Ndërsa kanë mbetur edhe pak ditë nga 11 Maji, PD ka paraqitur sërish një ankesë në KQZ lidhur me problematikat që janë hapur me votuesit në Greqi. PD, në ankesën e saj, thotë se ndonëse autoritetet garantuan publikisht se zarfet zgjedhore do t’u dorëzoheshin zgjedhësve në adresën e tyre, me njoftimin e bërë nga KQZ pak ditë më parë që të paraqiten vetë në pikat e kompanisë postare DHL, është krijuar konfuzion, si dhe janë ngritur shqetësime serioze për transparencën, standartin dhe ligjshmërinë e procesit.
“Ndryshimi i mënyrës së shpërndarjes së zarfeve bie ndesh me deklaratat dhe rregullat e mëparshme të KQZ-së. Sipas kuadrit ligjor, operatori postat ishte i detyruar të dorëzonte fizikisht çdo zarf tek votuesi, kundrejt nënshkrimit dhe paraqitjes së një dokumenti identifikimi. Madje u theksua publikisht se asnjë anëtar familjeje nuk mund të merrte zarfin në emër të një tjetri dhe do të bëheshin tre tentativa për t’u gjetur votuesi në adresë”, thuhet në ankesën e PD.
PD akuzon për ndërhyrje edhe Partinë Socialiste, duke u shprehur se zarfet jo vetëm që nuk u dorëzohen në dorë qytetarëve, por shpeshherë po përvetësohen në mënyrë të organizuar nga individë të caktuar që mund të paraqiten pranë pikave postare (qoftë zyrtare, qoftë nënpagesë si zyra bastesh, apo hyrje pallatesh), duke përdorur makina me qira me targa shqiptare për të shmangur gjurmët.
Sipas PD, këta persona, të dyshuar të lidhur me PS dhe strukturat e saj, mund të kenë grumbulluar zarfa me fletët e votimit.
PD thotë se mënyra e dorëzimit nga “zarfi vjen në shtëpi” në “shko e merre vetë” jo vetëm që rrit vështirësitë praktike për votuesit, por krijon dhe hapësirë për ndërhyrje, parregullsi dhe manipulime procesi.
“Për të gjitha sa më sipër, kërkojmë ndërhyrjen tuaj të menjëhereshme për kthimin e menjëhershëm në ligjshmëri të procesit të vpotimit dhe administrimit të votës në shtetin grek, duke garantuar rregullshmëri, siguri dhe besueshmëri për çdo votë të shqiptarëve atje”, thuhet në ankesë.
Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë
Komente
