Politikë

Primaret/ Elezi: Sherrnajë brenda PD, me listat e Mulit dhe Albanës! Bardhi manipulues dhe servil i diskredituar! Bala: Si Kënga Magjike, fituesin e zgjedh kryetari

18 Shkurt, 18:41| Përditesimi: 18 Shkurt, 18:58

  • Share

Primaret në partinë Demokratike po bëhen shkak për tërheqjen e shumë figurave brenda tyre, (rasti i deputetit Helidon Bushati në Shkodër), por edhe për pakënaqësi të strukturave dhe pretendentëve për kandidatë në listat e zgjedhjeve parlamentare të 11 Majit.

I ftuar në “Studio Live” të gazetarit Arbër Hitaj, ish-kreu i PD-së së Kukësit, Ibsen Elezi, tha për Report Tv se kjo është një “sherrnajë brenda strukturave”, duke shtuar se aty pranohet hapur edhe vjedhja e votës dhe nuk ka debat.

Ai e sheh procesin një dështim dhe se në fund do vendosen ata që do Sali Berisha, kurse Bardhi si manipulator i këtyre proceseve, bashkë me të tjerët, do i servilosen për të qenë në listë. Kurse gazetari Anri Bala e krahasoi me festivalin “Kënga Magjike”, ku në fund fituesit i zgjedh drejtuesi.

“Zoti Gazment Bardhi e kupton se nuk mund të ketë sukses me primaret në PD. Sado t’i thotë Berisha elektoratit të tij votoheni, ata do kujtojnë deklaratat dhe akuzat e Bardhit si manipulator apo ndaj Berishës. Bardhi është figurë e diskredituar në opinionin publik dhe te demokratët, që një manipulator të marrë shumicën, kjo kthehet në absurditet. Helidon Bushati e ka kuptuar se këto Primare nuk janë ato që duhet të jenë. Primaret janë garë e ndershme dhe debat thelbësor demokratik dhe duke mos u zbatuar këto kritere kthehen në sherrnajë, ku ai që nuk fiton apo nuk është dakord, i shtrëngon dorën tjetrit. Të ketë proces gare, me debat, pikpamjesh, qëndrimesh politike, me lista të sakta. Jo lista siç i jep Muli dhe Albana dhe sa duan ata, plotësojnë 300 apo 400 formularë dhe deformojnë rezultatin dhe këto nuk janë primare të ndershme, sepse efekti i tyre del në të kundërtën. Ndaj edhe Bardhi e thotë se të fut në sherrnajë. Sepse PD nuk funksionon në mënyrë institucionale, ku nuk numërohen votat. Unë nuk e di se një pjesë e mirë e eksponentëve në PD e kanë kërkuar dikur me Lulin dhe tani janë dakord me atë që Berisha bën. Këta urrejnë votën, debatin dhe të ballafaqohen me të vërtetën. Këta s’mund të sjellin progres as në PD dhe as në shoqërinë shqiptare”, dha mendimin e tij Elezi për procesin.

Më tej ai kujton se në PD e pranojnë hapur edhe vjedhjen, sepse atje nuk njihet procesi i votës. Madje ai me ironi bëri edhe një krahasim, duke u shprehur se “është njëlloj sikur t’i thuash hajdutit na merr çelësat dhe më ruaj magazinën!”.

“Këta kanë futur duart në vjedhje. Albana Vokshi e ka deklaruar, edhe Paloka e tha se u vodhën votat. E imagjinon kur tjetri thotë i vodhëm, kjo është për të vënë duart në kokë. Këta e pranojnë edhe vetë. Vodha, vodha, vodha, e ku çon kjo tani? Berishës i servilosen për një mandat deputeti. Nuk e bëjnë dot atë proces. Kjo është t’i thuash hajdutit ‘na çelësat për të ruajtur magazinën'. Bushati është i ri vetë, nuk besoj se ikën për këtë. Të dy subjektet politike po japin imazhin e keq në public, e për fat të keq nuk ka një pol të tretë, siç bëri Albin Kurti dikur”, tha Elezi.

Në lidhje me partitë e reja ai u shpreh pesimist, pasi nuk ka pol të tretë dhe as bashkim, kurse për votën e Diasporës, nëse ajo do jetë masive, do të thotë se është kundër sistemit dypolar politik. Ndërsa vetë shprehet se pasi është djegur dy herë me grupimet e mëparshme, nuk do e bënte gabimin e tretë, duke kujtuar dështimin e Bashës në të bërit opozitë.

“Unë shoh se partitë e reja nuk janë gati të bashkohen, nuk i shoh gati. Nuk i shoh as të dalin me propozim për Bashkim. Tjetra është ose këta kanë halle, janë kapur, janë të shantazhueshëm dhe ndaj nuk bashkohen. Nuk e kuptoj dot, edhe nga bisedat që kam pasur u kam thënë të bëhen bashkë duke vendosur disa kritere. Unë mendoj se nuk do jem në asnjë koalicion ku janë Rama, Berisha, Meta dhe Basha, se janë pjesë e një estabilishmenti, të lidhur, pavarësisht si duken e si sillen. Por nuk mund t’i besohet Lulzim Bashës që në tetë vjet tregoi se si mund të shkatërrohet opozita. Njërin e thërret Zeni, njërin Argita apo njërin Meta dhe përfundon grupim me dy tre vetë. Nëse rritet vota e Diasporës, do të jetë votë kundër estabilishmentit politik dhe sistemit. Po qe numër i vogël, janë të partive të mëdha”, përfundon ai.

Kurse gazetari Anri Bala mendon se PD është shumë vonë, madje Primaret mund ta dëmtojnë edhe për zgjedhjet, pasi nuk ka kohë. Teksa i krahasoi edhe me “Këngën Magjike”, ku fituesin e zgjedh drejtuesi.

“Unë mendoj se ata janë vonë. Hajde votoni, të vënë kutinë, ashtu mund ta bëjnë. Por me debat dhe diskutime besoj se jo. Bushati nuk kandidon, besoj se i lë vendin të rinjve. Primaret e PD më duken si votimet te Kënga Magjike, ku në fund fare e vendos kryetari se kush e fiton. Këto janë inskenime false si nga PD, ashtu edhe nga PS. Besoj se do ketë pakënaqësi mes tyre, pse e mori ai dhe jo unë, se mendje për zgjedhje nuk do kenë më. Këta humbësit kronikë vazhdojnë të sigurojnë mandatin e anëtarëve të partisë edhe për zgjedhjet për 2025, nuk ekziston as logjika e PD-së, kjo nuk funksionon. Tani po thonë se do fitojmë në se ka ardhur Trump në SHBA. Primaret e PD mendoj se nuk janë të shëndetshme dhe vetëm krijojnë probleme edhe për zgjedhjet”, tha Bala.

Ai kujtoi edhe faktin se si shpenzohen paratë që jep KQZ për zgjedhje, duke sjellë në vëmendje “Range Rover” të PD që e përdor Flamur Noka aktualisht. Ndërsa për votën e Diasporës, ai thekson se është e paparashikueshme.

“Paratë e zgjedhjeve shkojnë për rehatin e kryetarëve, si rasti i “Range Roverit” të PD, 200 mijë euro, që del e shëtit Flamur Noka, deri edhe në protesta. Mjeti u ble me lekët e KQZ, iu dhanë për fushatë, PD e Lulzim Bashës bleu makinën për të bërë fushatën. Për votën e Diasporës nuk mund të parashikojmë dot”, përfundon gazetari për Report Tv.

A.Q/I.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A mendoni se vota e Diasporës do jetë përcaktuese më 11 maj?