Politikë

Pritet diaspora, kush janë deputetët e listës së hapur! Garë vetëm te socialistët, çojnë në Kuvend 37 me votë preferenciale, PD vetëm 7

15 Maj, 14:12| Përditesimi: 16 Maj, 20:57

  • Share

Mes 140 ligjvënësve në Kuvendin e ardhshëm të Shqipërisë do të jenë 45 ata që pritet të shkojnë përmes votës preferenciale, 37 nga PS, vetëm 7 nga PD dhe deputeti i zgjedhur i Nisma Shqipëria Bëhet që kanë deklaruar se do ta djegin listën e mbyllur. Kur ka mbetur për t’u numëruar thuajse vetëm vota e diasporës së Greqisë, emrat që po konfigurohen dhe gara mbetet e hapur vetëm në pak qarqe.

Qarkun e Fierit diferenca mes PS dhe PD-ASHM është e jashtëzakonshme. Me socialistët që marrin 12 mandate dhe opozitarët vetëm 4. Opozita edhe këtu nuk e plotëson listën e mbyllur, mbetet jashtë i pesti, kështu që nuk mund të flitet për garë në listë të hapur. Në Partisë Socialiste nga ana tjetër 7 të fituarit në listë të hapur janë drejt përcaktimit. Ish drejtori i Tatimeve Ceno Klosi është bindshëm i pari, i ndjekur nga Klevis Jahaj dhe Asloral Haxhiu, Antoneta Dhima dhe Elton Korreshi, të pestë me mandat të sigurt. Në garë duken Zegjine Çaushi, Dhimitër Kruti dhe Maldrita Bardho, që luftojnë për 2 mandate, teksa pritet vota e diasporës së Greqisë. Ndërkohë që edhe Nisma Shqipëria Bëhet pretendon që t'ia marrë një mandat PS-së nëse do ketë pritshmëri nga diaspora, pasi ndodhet shumë pranë.


Fituesit e listës së PS në Fier 

Qarkun e Vlorës, Partia Socialiste ka marrë 5 mandate nga lista e mbyllur. Me mbi 10 mijë vota më I votuari nga socialistët është drejtuesi politik  Damian Gjiknuri, i ndjekur nga deputeti aktual Vullnet Sinaj dhe pas tij Ardit Bido që futet për herë të parë në Kuvend. Për të respektuar kuotën gjinore në Vlorë fiton një mandat deputeti Brunilda Mersini, e cila duket e parrezikuar pasi Briseida Çakërri është më shumë se 2000 vota pas. Gara e vetme në Vlorë mund të jetë me Vasil Llajo dhe Klevis Kaso për një mandat, por ky u fundit është më shumë se 200 vota mbrapa. Partisë Demokratike në Vlorë iu dogj i katërti në listën e sigurt në Vlorë kështu që nuk mund të flitet për garë mes kandidatëve në listë të hapur.


Fituesit e listës së PS në Vlorë

Edhe Elbasani është një tjetër qark ku koalicioni Partia Demokratike-Aleanca për Shqipërinë Madhështore nuk e ka marrë dot as listën e mbyllur, me të pestin që humbi mandatin. Kështu që gara për votë preferenciale bëhet vetëm në Partinë Socialiste. Nga 5 mandatet e PS në listë të hapur Sara Mila rezulton më e votuara edhe në të gjithë vendin, me rreth 19 mijë vota. Mandatet i kanë siguruar edhe Saimir Hasalla, Olsi Komiçi, Aulona Bylykbashi, Agron Gaxho dhe Shkëlqim Bullari. Votat e diasporës vështirë se ndryshojnë gjë.

Fituesit e listës së PS në Elbasan

Në Shkodër nuk ka asnjë histori në garën mes kandidatëve për votën preferenciale. I vetmi që fiton është Bardh Spahia i PD-ASHM, me një diferencë të madhe nga të tjerët. 4 deputetët e tjerë opozitarë janë nga lista e mbyllur, ashtu si edhe 4 ligjvënësit socialistë dhe 2 të tjerët të Partisë Socialdemokrate të Tom Doshit.


Fituesit e listës së PD në Shkodër

Edhe në Lezhë duket se nuk ka ethe në garën brenda partive politike. PD-ASHM e cila po e fiton 4-3 qarkun merr dy deputetë nga lista e hapur, me një diferencë të madh ish gjyqtarin sheik Gjin Gjoni dhe Kastriot Pirolin. Nga PS me votë preferenciale gara është e ngushtë mes Marjeta Nelit e cila kryeson dhe Admir Kadelit e Pranvera Skanës që ndjekin me pak vota diferencë. Nuk dihet sa ndikim do të ketë vota e diasporës.



Fituesit e listës së PD në Lezhë


Qarkun e Korçës, i cili po ndahet 6 me 4 për Partinë Socialiste, hyjnë gjithsej 4 deputetë nga lista e hapur. Nga lista e PD-ASHM duket se Fidel Kreka po shkon drejt mandatit, ndërsa te socialistët Ilir Pendavinji konfirmohet si ligjvënës, i ndjekur nga Bledi Çomo që po shkon drejt Kuvendit, ndërsa për shkak të kuotës gjinore Besa Spaho sposton Arian Jaupllarin dhe më shumë mundësi bëhet deputete, edhe pse ndiqet nga disa qindra vota nga deputetja aktuale Enslemvera Zake. Por Zake nga ana tjetër pretendon se ka vota në diasporën e Greqisë dhe mund t'ia marrë mandatin PD-së nëse ky projeksion i pretenduar si saj rezulton i vërtetë.



Fituesit e listës së PS në Korçë 

 

Qarkun e Durrësit, i cili u nda 8 me 6 në favor të PS, dërgohen në Kuvendin e Shqipërisë 4 deputetë nga vota preferenciale. Edhe për këta të 4 duket se nuk ka më garë. Nga Partia Socialiste Arkend Balla dhe Anio Dyrmishi kanë siguruar mandatin pasi kryesojnë bindshëm. Drejt mandatit është edhe Etleva Budini, e cila edhe pse kalohet nga 2 burra, futet për të garantuar kuotën gjinore. Ndërsa Partia Demokratike çon në parlament të vetmin deputet përmes votave preferenciale, ish prokurorin e lidhur me krimin, Arjan Ndoja.


Fituesit e listës së PS në Durrës
 

Në Dibër ku socialistët e kanë fituar bindshëm 3 me 2, futet vetëm një deputet me vota popullore. Ai është ish kryebashkiaku i Matit, Agron Malaj, me mbi 12 mijë vota. Edhe në Berat aleanca opozitare nuk fut asnjë deputet nga listat e hapura pas ka marrë vetëm 2 të sigurtit, ndërsa socialistët fusin 3 nga 5 gjithsej. Hysen Buzali dhe deputeti aktual Fadil Nasufi sigurojnë mandatin, ndërsa edhe këtu për kuotë gjinore futet Hatixhe Konomi, edhe pse ka dy kandidatë burra më me shumë vota.


Fituesit e listës së PS në Dibër 

Kukësi i përfunduar i ka të gjitha verdiktet e qarta. Tre mandatet ndahen 2-1 për aleancën e Partisë Demokratike, me mandatin e vetëm që merret nga lista e hapur Shkëlqim Shehun e PD, që ia mori për 400 vota deputetit të deritanishëm Isuf Çelaj.

Fituesit e listës së PD në Kukës

Gjithçka ka përfunduar edhe në Gjirokastër dhe vota e diasporës duket se nuk do të ketë ndikim. PD ka marrë vetëm mandatin e Tritan Shehut në listë të mbyllur, ndërsa socialistët për Mirela Kumbaros, fitojnë 2 mandate në listë të hapur. Të sigurt drejt Kuvendit shkojnë Tërmet Peçi dhe Pirro Dhima.

Fituesit e listës së PS në Gjirokastër 

K.T./A.Q/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Samiti europian, besoni se do forcojë rolin ndërkombëtar të Shqipërisë?