Në Qarkun e Tiranës, u duk që në fillim se për shpërndarjen e mandateve nuk do të kishte histori. Që prej hapjes së kutive të para, PS ‘u stacionua’ në 19 mandate. ‘Lufta’ e vetme ka qenë mes Partisë Demokratike-Aleanca për Shqipërinë Madhështore dhe Partisë Mundësia për një mandat deputeti, përballje e cila vazhdon kur duhen numëruar edhe shumë vota.
Ndërsa raportet e forcave në Tiranë mbetën të pandryshuara, vëmendja u spostua në luftën e brendshme për mandatet në listat e hapura. 7 për socialistët dhe vetëm një për koalicionin e PD-së.
Në kryeqytet, lista e hapur e PS ishte e mbushur me emra të njohur, deputetët të shumtë apo dhe ministra. Gara mes kandidatëve burra, u kristalizua që gjatë ditës së djeshme, me ministrat Gonxhe dhe Hoxha, si dhe dy senatorët Braçe dhe Xhafaj, që krijuan distancë. Në dyshim duket se mbetet vetëm emri i pestë, që mund të ndahet Xhemal Qefalisë dhe Ornaldo Rakipi, me këtë të fundit që është 42 vota më shumë.
Tani lufta është spostuar mes kandidateve gra. Anila Denaj, që prej kutive të para, ka ruajtur një avantazh të rëndësishëm dhe është në rrugën për ta siguruar mandatin e ligjvënëses. Ndërsa vendi i dytë i “rezervuar” për gratë është objektivi i arritshëm i shumë të tjerave.
Aktualisht në krye është Blerina Gjylameti, e ndjekur nga Olta Xhaçka, ish-ministre e Jashtme dhe e Mbrojtjes, por diferenca është vetëm me 24 vota aktualisht, ku po numërohen kutitë e fundit, pa diasporën e Greqisë, ndërsa pak më poshtë është ish-minisrja Etilda Gjonaj dhe kandidatja më e re socialiste, 20-vjeçarja Kejsi Elezi. Më shumë mundësi deputetja e shtatë e socialistëve për Tiranën do të vendoset mes këtyre emrave.
Përveç Xhaçkës, që rrezikon janë edhe shumë emra të tjerë që me shumë gjasa nuk do të jenë mes deputeteve të legjislaturës 2025-2029. Mes tyre ish ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj, kryetarja e komisionit parlamentar të politikës së jashtme, Mimi Kodheli, ish nënkryetarja e Kuvendit Ermonela Felaj apo kryetarja e Komisionit të Ligjeve Klotilda Bushka.
Nuk do të jenë të pakët dhe deputetët burra, që po ashtu në shtator nuk do të hyjnë në sallën e parlamentit të ri. Një nga emrat më me peshë është ai i sih kryeministrit Pandeli Majko, por po ashtu dhe Toni Gogut, Arben Pëllumbit, apo dhe Plarent Ndrecës, që hyri si zëvendësues.
Në Partinë Demokratike historia tashmë duket e shkruar. Për të vetmin mandat nga lista e hapur, lufta po bëhet mes Jorida Tabakut dhe Ilir Alimehmetit. Fillimisht të dy alternoheshin me numrin e votave që herë kalonte në favor të njërit dhe herë të tjetrit. Por që prej pasdites së djeshme, Tabaku, nisi një shkëputje të ngadaltë por konstante, duke e rritur ndjeshëm diferencën, me më shumë se 2400 vota, teksa priten edhe kutitë e fundit dhe diaspora e Greqisë. Nga PD emrat e mëdhenj që janë edhe humbës të mëdhenj janë Ilir Meta (i treti me mbi 7 mijë vota), Shpëtim Idrizi, dy aleatët e Berishës që të cilët janë shumë larg justifikimit të mandateve që kanë marrë në listë të mbyllur.
Gara e kandidatëve të PS në Qarkun Tiranë
12 NGA LISTA E MBYLLUR
Edi Rama
Ogerta Manastirliu
Elisa Spiropali
Lindita Nikolla
Taulant Balla
Adea Pirdeni
Albana Koçiu
Igli Hasani
Delina Ibrahimaj
Ilva Gjuzi
Iris Luarasi
Erion Malaj
7 NGA LISTA E HAPUR
Erion Braçe
Ervin Hoxha
Fatmir Xhafaj
Ornaldo Rakipi
Xhemal Qefalia
Anila Denaj
Blerina Gjylameti
12 NGA LISTA E MBYLLUR
Sali Berisha
Flamur Noka
Albana Vokshi
Belind Këlliçi
Tedi Blushi
Jozefina Topalli
Fatmir Mediu
Edi Paloka
Erisa Xhixho
Mesila Doda
Klevis Balliu
Besart Xhaferi
1 NGA LISTA E HAPUR
Jorida Tabaku
Komente
