon Tiranën në avantazh pas shtatë minutave lojë. Një gabim në mesin e fushës nga të kuqtë ka bërë që Abazaj të dalë përballë Hoxhës, me portierin që ndali goditjen e parë, por jo atë të Latifit.

1' Fillon ndeshja me topin e parë shkelmuar nga Tirana. 12.638 tifozë në stadium.

Formacionet zyrtare:

Partizani: Hoxha, Sota, Sembene, Hadroj, Atanaskoski, Maget, Murataj, Rrapaj, Cara, Mba, Skuka Trajner: Orges Shehi

Tirana: Abdullahu, Përgjoni, Lulaj, Hoxhallari, Mici, Haxhiu, Meta, Deliu, Lushkja, Abazaj, Latifi Trajner: Julian Ahmataj

Ora 21:53
Post derbi/ Orges Shehi: S'jemi ende me hap kampioni! Julian Ahmataj: Gabimi i portierit prishi ndeshjen


Partizani fitoi 2-1 me Tiranën për javën e 24-t në Superligë. Pas ndeshjes për mediet folën dy trajnerët. Orges Shehi i Partizanit tha se skuadra ndihet mirë me këtë sukses, por ende nuk janë me hap kampioni. Julian Ahmataj i Tiranës tha se të tijtë interpretuan mirë dhe se gabimi i Abdullahut në portë ndikoi në rezultat.

“Ndihem mirë. Gjithë skuadra ndihet mirë, për shkak të rëndësisë që ka kjo ndeshje. Derbi është derbi. Morëm një gol në tranzicion, që mund të ishim vendosur më mirë. Por skuadra tregoi karakter që ka shpirt gare. Kemi qenë agresivë dhe kemi pasur edhe raste të tjera. Në disa raste lojtarët ishin të paqartë. Kishim mundësi që të ndërronim edhe krahun e lojës. Është një interpretim i përgjithshëm i mirë, edhe pse e mira s’ka fund. Ne e dimë që Skuka dhe Mba nuk janë në gjendjen e tyre më të mirë. Ne në vetëm ditët e fundit na është bashkuar grupi komplet. Ne nuk jemi me hap kampioni, jemi me një hap normal. Kërkuam të fusim sa më shumë eksperiencë, sepse është e rendësishme në këto ndeshje derbi", tha mes të tjerash Shehi.

Nga ana tjetër, Julian Ahmataj i Tiranës theksoi se gabimi i Abdullahu në portë ndikoi në këtë takim.

 “Më vjen keq për ambientin, tifozët dhe për humbjen që pësuam. Një ndeshje shumë e mirë u prish në një moment dhe psikologjikisht u rrëzuam. Mungesa e eksperienës në fushë, i dimë risqet që morëm përsipër. Por duhet t’u besojmë të rinjve. Eksperienca e lojtarëve del në pah në një ndeshje derbi. Deri në momentin e gabimit të portierit Partizani nuk ishte shfaqur asnjëheë në portë. Ne kishim pasur disa mundësi, mund edhe të dyfishonim rezultatin. Na dhemb shumë kjo humbje. U fol sikur po na mbante ne Partizani te porta. Ndërkohë në pjesën e dytë ne e kishim këmbën te gjysmëfusha e Partizanit”, tha Ahmataj.

Ora 21:24
Humbja në derbi, Refik Halilit i soset durimi: Ndryshimet do nisin nga porta

1708115097_1684349771halili.jpg
Tirana humbi 2-1 me Partizanin në derbin e tretë këtë sezon të Superligës. Pas 90 minutave për mediet foli edhe presidenti i Tiranës, Refik Halili. Numri një i bardhebluve ka thënë se javët që vijnë do fillojë ndryshimi nga porta, teksa beson se të tijtë do jenë mes katër ekipeve të para në renditje.

"Unë vazhdoj të kem besim te skuadra. Besoj se e pamë të gjithë, ne pësuam gol nga një episod. Derbi është derbi kaq luhet, për një gol luhet. Duhet të shikojmë rastet e krijuara dhe të humbura, sot ato ishin kundër nesh.

Ne do vazhdojmë rrugën që kemi nisur, pavarësisht se kemi pësuar shumë gola. Shpresojmë që nga java në javë ta sistemojmë këtë gjë. Këtë javë do fillojë ndryshimi nga porta. Duhet të bëhet një farë ndryshimi, shpresojmë të na kthehet dhe portieri Selmani.

Do kemi më shumë siguri në mbrojtje. Portierët e rinj janë e ardhmja jonë, në të ardhmen shpresojmë të bëjnë më mirë. Skuadra ka goxha brumë brenda. Shpresojmë që të bëjmë më të mirën në vazhdimësi. Nuk ka ndonjë diferencë të madhe kampionati shqiptar.

Në javët e ardhshme 100 % do të kemi ndryshime dhe do të ecim përpara. Nuk po flas për formulën, është diçka që është bërë, shikojmë çdo bëhet në të ardhmen. Do të jemi 100 % pjesë e katërshes”, u shpreh Halili.

Ora 19:47
VIDEO/ Aksion model nga Partizani, Cara përmbys 2-1 Tiranën

Partizani 2-1 Tirana. Tedi Cara përmbys ndeshjen dhe i jep avantazhin Partizanit pas një aksioni model në minutën e 42.

Ora 19:37
Derbi i gafave, Abdullahu e katranos në portë! Skuka barazon për Partizanin (VIDEO)

Partizani 1-1 Tirana. Xhuliano Skuka rikthehet të shënojë në derbi. Pas gafës së Abdullahut në portën e Tiranës, Ferataj akordoi penallti që u kthye në gol nga Skuka.

Ora 19:12
VIDEO/ Gabim te Partizani, Liridon Latifi kalon Tiranën në avantazh pas 7 minutash

Partizani 0-1 Tirana. Liridon Latifi kalon Tiranën në avantazh pas shtatë minutave lojë. Një gabim në mesin e fushës nga të kuqtë ka bërë që Abazaj të dalë përballë Hoxhës, me portierin që ndali goditjen e parë, por jo atë të Latifit.

Ora 19:11
10 mijë tifozë në 'Air Albania', koreografia e 'Guerrilsave' dhe 'Fanaticsave' (VIDEO)


Mes dhjetë mijë tifozësh ka nisur derbi Partizani - Tirana në "Air Albania", për raundin e 24-t në Superligë. Ultrasit kanë shpalosur edhe koreografitë e tyre, duke mos munguar as flakadanët, me duelin që ka vijuar normalisht.

S.Dh/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?