Në videokonferencën e djeshme, Donald Trump, sipas të dhënave jozyrtare, ka pranuar dy kërkesat kryesore të paraqitura nga Volodymyr Zelensky dhe liderët evropianë. E para: do të jenë vetë ukrainasit ata që do të vendosin për fatin e territoreve të tyre të pushtuara. E dyta: amerikanët janë të gatshëm të ofrojnë, së bashku me evropianët, garancitë e sigurisë për ta mbrojtur Ukrainën nga sulmet e ardhshme.
Këto janë rezultatet politike më të rëndësishme, të cilat tani do të duhet të verifikohen në praktikë, duke filluar pikërisht nga samiti i shumëpritur i nesërm mes presidentit amerikan dhe Vladimir Putin.
Liderët evropianë kanë rënë dakord për një plan me pesë pika, të cilin më pas ia kanë paraqitur presidentit të Shteteve të Bashkuara. Me një parathënie metodologjike: roli i amerikanëve mbetet thelbësor për të testuar synimet e vërteta të Putinit. Trump dhe evropianët, pra, janë pajtuar për hapin e parë: "Asnjë negociatë për Ukrainën, pa Ukrainën". Së dyti: nuk diskutohet për kufijtë nëse Zelensky nuk është në tryezë. Së treti: bisedimet duhet të nisin nga linja e frontit në terren. Së katërti: çdo lëshim ndaj Rusisë duhet të balancohet me garanci të forta mbrojtjeje ushtarake për Kievin. Së pesti: duhet mbajtur lart presioni mbi Moskën përmes sanksioneve.
Lideri ukrainas ishte ndër të parët që mori fjalën. Zelensky, me shumë kujdes, paralajmëroi presidentin amerikan: Putini po përpiqet vetëm të fitojë kohë; ai nuk dëshiron vërtet paqen, përveçse nëse marrëveshja përfundon në një dorëzim të pakushtëzuar për Ukrainën. Të gjithë, nga presidenti francez Emmanuel Macron te Giorgia Meloni, kanë këmbëngulur në nevojën për të planifikuar që tani një tjetër samit, këtë herë me praninë e Zelensky-t dhe, pse jo, të evropianëve.
Spekulime qarkulluan gjithashtu në periferi të telefonatës. Lideri ukrainas ka ripropozuar "Romën", pa specifikuar nëse i referohej kryeqytetit italian apo Vatikanit. Kancelari gjerman Friedrich Merz ka përmendur Gjenevën. Por diskutimi ka mbetur sipërfaqësor: ndërkohë duhet parë se si do të shkojë samiti i gushtit.
Përpjekjet e diplomacive po përqendrohen te çështja territoriale. Edhe dje, Trump ishte i prerë: Kievi duhet të përgatitet të heqë dorë nga një pjesë e territorit kombëtar. Është kjo një perspektivë e pranueshme për Zelensky-n? Përgjigjja zyrtare është "jo".
Por disa vende, ndër të cilat Gjermania, Polonia dhe pjesërisht Italia, po eksplorojnë një rrugë tjetër. Kancelari Merz ka folur për një orë për këtë në takimin dypalësh me Zelensky-n. Ideja është që të përjashtohet në çdo rast njohja formale ("de jure") e kalimit të rajoneve ukrainase nën Rusinë. Pa përjashtime: as për Krimenë, as për pjesën e Donbass-it të pushtuar nga ushtria e Putinit, e aq më pak për distriktet që ende janë nën kontrollin ukrainas dhe që Putini i pretendon. Mund të arrihet, në vend të kësaj, në ngrirjen e vijës së frontit, me një armëpushim të qëndrueshëm. Pra, zgjidhja koreane, e përmendur disa herë edhe vitet e shkuara. Në këtë rast, Zelensky nuk do të ishte i detyruar, siç parashikon Kushtetuta, të thërrasë një referendum për të sanksionuar dorëzimin e territoreve dhe mund të ushqente shpresën, edhe pse të vakët, për t’i rikuperuar ato një ditë, në epokën pas-Putinit. Kjo sakrificë, megjithatë, do të duhet të kompensohet me garanci të mëdha sigurie./Corriere della sera
Presidenti rus, Vladimir Putin ka thyer heshtjen dhe ka folur për samitin që do të mbajë ditën e nesërme me homologun e tij amerikan Donald Trump në Alaskë, ku në fokus të bisedimeve do të jetë Ukraina.
“Administrata Trump po bën përpjekje efektive për t’i dhënë fund armiqësive në Ukrainë”, deklaroi Putin gjatë një takimi me udhëheqësit e Federatës Ruse përpara samitit të nesërm.
Ai shtoi gjithashtu se "paqja do të arrihet nëse Rusia dhe SHBA-të arrijnë të arrijnë një marrëveshje për armët bërthamore".
Kremlini ka zbardhur axhendën zyrtare të takimit në Alaskë mes Presidentit amerikan Donald Trump e atij rus Vladimir Putin.
Takimi i shumëpërfolur mes dy presidentëve do të mbahet të premten (15 gusht) në Alaskë në bazën ushtarake Joint Base Elmendorf-Richardson në qytetin Anchorage.
Sipas zyrtarit të Kremlinit, Yury Ushakov, takimi Trump-Putin pritet të nisë në orën 11:00 sipas kohës lokale të Alaskës, që në Shqipëri i bie të jetë ora 21:00 e mbrëmjes.
Takimi do të jetë ‘kokë më kokë’ mes dy presidentëve me praninë vetëm të përkthyesve.
Më pas, bisedimet do të vazhdojnë në formatin e delegacioneve dhe do të shoqërohen nga një drekë pune.
Një konferencë e përbashkët për shtyp mes Donald Trump dhe Vladimir Putin nuk është e konfirmuar nëse do të mbahet.
Dy presidentët do të diskutojnë për të arritur një marrëveshje për paqen në Ukrainë, por dhe për çështje të tjera të sigurisë globale.
Gjithashtu, pritet një shkëmbim pikëpamjesh mbi zhvillimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dypalësh SHBA-Rusi, veçanërisht në fushën tregtare dhe ekonomike.
Zyrtari rus, Ushakov, bëri të ditur se kohëzgjatja e bisedimeve do të varet nga rrjedha e diskutimeve.
Presidenti amerikan Donald Trump, po përgatitet t’i ofrojë Presidentit rus Vladimir Putin qasje në burimet e mineraleve të rralla, në këmbim të paqes në Ukrainë.
Sipas “The Telegraph”, Trump do të mbërrijë në takimin e shumëpritur me Putinin të premten që do të mbahet në Alaskë, me disa propozime që synojnë ta tërheqin Rusinë drejt një marrëveshjeje paqeje duke i dhënë fund luftës në Ukrainë.
Në këto propozime përfshihet edhe aksesi ndaj Moskës në burimet natyrore të Alaskës dhe lehtësimi i disa sanksioneve amerikane ndaj industrisë ajrore ruse.
Një pjesë kyçe e paketës është gjithashtu edhe ofrimi i qasjes për Kremlinin në mineralet e rralla që ndodhen në territoret ukrainase të pushtuara aktualisht nga Rusia.
Në një konferencë për shtyp të mbajtur të mërkurën, Trump paralajmëroi se Putin do të përballet me “pasoja të rënda” nëse nuk bie dakord për t’i dhënë fund konfliktit në Ukrainë gjatë takimit të tyre në Alaskë.
Ai gjithashtu zbuloi synimin për një takim të dytë të menjëhershëm, kësaj here me pjesëmarrjen e presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky.
Komente

Dhe globi ska cfare te beje, vetem te bej sehir
PërgjigjuPOSI KOLLAJ ESHTE HIQ DORE NGA DISA TERITORE....JEPI DHE TI TRUMP MEKSIKES TEKSASIN....
PërgjigjuDy kodosh qe po I bejne gropen globi.