Ndërsa kanë kaluar më shumë se 48 orë që ku minatori Muharrem Plaku mbeti i bllokuar në galerinë e minierës së Bulqizës, Autoriteti për Sigurinë dhe Emergjencat në Miniera shprehet se operacioni i shpëtimit është i vështirë për shkak se vijojnë të bien inerte.
Në një informacion mbi operacionin për shpëtimin e 60-vjeccarit, Autoriteti për Sigurinë shprehet se nuk ka informacion të saktë mbi vendndodhjen e tij në galeri dhe se operacioni po zhvillohet me shumë kujdes për të mos rrezikuar jetën e shpëtuesve.
"Në datë 15 shtator 2021, rreth orës 10:00, në galerinë nr. 36 të subjektit “Kadurtex”, zona qëndrore Bulqizë, ka ndodhur një aksident. Minatori Muharrem Plaku, 60 vjeç, ka hyrë në zonën e shfrytëzimit, në një hapësirë të vjetër për të rrëzuar material për në horizontin e transportit, por në atë moment ka ndodhur një shembje e mineralit, e cila e ka zënë atë poshtë dhe ka bllokuar hyrjen e galerisë.
Grupet e Autoritetit Kombëtar për Sigurinë dhe Emergjencat në Miniera kanë shkuar shumë shpejt pranë galerisë ku ka ndodhur aksidenti, duke përfituar nga fakti se në atë kohë ndodheshin në Bulqizë për inspektim në një subjekt tjetër. Që prej atij momenti ka nisur menjëherë puna për nxjerrjen e trupit të minatorit, punë e cila nuk është ndalur për asnjë moment që prej ditës së mërkurë.
Situata në frontin ku është bllokuar minatori paraqitet shumë e vështirë. Nuk ka informacion të saktë mbi vendndodhjen e viktimës, pasi ai ka qenë i vetëm në hapësirën e nënkatit të parë. Vazhdon pastrimi i materialit në rrugën kryesore dhe në nivelin e nënkatit të parë, por nga hapësira vazhdon e bjerë material pa ndërprerje, çka e vështirëson akoma më shumë punën.
Aktualisht grupet e punës janë të përbërë nga 3-4 shpëtues (për shkak të frontit të ngushtë ku mund të gërmohet), të cilët ndërrohen me turne çdo 3 orë, ndërsa punohet 24/24 pa ndërprerje. Në drejtimin e operacionit është drejtori i emergjencave të AKSEM, ndërkohë që 6 inspektorë mbikqyrin situatën në vazhdimësi, duke vepruar të ndarë në turne. Për shkak të vështirësive objektive që paraqet ky rast, operacioni kërkon kohë dhe kujdes të madh gjatë punës, për të mos rrezikuar jetën e punojësve dhe shpëtuesve që ndodhen në vendngjarje", thuhet në reagim.
Lajmi kryesor: