Politikë

Presidenti Begaj: Shqipëria, e palëkundur ndaj vlerave të OKB-së

24 Shtator, 20:05| Përditesimi: 24 Shtator, 20:06

  • Share

1758737173_aa.JPG

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, mori pjesë sot në Takimin e Nivelit të Lartë “Në Mbrojtje të Demokracisë: Lufta Kundër Ekstremizmit”, që u zhvillua në selinë e Kombeve të Bashkuara.

Në fjalën e tij, Presidenti Begaj paraqiti angazhimin e institucioneve shqiptare, bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë dhe alternativat përballë sfidave aktuale dhe të ardhshme. Ai theksoi se Shqipëria mbetet e palëkundur në përkushtimin e saj ndaj vlerave të rrënjosura në parimet e OKB-së.

“Pasi ka kaluar dekada izolimi autoritar, ne e dimë çfarë kushton të jetosh pa liri. Kalimi ynë drejt një demokracie të hapur na ka mësuar një të vërtetë të qëndrueshme: demokracia nuk është thjesht një sistem qeverisjeje — ajo është një akt i vazhdueshëm besimi, përfshirjeje dhe rinovimi. Atje ku mungojnë këto vlera, gjen terren ekstremizmi.”

Presidenti i Republikës vuri në dukje mekanizmat përmes të cilëve funksionon sistemi demokratik në Shqipëri, si dhe nismat e ndërmarra në përputhje me strategjitë e Kombeve të Bashkuara në luftën kundër ekstremizmit.

Ai theksoi se strategjia kombëtare e Shqipërisë fuqizon të rinjtë, gratë, familjet dhe pakicat përmes rrjeteve kulturore, arsimore dhe fetare: “Duke nxitur përkatësinë dhe qëllimin, ne i mohojmë ideologjive ekstremiste hapësirën për t’u rrënjosur. Këto iniciativa janë zemra e modelit tonë.”

Presidenti Begaj nënvizoi rolin e Qendrës për Koordinimin kundër Ekstremizmit të Dhunshëm, e cila bashkon institucionet shtetërore, shoqërinë civile, liderët fetarë dhe komunitetet lokale.

Gjithashtu, ai theksoi rëndësinë e programeve konkrete për edukimin ndërkulturor dhe mirëkuptimin e ndërsjellë, duke i cilësuar si investime afatgjata në një brez që do të çojë përpara vlerat e tolerancës dhe unitetit.

“Kur qytetarët humbasin besimin tek ata që i qeverisin, legjitimiteti cenohet dhe shoqëria bëhet më e cenueshme ndaj ndarjes dhe ekstremizmit. Përgjigjja e Shqipërisë është e qartë: qeverisje gjithëpërfshirëse dhe institucione demokratike të forta.”

Ky ishte takimi i dytë i mbajtur në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, me synim forcimin e përpjekjeve të përbashkëta kundër regresit demokratik global.


Lajmi kryesor:

Presidenti Begaj nga New York-u: Multilateralizmi është garanci për sigurinë e Shqipërisë dhe paqen globale


S.B/ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Begaj shpalli zgjedhjet në Tiranë pa pritur Kushtetuesen për Veliajn, si iu duket?