Sociale
Shëndeti

Akseleratori te Onkologjiku i prishur, QSUT e pranon: Rikthehet në funksion brenda së hënës! Edhe brakiterapia pati probleme

28 Qershor, 13:06| Përditesimi: 28 Qershor, 16:02

  • Share

QSUT ka reaguar pas lajmit të Report Tv që mësoi se një prej akselatorëve në Spitalin Onkologjik ishte prishur. Në një reagim për mediat, QSUT e pranon se një prej akseleratorëve linear është prishur që prej pasdites të se premtes dhe thotë se do e kthejnë në funksion brenda së hënës.

Ndërkohë, njofton se edhe pajisja e brakiterapisë ka pasur një ndërprerje të përkohshme për shkak të një sinjali automatik të sistemit që kërkonte mirëmbajtje rutinë.Për këtë paisje, QSUT thotë se “pas verifikimeve dhe kalibrimeve nga fizikanët mjekësorë, në përputhje me standardet ndërkombëtare të sigurisë, trajtimet rifilluan normalisht në datën 23 qershor 2025.”

Njoftimi i plotë i QSUT

Në lidhje me funksionimin e pajisjeve të radioterapisë në QSUT

Sqarojmë opinionin publik lidhur me disa lajme të pavërteta dhe dizinformuese të publikuara në rrjetet sociale dhe disa media, që lidhen me funksionimin e Njësisë së Radioterapisë në QSUT.

Pajisja e brakiterapisë ka pasur një ndërprerje të përkohshme për shkak të një sinjali automatik të sistemit që kërkonte mirëmbajtje rutinë. Menjëherë u njoftuan Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA) dhe kompania prodhuese, dhe me mbështetjen e Drejtorisë së Pajisjeve Biomjekësore, u kryen të gjitha kontrollet e nevojshme. Pas verifikimeve dhe kalibrimeve nga fizikanët mjekësorë, në përputhje me standardet ndërkombëtare të sigurisë, trajtimet rifilluan normalisht në datën 23 qershor 2025.

Sa i përket akseleratorëve linearë, QSUT ka në dispozicion dy pajisje funksionale. Një nga këto pajisje u ndal përkohësisht pas një defekti teknik të shfaqur të premten pasdite datë 27.06.2025. Inxhinierët e klinikës ndërhynë menjëherë dhe pajisja do të rikthehet në funksion brenda ditës së hënë.

Fatkeqësisht, gjatë këtyre ditëve janë përhapur informacione të pasakta, jashtë çdo konteksti profesional, duke krijuar panik te pacientët dhe presion të padrejtë ndaj stafit mjekësor dhe teknik, i cili ka qenë i angazhuar pa ndërprerje për të garantuar siguri dhe cilësi në shërbim.

Radioterapia është një fushë e rregulluar me standarde të rrepta ndërkombëtare dhe çdo veprim i stafit shëndetësor është i koordinuar me autoritetet kompetente dhe me protokollet e sigurisë bërthamore.

Ftojmë të gjitha mediat të tregojnë kujdes dhe përgjegjësi në trajtimin e temave kaq të ndjeshme për pacientët dhe familjet e tyre, duke u bazuar vetëm në burime zyrtare dhe të verifikuara.


Lajmi kryesor:

Prishet akseleratori linear te Spitali Onkologjik në QSUT, pacientët me tumor nuk mund të bëjnë radioterapinë


SI.E./ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Nis gjyqi për aferën Partizani, a besoni se do ketë drejtësi?