Politikë

Ish-Uzina e Autotraktorëve do kthehet në fabrikë për prodhimin e mjeteve ushtarake, Rama ironi me kritikët: S’do të ketë asnjë shpërthim! Rijetëzojmë infrastrukturën e vjetër

28 Prill, 11:55| Përditesimi: 28 Prill, 14:31

  • Share

Ish Uzina e Autotraktorëve në Tiranë do të vihet në funksion të industrisë ushtarake për prodhimin e uniformave dhe mjeteve ushtarake. Kryeministri Edi Rama, teksa mori pjesë në prezantimin e projektit, tha se bëhet fjalë për një zhvillim pozitiv për Forcat e Armatosura, ekonominë tonë kombëtare dhe komunitetin e zonës.

Kryeministri deklaroi se, në kuadrin e rilindjes së industrisë ushtarake në Shqipëri, ka një sërë projektesh për rijetëzimin e infrastrukturës të vjetër të mbetur jashtë funksionit.

“Bëhet fjalë për një zhvillim pozitiv për FA, për ekonominë tonë kombëtare dhe komunitetin këtu, pasi në kuadrin e Rilindjes së industrisë ushtarake në Shqipëri, ne kemi një sërë projektesh për rijetësimin e një infrastrukture të vjetër të mbetur jashtë funksionit, si kjo këtu, apo siç ishte infrastruktura e kompleksit industrial të Rubikut apo të tjera, ku synimi ynë është që të ndërtojmë një rrjet të plotë të prodhimit në vend për nevojat e FA, të Policisë, të zjarrfikëses por edhe për eksport.”, deklaroi kryeministri. 

Spekulimet se ky projekt mund të jetë një vatër rreziku për njerëzit e cilësoi si një çmenduri.

“Siç ndodh zakonisht në Shqipëri kur mali mbarset për të pjellë një mi, ishte detyrimi t’iu sqarojmë nga afër që të mos zhvillohet më tej gjithë ajo teori konspiracioni që këtu do të krijohet një vatër rreziku për jetën e njerëzve, çmenduri.", tha Rama. 

Teksa bëri batuta me drejtuesen e kompanisë Timak, Arjeta Puçën, me të cilën do të bashkëpunojë kompania shtetërore KAYO, Rama u ndal sërish te shqetësimet e banorëve, duke thënë se nuk do të ketë asnjë shpërthim. Megjithëse nuk përmendi emër, Rama dukej se i referohej tragjedisë së Gërdecit në vitin 2008 gjatë qeverisjes Berisha. 

“Besoj se duke parë Arjetën, nuk iu shkon mendja se do të ketë ndonjë shpërthim. Nuk keni pse shqetësoheni. Do të prodhojmë makina ushtarake për ushtrinë, policinë zjarrfikëse etj dhe do t’i eksportojmë. Nuk është fantazi kjo se kompania e Arjetës prodhon ndërkohë, ka çuar autoambulanca në Ukrainë, zjarrfikëse në vende të tjera”, theksoi kryeministri. 

U ndal gjithashtu edhe te legalizimet, teksa tha se janë kryer 270 mijë legalizime deri tani. Për këto akuzat se fabrika do paraqesë rrezik foli edhe ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha, drejtues politik në këtë njësi. Hoxha tha se opozita po përpiqet që të kthejë komunitetin kundër këtij projekti, ndërsa shtoi se nuk ka asgjë për t’u shqetësuar pasi do të prodhohen uniforma dhe automjete ushtarake dhe jo bomba e eksplozivë. 

“Dua t’iu siguroj se s’ka asnjë gjë për t’u shqetësuar këtu do të prodhohen automjete dhe uniforma dhe jo bomba e eksploziv. Shkoza s’ka asnjë arsye për t'u shqetësuar por çdo arsye për të mirëpritur këtë projekt që do të zbatohet sipas standarteve më të larta të sigurisë teknike dhe mbrojtjes së mjedisit.”, tha Hoxha.  

Ndërkohë, ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu tha se gjatë kësaj dekade ka pasur një 10 fishim të investimeve në këtë sektor. 

“Kjo dekadë ka qenë një dekadë e rritjes së buxhetit ushtarake, dhe rritjes së investimeve me 10 fishim të tyre në 10 vitet e fundit,. Rritja e buxheteve të mbrojtjes ka siguruar rritjen e trajtimit financiar të ushtarake, përfshirë edhe të gjithë komponentit inxhienerik, teknik e mekanik që janë jetësore sa i përket ambicies për të rijetësuar industrisë ushtarake”.

Ora 13:04
VIDEO- ‘Kam parë shumë si puna jote, flasin dhe... Vëri emër personit!’ Rama debate me qytetarin që tha se dha lekë për legalizimin: Gënjeve për politikë, nëse je burrë...!

 

Kryesocialisti Edi Rama në fund të vizitës dhe diskutimit me qytetarët te ish-Uzina e Autotraktorëve në Tiranë, pati një diskutim jashtë radhe me qytetarin që deklaroi se e kishte bërë legalizimin si gjithë të tjerët, duke nënkuptuar pagesën nën dorë.

Kryeministri i përsëriti që të vinte me të të denonconin personin të cilit ai i kishte dhënë paratë, kurse qytetari u mundua të spostonte diskutimin në problematikat e zonës, duke thënë se do ia jepte votën, nëse do i shtrohej rruga.

Debati mes Ramës dhe qytetarit:

Rama- Hajde me mua, shkojmë së bashku të denoncojmë njeriun që i ke dhënë lekët. Jo me diskutime koti!

Qytetari- Unë nuk jam as i majtë dhe as i djathtë. Të jap votën nëse më bën rrugën!

Rama- Nuk kemi ardhur për vota këtu, por hajde t’i vëmë emër personit që fole aty. Ose gënjeve! Vëri emër!

Qytetari- Nëse unë nuk hyj më në gropa rruge, të jap votën...!

Rama- Do vish me mua... Ta denoncojmë! Do tregosh personin që i ke dhënë lekët! Kjo teoria se dhashë lekë dhe pastaj jo si gjithë të tjerët... Sepse nuk e ke të vërtetë, se gënjeve, për të bërë politikë me mua.

Qytetari-Nuk më intereson fare e majta e djathta, kush më bën punën i jap votën. Është e vërtëtë japin edhe sot lekë.

Rama- Lerë atëherë, por sot, sot, po je burrë hajde me mua! Kam parë shumë si puna jote unë, që flasin dhe pastaj... (bën me shenjë ikjeje) Hajde me mua, të thashë, vëri emër, jo llafe kot.

(qytetari vijon nga distanca të flasë)

Rama- Ik se na lodhe tani, vëri emër personit... (i përgjigjet qytetarit nga distanca teksa ai vijon dhe flet)!

Por qytetari vijoi nga distanca ‘këmbënguljen e tij’, por pa pranuar që të shkonte të tregonte emrin.

Qytetari-Pasha zotin o kreministër, pasha Zotin...

Ora 12:28
'Deri në 20 mijë euro ryshfet për një kotec pulash’, Rama 'debat' me qytetarin: Denoncoje! Do bëhesh personazh nëpër lajme, ju demokratët jeni të vështirë, por do të të marr në PS (VIDEO)

Kryeministri Edi Rama, në takimin për projektin e ish-Uzinës së Autotraktorëve në Tiranë, debatoi me një qytetar, i cili u ankua  se edhe për të bërë një kotec pulash, inspektorët kërkojnë shumë të mëdha parash deri në 20 mijë euro. Rama i tha se duhet të përmendë emra dhe se së bashku do të denoncojnë rastin. 

“Nëse ai të ka kërkuar të paguash, do ta paguajë por ti do të tregosh se kush është.”, iu drejtua Rama qytetarit. 

Më tej, ai e ironizoi duke i thënë se do të bëhet personazh nëpër lajme me këyë ‘debat’ që zhvilluan, por shtoi se edhe pse demokratët janë të vështirë, do ta bëjë pjesë të partisë së tij. 

“Erdhe për të më hapur probleme por ti dhe unë do jemi bashkë në një parti që zgjidh problemet për tjetër. Na mori kohë shumë, se janë çik të vështirë këta demokratët.”, i tha Rama. 
 

Pjesë nga diskutimi: 

Qytetari: Ne jemi banorë të kësaj zone, rrugët gropa gropa.  Legalizimin e kam bërë vetë, s’e ka bërë as PS dhe as PD. A ka mundësi të na ndihmoni për rrugën që të mos rrimë duke ndërruar goma se shihet vetë. Edhe diçka një moment që do të bësh një kotec pulash, të vjen IKMT, policia bashkiake dhe e rendit dhe nuk vijnë në bzatim të ligjit, por vcijnë 5 mijë njëri e tjetri por 20 mijë euro.

Rama: Këto llafet në hava s’më pëlqejnë. Nëse të vjen dikush dhe të thotë atë që the, duhet ta denoncosh. Sepse ndryshe nuk mundet të funksionojë kjo punë që të flasësh këtu në hava dhe t’i ngarkosh të gjithë me përgjegjësi. Unë s’e përjashtoj se ka individë të tillë, por kur thua policia është e madhe se janë 9 mijë vetë. S’mund t’i ngarkosh me fjalë në ajër. E dyta, zotëria jote ka ndërtuar pa leje. Po të ishe vetëm ti që ke ndërtuar pa leje, do ta kishim zgjidhur por s’je. Dëgjoj këtë historinë e legalizimeve, i kemi bërë ne dhe jo ti. Po të ishin të gjithë njësoj. Do ta bashkojmë humorin dhe do t’i shkojmë deri në fund. Nëse ai të ka kërkuar të paguash, do të paguajë por ti do të tregosh se kush është. 270 mijë legalizime janë bërë deri tani. Kanë qenë vetëm 21 mijë në Tiranë dhe kudo nëpër lagje e zona që nuk janë si duhet, nuk e diskutoj por ama sot ztëria jote je shumë më afër Tiranës ashtu si duhet se ke akset kryesore për bukuri që të kanë ardhur te dera e shtëpisë. Unë e di që ty s’të duhen se për këtë ke ardhur edhe në takim, por jam i lumtur se bëjmë debat. Ti ke ardhur, ke bërë një ndërtim pa leje, dhe kërkon llogari se aty te ndërtimi pa leje dhe kërkon pse aty, nuk ka 5 metra rrugë.

Ndërkohë që akset kanë lidhur gjithë lagjen nuk të duhen. Por ama më duhen mua, të gjithëve, qytetit, ekonomisë dhe zhvillimit. Nëse nuk do të ishin bërë ato akse, ky trasnformim këtu nuk bëhej. Nuk vjen kush të bëj investim aq madhor, ndërkohë që rruga kryesore është gjithë gropa. Deri para pak vitesh nuk vije dot këtu. E njoh mirë këtë zonë se kaloj shpesh këtu, se unë jam katunar, jo si puna jote qytetar. Ne do të bëhemi miq bashkë se do t’i shkojmë deri në fund një çështje korrupsioni. Po të shpjegoj disa gjëra të thjeshta, dukesh njeri i zgjuar se ke qenë në emigracion. Ke parë botën dhe e di si funksionon. E kuptoj problemin të ujërave të ndotura dhe të rrugiës tënde, por ama ka një problem tjetër, këtu mesa di unë, këtu kanë një hall tjetër. Një pjesë kanë hallin si ta zhvillojnë pronën se nuk e zhvillojnë dot. Kanë hall se kanë legalizimet, pro nuk zhvillojnë dot pronën. 

Po merr mesazh në telefon tani. Të kanë gjetur fiks për këtë punë. Cila është arsyeja pse nuk duhet  me e bo atë rrugën tënde. Ajo pjesa e vogël, s’e di ku e ke shtëpinë. Më dëgjo deri në fund. Nëse këtu do të bëhen investime publike për të mbajtur këtë situatë siç është janë para të hedhura kot. Nëse do të zgjidhet problemi që kanë pjesa dërrmuese që si ata që duan ta zhvillojnë pronën të kenë mundësi, kërkon një plan urbanistik, ku të përfshihet e gjithë zona dhe secili sipas dëshirës e zhvillon apo jo, hyn në marrëveshje apo jo. Kur keni bërë legalizimin, jeni pronar. 

Jemi dakord se çfarë do të bëjmë na sot deri në të ardhmen për lagjen dhe pas takimit. Unë ty do të të kthej me partinë time. S’kam ardhur këtu për të bërë fushatë, por do të të kthej me partinë time. Do të bëhesh personazh nëpër lajme, kërko te Syri Tv dhe do jesh kryesori atje. Por ti do të bëhesh me mu. Demokraci hesapi, por hesapin do ta kesh me mua. Erdhe për të më hapur probleme por ti dhe unë do jemi bashkë në një parti që zgjidh problemet për tjetër. Na mori kohë shumë, se janë çik të vështirë këta demokratët.

Ora 12:25
Projekti për ish-Uzinën e Autotraktorëve, Hoxha për akuzat e opozitës: S’ka asnjë arsye për t’u shqetësuar! Do të prodhohen automjete dhe uniforma, jo bomba e eksploziv

Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha, njëherësh drejtues politik i njësisë 1 në Tiranë, komentoi akuzat e opozitës se projekti për Ish Uzinën e Autotraktorëve do të përbëjë rrezik. Sipas tij, opozita po përpiqet të kthejë komunitetin kundër këtij projekti të rëndësishëm, ndërsa shtoi se nuk ka asnjë arsye për t'u shqetësuar pasi nuk do të prodhohen bomba dhe eksplozivë.

Sipas tij, projekti do të zbatohet sipas standarteve më të larta të sigurisë teknike dhe mbrojtjes së mjedisit

“Jemi këtu për ndërtimin e një impianti të teknologjisë të lartë mes kompanisë Kayo dhe Timak, përfshin investim serioz në teknologji moderne dhe inovative për prodhimin e automjeteve ushtarake dhe uniformave me cilësi të lartë për FA dhe Policinë. Investim i rëndësishëm ekonomik për mbarë vendin por për njësinë 1 projekt transformues, që do të sjellë zhvillim dhe hap vende pune. Ky projekt është veç një nga dhjetëra projekte transformuese, pjesë  e vizionit Shqipëria 2030. Ashtu siç ka ndodhur edhe më parë, edhe për projekte të tjera që kanë transformuar këtë vend, edhe ky projekt po sulmohet sot nga opozita, e cila vetë s’ka as ide dhe vizion, po përpiqen ta kthejnë komunitetin kundër punëve të mira që përbëhen përmes mashtrimeve dhe gënjeshtrave. 

Jam i vetëdijshëm që shumë banorë mund të jenë të shqetësuar nga keqinformimet që janë përhapur lidhur me këtë projekt, ndaj si përfaqësues i juaj, dua t’iu siguroj se s’ka asnjë gjë për t’u shqetësuar këtu do të prodhohen automjete dhe uniforma dhe jo bomba e eksploziv. Shkoza s’ka asnjë arsye për t'u shqetësuar por çdo arsye për të mirëpritur këtë projekt që do të zbatohet sipas standarteve më të larta të sigurisë teknike dhe mbrojtjes së mjedisit.”, tha Hoxha. 
 

 

Xh.D/SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni kontratën 6 mln dollarë të PD për lobim në SHBA?