Sociale
Shëndeti

Prishet akseleratori linear te Spitali Onkologjik në QSUT, pacientët me tumor nuk mund të bëjnë radioterapinë

28 Qershor, 11:26| Përditesimi: 28 Qershor, 22:12

  • Share

Burime nga spitali Onkologjik, thonë për Report Tv se pajisja e rrezatimit, Akseleratori Linear 2, ndodhet jashtë funksioni prej disa ditësh. 

Report Tv kërkoi edhe një reagim zyrtar nga Ministria e Shëndetësisë, se çfarë ka ndodhur me këtë pajisje, dhe kur pritet të vihet në funksion, por përgjigjja mungoi derisa u pasua me një deklaratë publike nga QSUT, ku thuhet se akseleratori ka pësuar defekt teknik të premten pasdite më 27 qershor. “Inxhinierët e klinikës ndërhynë menjëherë dhe pajisja do të rikthehet në funksion brenda ditës së henë”, thotë QSUT. 

Në reagim, QSUT thotë se ndërprerje të përkohshme, por pa treguar konkretisht se sa, ka pasur edhe pajisja e brakiterapia, e cila rifilloi punën në më 23 qershor.

Kjo nuk është hera e parë që pacientët me sëmundje tumorale ndërpresin radioterapinë për shkak të probleme me akseleratorin linear. Në një rast të mëparshëm, terapia nuk bëhej pasi dera e dhomës bunker ku ndodhet aparatura e akseleratorit kishte mbetur e hapur, dhe u desh denoncimi i pacientëve përmes Report Tv, që të ndërhyhet për riparimin e saj. 

Në spitalin Onkologjik ka 2 akseleratorë, aparaturë e teknologjisë së fundit për trajtimin e tumorit, dhe vetëm një pajisje në punë nuk mund të mbajë peshën e të gjithë të sëmurëve me tumor nga gjithë Shqipëria.

Një hetim i prokurorisë së Tiranës verën e vitit 2024, zbuloi se prej vitesh në Spitalin Onkologjik pacientët nuk i janë nënshtruar proceseve terapeutike me braktiterapi, pasi pajisja nuk u vu në punë edhe pse lënda radioaktive e kobaltit u soll në spital në një procedurë të dyshimtë. Hetuesit dyshojnë se të sëmurëve s’u jepej kura e plotë për t’i detyruar të shkojnë në privat në klinikat e vetë mjekëve ndërsa ilaçet dilnin jashtë spitalit e shiteshin nëpër farmaci.

Ora 13:06
Akseleratori te Onkologjiku i prishur, QSUT e pranon: Rikthehet në funksion brenda së hënës! Edhe brakiterapia pati probleme

QSUT ka reaguar pas lajmit të Report Tv që mësoi se një prej akselatorëve në Spitalin Onkologjik ishte prishur. Në një reagim për mediat, QSUT e pranon se një prej akseleratorëve linear është prishur që prej pasdites të se premtes dhe thotë se do e kthejnë në funksion brenda së hënës.

Ndërkohë, njofton se edhe pajisja e brakiterapisë ka pasur një ndërprerje të përkohshme për shkak të një sinjali automatik të sistemit që kërkonte mirëmbajtje rutinë.Për këtë paisje, QSUT thotë se “pas verifikimeve dhe kalibrimeve nga fizikanët mjekësorë, në përputhje me standardet ndërkombëtare të sigurisë, trajtimet rifilluan normalisht në datën 23 qershor 2025.”

Njoftimi i plotë i QSUT

Në lidhje me funksionimin e pajisjeve të radioterapisë në QSUT

Sqarojmë opinionin publik lidhur me disa lajme të pavërteta dhe dizinformuese të publikuara në rrjetet sociale dhe disa media, që lidhen me funksionimin e Njësisë së Radioterapisë në QSUT.

Pajisja e brakiterapisë ka pasur një ndërprerje të përkohshme për shkak të një sinjali automatik të sistemit që kërkonte mirëmbajtje rutinë. Menjëherë u njoftuan Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA) dhe kompania prodhuese, dhe me mbështetjen e Drejtorisë së Pajisjeve Biomjekësore, u kryen të gjitha kontrollet e nevojshme. Pas verifikimeve dhe kalibrimeve nga fizikanët mjekësorë, në përputhje me standardet ndërkombëtare të sigurisë, trajtimet rifilluan normalisht në datën 23 qershor 2025.

Sa i përket akseleratorëve linearë, QSUT ka në dispozicion dy pajisje funksionale. Një nga këto pajisje u ndal përkohësisht pas një defekti teknik të shfaqur të premten pasdite datë 27.06.2025. Inxhinierët e klinikës ndërhynë menjëherë dhe pajisja do të rikthehet në funksion brenda ditës së hënë.

Fatkeqësisht, gjatë këtyre ditëve janë përhapur informacione të pasakta, jashtë çdo konteksti profesional, duke krijuar panik te pacientët dhe presion të padrejtë ndaj stafit mjekësor dhe teknik, i cili ka qenë i angazhuar pa ndërprerje për të garantuar siguri dhe cilësi në shërbim.

Radioterapia është një fushë e rregulluar me standarde të rrepta ndërkombëtare dhe çdo veprim i stafit shëndetësor është i koordinuar me autoritetet kompetente dhe me protokollet e sigurisë bërthamore.

Ftojmë të gjitha mediat të tregojnë kujdes dhe përgjegjësi në trajtimin e temave kaq të ndjeshme për pacientët dhe familjet e tyre, duke u bazuar vetëm në burime zyrtare dhe të verifikuara.

SI.E./S.B/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Iris: 29/06/2025 03:38

    Thjesht per kuriozitet po si blihen keto aparatura nga spitalet shqiptare?Nuk po diskutojme qe mund te prishen qellimisht nga mjeket,por ne nje kohe kur dhe nje aparature e zakonshme guzhine,e kam fjalen per me te thjeshtat,kur dhe nje rrahese vezesh vjen me garanci kohore nga fabrika qe te siguron qe mund t'a kthesh e mund t'a riparosh ne rast difekti tek prodhuesi,atehere a nuk vine me garanci fabrike dhe keto aparatura spitalesh,apo i blene ne clerance,apo te perdorura dhe i paraqesin si te reja?!

    Përgjigju
  • Turi: 28/06/2025 19:00

    Besoje se i prishin vete qe te vene te privati dhe i ndajne leket.

    Përgjigju
  • ylli: 28/06/2025 17:52

    HAJDE SHTET HAJDE..NGRIHUNI MORE.MERRINI ME GURE KUDO QE I SHIHNI...SE PO NA VRASIN DITEN PER DIELL...

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Nis gjyqi për aferën Partizani, a besoni se do ketë drejtësi?