Presidenti i ri, analisti Erl Murati: Maxhoranca dhe opozita nuk do gjejnë konsensus, PS do vendosë vetë për kreun e ri të shtetit

20 Prill 2022, 20:02| Përditesimi: 20 Prill 2022, 20:21

  • Share

TIRANË- Partia Socialiste ka nisur punën për zgjedhjen e presidentit të ri, ku sot Taulant Balla u takua me përfaqësues të opozitës dhe shoqërisë civile, por për analistin Erl Murati maxhoranca nuk do të gjejë konsensus me opozitën. Murati u shpreh në Report Tv se Partia Socialiste do të vendosë vetë për kreun e ri të shtetit në raundin e katërt të votimeve, me shumicë të thjeshtë. Në ‘Studio Live’ me Arbër Hitaj, analisti thotë se një problem tjetër që do të ndikojë në këtë proces është përçarja në Partinë Demokratike, pasi kështu opozita nuk do të ketë rol vendimtar.

“Do kemi një proces politik që do zgjasë, nuk besoj se do zgjidhet në raundin e parë, nuk besoj se do zgjidhet në tre raundet e para, parashikoj që do ketë një mungesë konsensusi nga ana e opozitës në këtë proces. Pavarësisht formalitet, takimit të Ballës me Mediun, ose pavarësisht takimit të Ballës me përfaqësues të shoqërisë civile, politika shqiptare është tejet e polarizuar. Shumë e vështirë të gjendet konsensus kur dy kampet janë në pozicione lufte. Kjo mungesë besimi që kanë dy palët dhe kjo atmosferë konfliktualiteti e përgjithshëm nuk e ndihmon situatën për të gjendur president konsesnual. Problemi i dytë është problemi i opozitës në tërësi, kemi një opozitë të fragmentarizuar, jo thjesht se përfaqësohet nga disa parti në kuvend, por nga fakti që nuk e dimë kush e kontrollon PD. Rama dhe PS janë krejt të legjitimuar që të mos i marrin seriozisht këto negociata me përfaqësues të opozitës duke qenë se jemi dëshmitarë që situata brenda PD është e paqartë, aktualisht është pa kryetar. Çdo njeri që do ulet në tryezë me Ballën do jetë i paragjykuar”, tha Murati në Report Tv.

Sipas Muratit, dy janë faktorët që do ndikojnë në zgjedhjen e presidentit, maxhoranca dhe faktorët nbdërkombëtar. Ai thotë se ndërkombëtarët mund të bëjnë presion për të zgjedhur një figurë konsensuale. Por gjithsesi, Murati shprehet se në fund gjithçka do vuloset nga Edi Rama, pasi ai e ka luksin që ta zgjedhë presidentin me votat e maxhorancës.

“Emri i vërtetë do dalë vetëm në raundin e katërt. Me ndryshimet kushtetuese të 2008, marrëveshja Rama-Berisha kryetarë të POS dhe PD ishte vrasje ndaj demokracisë direkte. Presidentin e zgjedh mazhoranca. Në 10 vitet e fundit Shqipëria është drejtuar nga president i zgjedhur nga mazhoranca. Edhe këto zgjedhje nuk pres që presidenti i Republikës të jetë produkt i konsensusit të dy palëve. Dy faktorë: Edi Rama, mazhoranca dhe faktori ndërkombëtar. Nuk e sheh opozitën dhe PD si një lojtar vendimtar në këtë proces. Ndërkombëtarët, për të theksuar që presioni eventual për një president konsensual do jepte një produkt të tillë, por përsa kohë kushtetuta dhe ligjet në fuqi i jep PS të zgjedhë një kandidat të tyre, PS është e legjitimuar të zgjedhë një kandidat të saj. Nuk ka pse dikush të habitet nëse procesi vijon siç ka vijuar 10 vitet e fundit”, vijoi analisti.

Duke u ndalur në identikitin që duhet të ketë presidenti i ri, Murati thotë se ai duhet të jetë një figurë politike, që të jetë i sprovuar dhe të përfaqësojë vendin tonë në mënyrë dinjitoze në arenën ndërkombëtare.

“Një president i mirë për mua do ishte një njeri që të na përfaqësonte në mënyrë dinzjitoze shtetin shqiptar, unitetin kombëtar, që të punonte për çështjen kombëtare. Për mua një president i mirë do ishte politik, që është stërvitur me politikën. Posti i presidentit është politik, nuk bëhet fjalë për të zgjedhjen drejtuesin e teatrit, duhet një politikan i sprovuar. Nuk jam dakord me mazhorancën që thotë të jetë normal, të ratifikojë vendimet e qeverisë dhe kaq. Duhet të kemi një president që të na përfaqësojë në radhë të parë në mënyrë të denjë në arenën ndërkombëtare. Identikiti i një presidenti real për mua është politik, dhe jo një njeri që fute për herë të parë në zyrat e shtetit, por që të jetë mësuar me burokracinë e zyrave të shtetit”, u shpreh ai.

PS zhvilloi sot takime me përfaqësues të opozitës, Fatmir Mediun dhe Mesila Dodën ku ranë dakord që mbledhja e parë e Konferencës së Kryetarëve të mblidhet rreth datës 4 ose 6 maj, e jo 29 prill siç e kishin planifikuar më herët socialistët. Nga Partia Demokratike nuk ka pasur asnjë përfaqësues, kjo pasi grupi parlamentar demokrat nuk u mblodh për shkak të vdekjes së babait të deputetit, Luçiano Boçi. Takimi me kreun e grupit të PD-së, Enkelejd Alibeaj do të zhvillohet ditën e nesërme. Socialistët zhvilluan takime edhe me aktorë të Shoqërisë Civile.

Nga të gjithë emrat e propozuar nga deputetët e Partisë Socialiste për Presidentin e ri, vetëm 67 prej tyre janë seleksionuar nga grupi negociator për t'u diskutuar më tej mes vetë maxhorancës, grupeve të tjera parlamentar dhe shoqërisë civile. Kryeministri Edi Rama nuk e ka përjashtuar mundësinë që ata të dalin në raundet e para me më shumë se 1 kandidaturë. 

Ilir Meta do të jetë në krye të Presidencës deri më 24 korrik 2022, ndërsa Kuvendi duhet të nisë procesin e zgjedhjes së tij jo më vonë se 24 maji 2022 sipas Kushtetutës.

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?