Në ditën e veçantë për gratë në të gjithë botën, pati edhe një lajm të gëzueshëm për të gjithë shqiptarët që u bënë bashkë për mbledhjen e parave të nevojshme për mbërritjen në atdhe të mësueses Ina Kasimatit, e cila prej 2 vitesh luftonte me një sëmundje të rëndë dhe po mbahej në jetë në Francë me aparatura dhe sondë.
Pasi shqiptarët siguruan dyfishin e shumës së nevojshme të parave për transportimin e mësueses në atdhe, sot Ina Kasimati ka mbërritur në aeroportin “Nënë Tereza” me charterin e posaçëm mjekësor që kushtoi 20 mijë euro.
Gazetari Osman Stafa shkruan se kostoja ishte më e lartë se ajo e raportuar më herët pasi u desh të gjenin një charter të ri mjekësor. Ndërsa sa i takon shumës së mbetur në llogarinë e hapur në ‘Gofundme’, gazetari shkruan se do të përdoret nga familjarët e saj për nevojat e tjera që mësuesja ka.