Prefekti i Vlorës, Plator Nesturi, thotë se situata e zjarrit në Delvinë është përballuar me sukses nga forcat emergjente, pa asnjë viktimë dhe asnjë të lënduar.
Në një prononcim për gazetarin e Report Tv nga Delvina, Armand Xhelili, prefekti Nesturi u shpreh se u dogjën 4 banesa, prej të cilave 1 e banuar dhe 3 të pabanuara.
“Situata ka qenë e vështirë, realisht ka pasur ndihmë nga të gjitha bashkitë e qarkut, por dhe nga prefektura të tjera, kanë ardhur dhe nga Fieri e nga Gjirokastra, dhe së bashku edhe me ndihmën që kemi pasur nga zjarrfikëse të ushtrisë dhe zjarri i ndihmuar dhe nga era ka pasur një intensitet goxha të lartë dhe është përballuar si nga zjarrfikësit dhe forcat ushtarake në terren. E rëndësishme është që u shpëtuan shtëpitë, vetë Delvina është shumë e përhapur, pra nuk kemi një qendër, edhe shpërndarja e forcave bëri të vështirë përballimin e zjarrit. Gjithsesi ne mund të themi sot që realisht vetëm një shtëpi është djegur e banuar dhe 3 të tjera që kanë qenë të pabanuara. Gjithsesi duhet thënë që nuk kemi as humbje jetësh, as dëme të tjera të cilat mund të ishin shumë të mëdha pasi zjarri tentoi të futej në shumë drejtime të ndryshme dhe kjo bëri që në çastet e para të ishte valë paniku te banorët, por që u bë e mundur jo vetëm duke i evakuuar ata, dhe mundimin më të lehtë të gjithë forcave për të shpëtuar qytetin dhe pasurinë e banorëve”.
Sot zjarri në Delvinë është përhapur në rrethinat e qytetit për shkak të erës, ndërsa nuk ka rrezik zona te puset e naftës dhe te spitali.
“Patëm një situatë në zonën rreth puseve të naftës, gjë që e cila u përballua me sukses. Sot mund të themi që nuk kemi rrezik të madh dhe në depozitën e gazit që ndodhet sipër, ajo u menaxhua më me lehtësi. Sot mund të themi që janë jashtë rrezikut. Gjithsesi kemi në riaktivizim shumë të madh të erës dhe kjo ka bërë që në rrethinat e qytetit zjarri të riaktivizohet, kemi një kalim të zjarrit pikërisht në lagjen matanë, por që me ndërhyrjen dhe të helikopterëve themi që do ta vëmë në kontroll për të mos u përhapur më tutje. Ka në mobilizim goxha të plotë dhe organizim goxha të mirë. Përsa i përket forcave në terren, kemi bërë riorganizim dhe shpërndarje goxha të mirë.
Tashmë spitali është funksional, edhe pacientët janë rikthyer në orët e para të mëngjesit dhe funksionon normalisht. Jemi në kushtet ku është e menaxhueshme, vetëm që duhet ende një betejë e fundit për të përballuar këtë situatë”.
Sipas prefektit, në Delvinë po ndihmojnë nga ajri 2 helikopterë dhe pritet ndihmë tjetër përmes Mekanizimit Europian të Mbrojtjes Civile.
“Janë dy helikopterë që operojnë dhe pritet edhe nga Mekanizmi i Emergjencave Europiane. Deri tani po menaxhojmë mirë. Shpresojmë që dhe kushtet e motit mos të agravojnë më shumë”.
Lajmi kryesor:
Shqipëria lufton me zjarret! Delvina dhe Gramshi zonat më kritike, situata e qëndrueshme dhe nën kontroll
V.GJ /E.H/ReportTv.al
