Gjin Gjoni

Prapaskenat/ Gjin Gjoni ia ‘mbathi’ pasi i mbaroi mandati në KLD

25 Tetor 2018, 07:06| Përditesimi: 25 Tetor 2018, 09:00

  • Share

Në kulmin e veprimit të ligjit të Vetingut, Këshilli i Lartë i Drejtësisë, vendosi të miratojë një leje dyvjeçare prindërore për anëtarin e këtij Këshilli, Gjin Gjonin, njëherësh gjyqtar i Apelit në Tiranë dhe anëtarë i Kolegjit Zgjedhor, me kërkesë të vetë gjyqtarit. Vendimi u cilësuar si i paligjshëm nga ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, e cila paralajmëroi edhe ankimim në gjykatë.

Nga ana tjetër, KLD i konsideroi komentet e ministres të pasakta dhe vendimin brenda kornizave ligjore. Ndërsa vetë Gjin Gjoni tha se ishte i gatshëm të përballej me Vetingun. Teksa debati vijon, pikëpyetje të tjera ngrihen mbi këtë vendim në kushtet kur Gjin Gjonit i ka mbarur mandati si anëtari i Këshilli të Lartë të Drejtësisë që në muajin prill të vitit 2018.

Megjithatë, gjyqtari i Apelit, i përfolur dhe i kallëzuar penalisht për pasuri të pajustifikuar, ka vijuar të marrë pjesë dhe të votojë në mbledhjet e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, bazuar në një parashikim ligjor, për shkak të kaosit të krijuar në drejtësi dhe pamundësisë për ta zëvendësuar. Neni 6 i ligjit për organizimin dhe funksionimin e KLD parashikon që anëtari i KLD qëndron në detyrë për një periudhë 5-vjeçare, pa të drejtë rizgjedhjeje të menjëhershme.

Pika i e nenit 7 të këtij ligji parashikon gjithashtu se mandati i anëtarit të zgjedhur të Këshillit të Lartë të Drejtësisë mbaron kur është plotësuar afati 5-vjeçar i qëndrimit në këtë detyrë. Gjin Gjoni është zgjedhur nga Konferenca Gjyqësore si anëtar i KLD në datë 04.06.2013. Ligji parashikon që afati i qëndrimit në detyrë i anëtarëve të zgjedhur të Këshillit të Lartë të Drejtësisë fillon nga data e zgjedhjes së tyre.

Bazuar në këtë parashikim, mandati i Gjin Gjonit ka mbaruar që në fillim të muajt prill të vitit 2018. Por, pika 2 e nenit 7 të ligjit për KLD parashikon se pavarësisht mbarimit të mandatit, anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë qëndrojnë në detyrë deri në emërimin e anëtarit të ri të tij.

Kaosi
Ligji për KLD parashikon që Këshilli i Lartë i Drejtësisë përbëhet nga Presidenti i Republikës, Kryetari i Gjykatës së Lartë, Ministri i Drejtësisë, 3 anëtarë të zgjedhur nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë dhe 9 gjyqtarë, të të gjitha niveleve, të zgjedhur nga Konferenca Gjyqësore Kombëtare. Sipas këtij ligji, Konferenca Gjyqësore Kombëtare duhet të kishte zëvendësuar anëtarin Gjin Gjoni, anëtarët e tjerë Astrit Haxhialushi dhe Artan Broci, të cilës u ka mbaruar mandati, pasi janë zgjedhur që në datën 14 dhjetor të 2012.

Por, në ligjet e reja të drejtësisë, që kanë hyrë në fuqi që vitin e kaluar, nuk ekziston as KLD dhe as Konferenca Gjyqësore. Për rrjedhojë, të gjitha organet aktuale të drejtësisë janë përfshirë në dilema dhe debate para çdo vendimmarrje sa i takon parashikimeve ligjore dhe kompetencave.

Diskutimi në KLD për lejen e Gjin Gjonit
-Pika 3 shtesë e rendit të ditës me objekt: Mbi kërkesën e gjyqtarit të Gjykatës së Apelit Tiranë, z. Gjin Gjoni, për “Leje prindërore”.

-Drejton mbledhjen Presidenti i Republikës së Shqipërisë si dhe Kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Z. Ilir Meta.

-Mbledhja u zhvillua në sallën e mbledhjeve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Filloi në orën 18:18 dhe mbaroi në orën 19:21. Në mbledhje ishin të pranishëm: Ilir Meta (kryetar), Gjin Gjoni (anëtar), Vangjel Kosta (anëtar), Brunilda Kadi (anëtare), Eneida Civici (anëtare), Petrit Çomo (anëtare), Ridvan Hado (anëtar), Gerd Hoxha (anëtar), Neritan Cena (anëtar)

-Shënim 1: Nuk morën pjesë në mbledhje anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, z. Xhezair Zaganjroi, znj. Etilda Gjonaj, z. Astrit Haxhialushi.

-Shënim 2: Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK) me vendimin nr. 53, datë 31.07.2018 bazuar në ligjin nr. 84/2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, ka vendosur për subjektin e rivlerësimit, gjyqtarin e Gjykatës së Lartë dhe njëkohësisht anëtar i KLD-së z. Artan Broci, shkarkimin e tij nga detyra e gjyqtarit. Deri në pritje të vendimit të Kolegjit të Apelimit ky gjyqtar, pezullohet nga ushtrimi i detyrës, parashikuar kjo specifikisht në nenin 62 të ligjit nr. 84/2016.

Shënim 3: Zonja Civici largohet për një moment nga salla e mbledhjes për t‟u rifutur sërish nga fundi i kësaj pike.
Merrnin pjesë gjithashtu:

-Marsida Xhaferllari, Kryeinspektore pranë Këshillit të Lartë të Drejtësisë.

-Pjerin Prendi, Sekretar i Përgjithshëm pranë Këshillit të Lartë të Drejtësisë.

-Vildan Kaloshi, Drejtor në Drejtorinë Juridike, Dokumentacionit dhe Organizimit.

-Krisulla Kasaj, Përgjegjëse në Sektorin e Organizimit të Mbledhjeve në Drejtorinë

Juridike, Dokumentacionit dhe Organizimit.

-Bledar Dervishi, Këshilltar i Presidentit.

-Ekspertë të Misionit EURALIUS.

-Ekspertë të USAID-it.

-Ilir Meta: Po, çfarë çështje kishit Gerdi?

-Gerd Hoxha: Është edhe një kërkesë zoti Kryetar që ka ardhur me protokoll, kërkesë e njërit prej anëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, zotit Gjoni i cili kërkon t‘i akordohet një leje për periudhë 2-vjeçare”Leje prindërore”, në bazë të ligjit 96/2016, neni 24, parashikohet “Leja prindërore”. Në kërkesën e tij zotëria parashtron faktin se është bërë me vajzë. Vajza ka shtetësi gjermane. Së bashku me bashkëshorten janë rezidente në Gjermani dhe qëndrimi jashtë këtij vendi jo të Bashkimit Evropian (d.m.th. Shqipëri) më shumë se tre muaj nuk lejohet, kështu të gjitha vizitat dhe kontrollet periodike do të bëhen në shtetin gjerman për një periudhë 2-vjeçare çka janë të shpeshta dhe do kërkojnë angazhimin, shkëputjen time të herëpashershme, -thotë z. Gjoni, -nga puna, e do të krijonte probleme në vazhdimësinë e gjykimeve e zvarritjen e dosjeve që ka në proces. Për këtë arsye, është në nderin e tij që ne t‟i japim leje.

-Ilir Meta: Po! Dakord, atëherë! Mirë, atëherë, faleminderit!

-Gerd Hoxha: Mesa lexova dhe mesa rela... mendoj se kërkesa është e bazuar në ligj dhe të pranohet sipas kërkesës.

-Ilir Meta: Po! Kush është dakord? Po! Jemi dakord! Mirë, atëherë! Të të rrojë vajza dhe tjetër herë me djalë. E mbyllim atëherë?

-Neritan Cena: Eneida, ku vajti?

-Ilir Meta: Bëji një telefon po qe se ashtu... (Rihyn në sallë zonja Civici.)

-Gerd Hoxha: Atëherë, z. President, kuorumi është.

-Ilir Meta: Atëherë, ju lutem, meqenëse u ribë kuorumi, zoti Gerdi ju lutem, çështja që kishit ju.

-Gerd Hoxha: Edhe një herë parashtroj kërkesën që ka paraqitur zoti Gjoni për t'i akorduar në bazë të ligjit 96/2016, neni 24 "Leje prindërore" dyvjeçare, për shkak se në datën 16 gusht është shtuar, është bërë baba me një vajzë, e cila ka nënshtetësi gjermane. Për arsye... (Një nga anëtarët ndërhyn duke i thënë zotit Hoxha që e ka lexuar një herë kërkesën.) Meqenëse erdhi Eneida dhe z. President më tha. Për këtë arsye kërkoj që ta kaloj në votim kërkesën e tij për t'i dhënë leje. Unë jam dakord. Vetëm duhet të vendosim datën e fillimit të lejes. Data 1 nëntor.

-Ilir Meta: Dakord? Kush është dakord për lejen? Dakord! Miratohet!

-Gerd Hoxha: Ju faleminderit!

-Ilir Meta: Faleminderit!

//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Ggg: 25/10/2018 09:35

    Jam shume kurioz “a do ti ngjaje vajza ketij gjin gjonit apo do ti ngjaje dikujt tjeter” ....... se gruan e kishte pjeshke fare ky.....

    Përgjigju
  • TATA: 25/10/2018 09:30

    Dhe baxhen e vet ta kishte ZOTI BAFTJAR nuk mund te tallej keshtu po nderi me nder shperblehet po l lan borxhet Gjinit te Sales qe asht bo si qeni terbuar .

    Përgjigju
  • Kjo: 25/10/2018 08:34

    Eshte KLD qe drejton Sali krimi.

    Përgjigju
  • Vlorë: 25/10/2018 07:29

    KY ËSHTË MODELI I DREJTËSISË SHQIPËTARE: Ilir Meta: Po! Kush është dakord? Po! Jemi dakord! Mirë, atëherë! Të të rrojë vajza dhe tjetër herë me djalë. E mbyllim atëherë? -Neritan Cena: Eneida, ku vajti? -Ilir Meta: Bëji një telefon po qe se ashtu... (Rihyn në sallë zonja Civici.) ___________

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?