Primaret në Partinë Demokratike duket se kanë shkaktuar jo vetëm paqartësi, por edhe reagime me tërheqje nga gara dhe më herët deri pakënaqësi nga deputetë dhe drejtues strukturash. Por pas vendimit të fundit për rregullat dhe garën në to, vjen një tjetër tërheqje.
Është deputeti i Partisë Demokratike për qarkun e Shkodrës, Helidon Bushati, i cili sot (18 shkurt) ka njoftuar tërheqjen nga gara për ligjvënës, për një mandat të ri në zgjedhjet e 11 majit.
Po sot ka njoftuar tërheqjen nga Primaret edhe anëtari i Kryesisë, njëkohësisht Sekretar për Emigracionin dhe Diasporën, Indrit Hoxha, duke u shprehur se "pas një reflektimi vendosi të mos garojë" dhe se "është koha për një angazhim të ri".
Kurse deputeti Bushati, përmes një njoftimi në faqen e tij në rrjetin social Facebook, thekson se ky nuk është thjeshtë një vendim personal, por është një akt përgjegjësie politike dhe morale.
Postimi i plotë i Bushatit:
“Të dashur miq, Partia Demokratike është përballë sfidave të mëdha. Kjo forcë politike ka arritur të kapërcejë momente të vështira që e vunë deri në provën e ekzistencës. Sot, demokratët janë të bashkuar dhe po përgatiten për zgjedhjet jetike për vendin, ato të 11 Majit. Përveç angazhimit, koha është edhe për reflektim. Së shpejti, Partia Demokratike do të hyjë në një proces të rëndësishëm, atë të primareve.
Personal, kam zgjedhur të mos marr pjesë në primaret dhe, si rrjedhojë, heq dorë nga aspirata për të qenë kandidat për deputet. Ky nuk është thjesht një vendim personal, por një akt përgjegjësie politike dhe morale. Megjithatë, ky vendim nuk do të thotë tërheqje nga rrugëtimi ynë i përbashkët. Përkundrazi, do të jem aty ku kam qenë gjithmonë, pranë Partisë Demokratike dhe demokratëve.
Koherent në bindjet e mia, i palëkundur në vlerat për të cilat kemi luftuar, dhe plotësisht i angazhuar për ringritjen dhe fitoren që synojmë të gjithë për Partinë Demokratike dhe liderin e saj, Sali Berisha. Jam i bindur, më shumë se kurrë, se MODERNIZIMI dhe PERBASHKIMI janë çelësi i fitores. Ja kemi borxh fëmijëve tanë, ja kemi borxh historisë! Së bashku drejt fitores!”.
Postimi i deputetit demokrat, Helidon Bushati
Indrit Hoxha, anëtar i kryesisë së PD dhe Sekretar për Diasporën
Primaret e PD-së duket se kanë shkaktuar kaos brenda strukturave dhe largime të shumta, përveç pakënaqësive.
Një tjetër demokrat e ka lënë garën e Primarëve për kandidatët për deputetë, që do të nisë më 1 mars. Pas deputetit të Shkodrës, Helidon Bushati, edhe anëtari i kryesisë së PD dhe Sekretar i PD për Emigracionin dhe Diasporën, Indrit Hoxha, ka njoftuar se për shkak të një angazhimi të ri, do të tërhiqet nga gara.
Në një postim në rrjetin social Facebook, Hoxha shkruan se mbështet çdo përpjekje që çon PD drejt fitores.
Postimi i Indrit Hoxhës në Facebook:
“Të nderuar anëtarë, mbështetës dhe demokratë të palëkundur,
Pas një reflektimi të thellë dhe me përgjegjësinë më të madhe ndaj jush dhe ndaj misionit tonë të përbashkët, kam vendosur që të mos jem pjesë e garës në primaret për kandidatët për deputet. Ky nuk është një tërheqje, por një angazhim i ri për të forcuar Partinë Demokratike dhe për të mbështetur çdo përpjekje që na çon drejt fitores.
Sot, më shumë se kurrë, Shqipëria ka nevojë për një ndryshim të vërtetë. Pas viteve të një keqqeverisjeje të lodhshme dhe të korruptuar, është koha për një rotacion politik që do t’u rikthejë shqiptarëve shpresën dhe besimin tek institucionet. Ky ndryshim nuk do të vijë vetë – ai kërkon sakrificë, përkushtim dhe angazhim nga çdo demokrat dhe çdo qytetar që e do këtë vend.
Nuk ka më vend për qëndrime pasive. Është detyra jonë që me vullnet dhe vendosmëri të bëjmë gjithçka që është e nevojshme për të sjellë ndryshimin. Çdo përpjekje, çdo angazhim, çdo sakrificë është një hap drejt një Shqipërie të lirë nga korrupsioni dhe padrejtësitë.
Unë mbetem i përkushtuar, krah jush, në këtë rrugëtim. Ftoj çdo demokrat të ngrihet, të angazhohet dhe të japë kontributin e tij për triumfin e Partisë Demokratike dhe për një të ardhme më të ndritur për vendin tonë.
Koha për ndryshim është tani. Rotacioni politik nuk është thjesht një mundësi – është një domosdoshmëri për Shqipërinë. Përpara për fitoren e Partisë Demokratike! Përpara për të ardhmen e Shqipërisë!”.
Postimi i Indrit Hoxhës në Facebook
Komente
