Agim Zeka

PROFIL/ Rënia dhe ringritja e një futbollisti! Kush është Agim Zeka, talenti 25-vjeçar që ndryshoi 14 skuadra dhe fitoi Kombëtaren me Partizanin

30 Gusht, 16:25| Përditesimi: 30 Gusht, 16:40

  • Share

Kombëtarja shqiptare e futbollit luan dy ndeshjet e para në Nations League. Më 7 shtator në orën 20:45 kuqezinjtë luajnë në Pragë kundër Ukrainës në udhëtim, teksa më 10 shtator në orën 20:45 presim Gjeorgjinë në "Air Albania".

Në lidhje me këto dy sfida, trajneri Sylvinho ka publikuar edhe listën me 24 emrat e ftuar për këto duele. Veç lënies jashtë të Muçit, Uzunit, Bares apo edhe Berishës, ra në sy ftesa për Agim Zekën, sulmuesin anësor që ka qenë pjesë e moshave U-21 dhe këtë verë la Erzenin për t'u bashkuar me "Demat e Kuq".

Emri i Agim Zekës nuk është i panjohur në Shqipëri, pasi në 2016, asokohe vetëm 17 vjeç, Skënderbeu e afroi në ekip nga moshat e Prishtinës. Vetëm pak muaj në ekipin e parë të korçarëve dhe Zeka në janarin e 2017 bëri hapin e madh në karrierë duke u larguar nga Korça për te LOSC Lille në Francë për shumën e 300 mijë eurove.

Një vit në Francë për mëngjarashin nuk ishin të duhurat, që pasoi me huazime te Varzim e Leixoes në Portugali dhe Fortuna Sittard në Holandë. Gushtin e 2020 Mouscron në Belgjikë e afroi falas duke e mbajtur për gjashtë muaj.

Sërish "jo" për Zekën që janarin e 2021 kaloi te Austria e Vienës, ku edhe aty qëndroi pak muaj. Verën e 2021 djaloshi u rikthye në Kosovë, këtë herë duke mbrojtur ngjyrat e Dritës së Gjilanit, teksa shumëkush pa një yll të shuar.

Drita, e më pas Prishtina dhe Drenica ishin ekipet ku Zeka bëri kthesë dhe rifitoi besimin në aftësitë e tij. Gushtin e 2023 Erzeni në Superligën shqiptare besoi te ai dhe Zeka nuk zhgënjeu, duke qenë ndër lojtarët më të mirë në ekip.

Rrëzimi i shijakasve nga elita bëri që Partizani t'i besonte një vend në ekip, me mëngjarashin që ka luajtur në dy ndeshjet e para të sezonit. E premtja e 30 gushtit 2024 do mbahet mend për të, pasi për herë të parë ai merr një ftesë nga Kombëtarja A e Shqipërisë, ftesë e shumë ëndërruar dhe e pritur.

Mesazhi i Sylvinhos ishte një një shkëndijë drite për Zekën, që në tetë vite ka parë të ndërrojë 14 skuadra dhe të mos gjejë veten, veçse në muajt e fundit. Ftesa e Kombëtares është kulmi për një futbollist, ndërsa për Zekën sapo ka nisur ringritja drejt majave të futbollit në vend.

Edhe pse me shumë dështime, djaloshi nga Prishtina sheh veten mes 24 emrave të Kombëtares dhe e majta e tij duket se do jetë e njëjtë me atë të Jasir Asanit, sulmuesit të krahut që ishte një risi muaj më parë në grumbullimin e Sylvinhos.

S.Dh/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Eri: 30/08/2024 19:39

    Nuk eshte lojtar i keq por duket pa karakter. Kam pershtypjen se i shet ndeshjet.

    Përgjigju
    • Rozher: 31/08/2024 12:53

      Me kombëtaren nuk shiten ndeshjet keto nuk jane fjale te mira per lojtarin

    • Rozher: 31/08/2024 12:52

      Me kombëtaren nuk shiten ndeshjen.dhe keto jane fjale jo te mira per 1 lojtar

  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?