“Nuk ka asnjë arsye për ekspedita apo aksione spektakulare”, tha presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në ditën kur zyrtarë të sundimit të ligjit bastisën zyrat e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe arrestuan udhëheqës të saj.
“Veteranët e UÇK-së janë vlera më sublime e rezistencës dhe lëvizjes sonë për liri e pavarësi. Asnjë grackë e ngrehur nga kushdo, nuk do ta vendosë Kosovën në anën e kundërt të drejtësisë”, tha Thaçi përmes një deklarate për media.
Të premten, pjesëtarë të Misionit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë – EULEX - bastisën zyrat e OVL-së në Prishtinë dhe arrestuan kryetarin e organizatës, Hysni Gucati.
Disa orë më vonë, edhe nënkryetari i organizatës, Nasim Haradinaj, u shoqërua nga zyrtarë të Zyrës së Prokurorisë së Specializuar, bashkë me Policinë e Kosovës.
Ende nuk dihen arsyet e shoqërimit të Haradinajt, e as të arrestimit të Gucatit.
Tri herë këtë muaj, Organizata e Veteranëve të Luftës ka thënë se ka pranuar - në mënyrë anonime - dosje që lidhen me Gjykatën Speciale për krime lufte në Kosovë.
Përmbajtja e këtyre dokumenteve nuk është bërë e njohur dhe nuk është konfirmuar nëse ato janë autentike ose jo.
Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë ka thënë, këtë javë, se disa aktivitete në të cilat është e përfshirë Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës “kanë për qëllim të minojnë administrimin e drejtësisë në mënyrë të duhur“.
Dhomat e Specializuara dhe Prokuroria e Specializuar në Hagë, që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale, merren me hetimin e krimeve të supozuara të luftës të pjesëtarëve të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në deklaratën e tij për media, presidenti Thaçi tha se “rrjedhja e dokumenteve e ka cenuar legjitimitetin e gjykatës në sytë e qytetarëve, ka dëmtuar imazhin e shtetit të Kosovës dhe të drejtat e të pandehurve potencialë”.
“Asnjë i pandehur potencial nuk do t’i ikë drejtësisë. Prandaj, vlerësoj se nuk ka asnjë arsye për ekspedita apo aksione spektakulare. Ndërsa, integriteti dhe dinjiteti i secilit qytetar duhet të respektohen”, tha Thaçi.
“Kosova gjithmonë ka qenë dhe do të jetë në anën e së vërtetës, bashkëpunimit, drejtësisë dhe së drejtës ndërkombëtare, e përcaktuar për ndërtimin e shtetit demokratik, ligjor dhe shumetnik, atdhe të të gjithë qytetarëve të saj”, theksoi Thaçi.
Lajmi kryesor: