Afrovita Dhimojani, kryetarja e degës së Himarës, e dorëhequr

Politikë

Primaret/ Dorëhiqet kryetarja e degës së Himarës: Sipas udhëzimit të partisë, mora vendimin të konkurroj! Kjo, e vetmja rrugë

24 Janar, 15:14| Përditesimi: 24 Janar, 16:17

  • Share

Primaret brenda partisë më të madhe opozitare po thellojnë edhe më shumë pakënaqësitë dhe kaosin në PD, në prag të zgjedhjeve parlamentare të 11 Majit, përveç çështjes së listave të mbyllura.

Dorëhiqet kryetarja e Degës së Partisë Demokratike në Himarë. Afrovita Dhimojani ka njoftuar largimin e saj. Konfirmimin e ka bërë vetë me një postim të gjatë në profilin në rrjetin Facebook ditën e sotme (24 Janar). Shkak i dorëheqjes sipas sqarimit që bën, është kandidimi në primare, çështje që ka ndezur jo pak pakënaqësitë brenda PD-së prej ditësh dhe madje është bërë një nga debatet më të forta.

“Sipas udhëzimit të Partisë Demokratike, dua t’ju informoj se kam marrë vendimin të konkurroj në Primare, duke dhënë dorëheqjen nga Kryetare e Degës Himarë”, shkruan ajo ndër të tjera. Ajo shton se ‘gara është e vetmja rrugë të dëgjohet gjithësecili për të votëbesuar përfaqësuesin e tij’.

Kjo dorëheqje vjen pas asaj të kryetares së degës së PD në Sarande.

Postimi i Afrovita Dhimojanit:

Të dashur bashkëqytetarë Himariot/e!

Në 11 Maj votohet për ndryshimin e domosdoshëm që i nevojitet vendit, por votohet edhe për Himarën, që të ketë përfaqësuesin e saj në Parlamentin e Shqipërisë!

Si drejtuese e Degës Himarë prej tre vitesh, kam qenë përballë me pushtetin, me armën e vetme fjalën, mbrojtjen e Himarës, votën dhe besimin në zot. Këtë nuk mund ta kisha bërë pa mbështetjen e anëtarëve të Partisë Demokratike, aleatëve dhe qytetarëve.

Partia Demokratike kandidatët e saj, do t’i përzgjedhë me procesin e Primareve, me parimin “një anëtar një votë”. Ky ka qenë angazhimi i Kryetarit të Partisë Demokratike, Prof. Dr.Sali Berisha, i sanksionuar me statut.

Një angazhim që hap garën dhe meritokracinë, një angazhim që më dha besim mua dhe shumë demokratëve të zhgënjyer për t’u bërë pjesë e garave brenda strukturave.

Miqtë e mi!

Sipas udhëzimit të Partisë Demokratike, dua t’ju informoj se kam marrë vendimin të konkurroj në Primare, duke dhënë dorëheqjen nga Kryetare e Degës Himarë. Duke qenë mirënjohëse çdo anëtari dhe simpatizanti që më besuan me votë, përsëri sot po ju drejtohem si Himariote dhe kërkoj mbështetjen tuaj, për kandidaturën time për Deputet në Parlamentin e Shqipërisë.

Ka ardhur koha që Himara të përfaqësohet nga vetë Himariotët në sallën e Parlamentit. Unë besoj fortë që do jem një zë që nuk do ndalet, as do trembet, as do shantazhohet për të mbrojtur interesin Himariotëve siç e kam bërë dhe do vijoj ta bëj.

Që sot e në vijim do të kërkoj mbështetjen me votë çdo anëtari dhe simpatizanti të degës Himarë!

Gara është e vetmja rrugë të dëgjohet gjithësecili për të votëbesuar përfaqësuesin e tij. Me besimin tek ju dhe tek vetja, ne përsëri do ia dalim. Himara e meriton të përfaqësohet nga Himariotët!"

Postimi i Afrovita Dhimojanit në Facebook

A.Q/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Sa i drejtë do të jetë procesi i primareve në PD?