Procesi i Primareve brenda Rithemelimi po nxjerr emra të rinj të kandidatëve potencial të cilët priten të përballen me njëri-tjetrin, në votime të brendshme të anëtarëve dhe simpatizantëve të PD-së së Berishës.
I pari që shpalli kandidaturën për Primaret në Korçë është mjeku Gjergji Gjata, një emër i përfolur në strukturat e PD-së në Korçë. Nëpërmjet një deklarate në faqen e tij zyrtare në facebook për shpalljen e kandidaturës, Gjata thotë:
“Te nderuar miq dhe dashamirës, Demokratë dhe demokrate!
Nisur nga kërkesa e vazhdueshme e shumë prej jush, por edhe ndjeshmërisë njerëzore dhe qytetare, për ti shërbyer njerëzve dhe qytetit në një dimension tjetër, kam vendosur të shpall kandidaturen time në primaret që zhvillohen nga koalicioni opozitar për kryetar Bashkie të qytetit tonë.
Është momenti që gjithsecili prej nesh të japë kontributin e tij në shërbim të vendit tonë, për të ndaluar regresin, largimin masiv të shqiptarëve shkaktuar nga keq-qeverisja si në nivel qëndror ashtu dhe atë lokal. Të gjithë së bashku ne duhet të kthejmë shpresën për qytetarët tanë. Ju faleminderit për mbështetjen!”
Emra të tjerë janë përmendur për kandidatë të mundshëm për primaret, ndër ta ai i Ledina Alollit Dekane e Fakultetit Ekonomik në Universitetin Fan S. Noli. Ndër të tjerë emra është dhe Irvin Bode. Një kandidaturë tjetër e propozuar nga baza është ajo e ish deputetes dhe anëtares së kryesisë së Partisë Demokratike Eleina Qirici, por sipas burimeve ajo nuk ka shprehur ambicie për të shpallur kandidaturën.
Ndërkohë që Korça e ka kandidatin e parë për këto primare, duket se në Pogradec ende nuk janë shpallur kandidaturat e mundshme. Emrat më të përendur nga strukturat janë disa, ndër ta Eduart Kapri i cili udhëhoqi Bashkinë Pogradec për katër vjet dhe konkurenti i cili vështirëson pozitat e kryetarit aktual të Pogradecit. Nga burime të brendshme në PD-në e Pogradecit ai është mbështetur dhe propozuar nga një pjesë e konsiderueshme e bazës, por duket se hetimi i filluar në 13 korrik 2021 nga SPAK, është një pengesë për primaret e kësaj kandidature, deri në përfundimin e hetimeve.
Nën kryetari i PD-së Pogradec Olger Muçllari, ka shprehur ambicien për të kandiduar në këto primare, gjithashtu ka marrë mbështetje dhe nga një pjesë e bazës. Duket se Primaret e PD-së po kthejnë në Pogradec Zini Tollozhinën, i cili ka mbajtur një sërë pozicionesh në kryeqytet prej vitesh. Një emër tjetër i propozuar nga baza është ai i Bajram Fezollarit, presidentit të Televizionit SOT7, një kandidaturë e cila është propozuar nga baza për të 3-tën herë. Në zgjedhjet e 2015, Fezollari ishte një prej emrave që kryesia e PD-së në Pogradec e porpozoi në qendër për kandidat të mundshëm për Bashkinë e Pogradecit, por duket se Eduart Kapri në atë kohë mori mbështetjen e Lulzim Bashës, përball Fezollarit.
Përsa i përket Devollit, emri më i lakuar nga baza mbetet ai i Deputetit aktual dhe ish Kryetarit të Bashkisë Bledion Nallbati. Duket se Nallbati ka mbështetjen më të madhe në bazë, por ende nuk dihen ambiciet e këtij të fundit. Nëse Nallbati do të kandidojë për primaret, ai duhet të lërë në mes mandatin e deputetit të fituar në vitin 2021.
Duket se gara mes demokratëve të rithemelimit do të jetë e ashpër në Qarkun e Korçës, kur dega e Korçës ende vuan përçarjen e cila u krijuar nga zgjedhjet e kryetarit dhe kryesisë së rithemelimit. Ndërsa në qytetet e tjera të qarkut duket se ende nuk ka pasur një aksion politik ku bashkë me të do të rigjeneroheshin figura të reja për primaret.
Lajmi kryesor:
Primaret te ‘Rithemelimi’, 2 ish policë për Bashkinë Kamëz! Përballë Asllan Dogjanit do të jetë Arjan Hoxha, i njohur për përfshirjen në vrasjen e Xhuvanit
G.MO//ReportTv.al