Ksamil- Pronari i një lokali në Ksamil do të hetohet në gjendje të lirë pasi prishi qetësinë publike duke vënë muzikë mbi normat e lejuara.
Gjatë kontrolleve të kryera nga policia rezultoi se 33-vjeçari kishte punësuar në subjektin e tij, disa punonjës, pa i deklaruar në organet përkatëse, si dhe nuk lëshonte fatura tatimore.
Në njoftimin zyrtar për mediat theksojnë se të gjithë duhet të respektojnë nivelin dhe orarin e lejuar për muzikën që gjenerojnë nga aktivitetet në subjektet e tyre.
Njoftimi i policisë:
Në kuadër të masave të shtuara për ruajtjen e qetësisë publike dhe për mbrojtjen nga ndotja akustike në zonat turistike, strukturat e DVP Vlorë kanë intensifikuar në gjithë qarkun, monitorimet në subjektet që zhvillojnë veprimtari me muzikë të lartë.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë, gjatë kontrollit të ushtruar në një lokal, në Ksamil, konstatuan se niveli i muzikës i tejkalonte kufijtë e lejuar me ligj.
Ndaj këtij subjekti, me pronar shtetasin A. M., u vu masa administrative, bazuar në legjislacionin në fuqi.
Gjatë verifikimeve të mëtejshme rezultoi se ky shtetas kishte punësuar në subjektin e tij, disa punonjës, pa i regjistruar në organet kompetente, si dhe nuk lëshonte fatura tatimore.
Në vijim të veprimeve procedurale, specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin A. M., 33 vjeç, banues në Ksamil.
Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë i bën thirrje të gjithë personave fizikë dhe juridikë që të respektojnë nivelin dhe orarin e lejuar për muzikën që gjenerojnë nga aktivitetet në subjektet e tyre.
Të vendosur për një sezon turistik të qetë dhe të sigurtë!
Komente

Duhen ndryshuar rregullat e /ahengut/.Kush ka ambiente te mbyllura,duhet t'i kete soundproof cdo cm-mur,dritare,dere,tavan qe te marre licensen e biznesit e pas kesaj le te kete muzike 24 ore po te doje,pasi asgje nuk degjohet jashte,kurse orari i muzikes te zbatohet vetem per ata me ambiente te hapura e gjysem te hapura ne natyre,pasi muzika/zhurma eshte dicka qe nuk e eviton dot ne keto dy raste.Sa per ate qe u gjeten punonjes te padeklaruar,nuk e di nese eshte bere ne dakordesi mes paleve,por ka raste plot kur punonjesit nuk e dine nese jane te registruar apo jo.Shteti duhet te krijoje nje faqe ku te kontrollojne veten nese jane te regjistruar dhe nje faqe se si te veprojne nese nuk jane.
Përgjigju