Dhe pse 9 ditë nga përfundimi i zgjedhjeve KQZ ka certifikuar vetëm 7 bashki dhe këshilla bashkiakë në rang vendi, por duke parë kodin zgjedhor certifikimi i këshillave bashkiakë është i pavlefshëm. Sipas nenit 166 pika 3 e kodit zgjedhor mandatet e këshillave vendor ndahen nga KQZ në bazë të sistemit proporcional sipas të njëjtave procedura të parashikuar në nenet 162 dhe 163 të këtij kodi.
Duke iu referuar më pas nenit 24 të vendimmarrjes në KQZ, konsiderohen të miratuara, kur votojnë “pro” jo më pak se 5 anëtarëve të KQZ-së, vendimet lidhur me shpërndarjen e mandateve për çdo zonë zgjedhore, sipas neneve 162,163 dhe 166, pika 3 të këtij kodi. Në mungesë të shumicës absolute prej 5 votave, pasi kryetari i KQZ-së Klement Zguri ka votuar në cdo rast kundër, pasi nuk e njeh procesin dhe respekton dekretin e Presidentit. Kjo do të jetë Kolegji Zgjedhor që do të certifikojë rezultatin e zgjedhjeve për këshilltarët bashkikë si në rastin e vitit 2011 në bashkinë e Tiranës.
Por në lidhje me vonesat e nxjerrjes së rezultateve puna e KQZ-së varet nga nxjerrja përfundimtare e tabelave përmbledhëse nga KZAZ-të. Duke iu referuar nenit 123, KQZ verifikon dhe nxjerr rezultatet në bazë të rezultateve të nxjerra nga çdo KZAZ e zonës zgjedhore përkatëse. KQZ plotëson tabelën përmbledhëse të rezultatit të zonës zgjedhore dhe e miraton atë me vendim jo më vonë se 48 orë nga mbërritja e të gjitha tabelave të zonës zgjedhore.
Përpara plotësimit të tabelës përmbledhëse KQZ kontrollon nëse tabelat e rezultateve të ZAZ-ve përfshijnë të gjitha tabelat e qendrave të votimit të asaj zone. Kur KQZ konstaton se tabela e rezultateve të një ZAZ-je nuk përfshin tabelat e të gjitha qendrave të votimit të asaj ZAZ-je, kutitë e të cilës janë pranuar të rregullta, urdhërohet KZAZ-në që të plotësojë menjëherë tabelën dhe ta ridërgojë në KQZ brenda 24 orëve