Profil/I këndon flamurit e traditës, 25-vjeçarja e Ansamblit Malvina Likaj: Unë bija vlonjate që u rrita me dashurinë për polifoninë!

16 Janar, 15:48| Përditesimi: 16 Janar, 16:10

  • Share

Malvina Likaj u rrit me polifoninë.  Si bijë vlonjate, kjo është një nga këngët e zonës, që më së shumti pëlqente në fëmijëri. “Çpo vjen lumi turbullo” e dëgjonte nga i ati këngëtar, Golik Likaj, ndërsa provonte edhe ajo gjithë zell ta shoqëronte.

“Jam rritur duke dëgjuar këngët polifonike, duke qenë se babain e kam këngëtar të kësaj muzike. Kështu, që e vogël duke dëgjuar tim atë, duke qenë pjesë e koncerteve që ai merrte pjesë, më është kultivuar dashuria si për muzikën folklorike shqiptare, për polifoninë, por edhe zhanre të tjera muzikore”, shprehet solistja e Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore, Malvina Likaj.

E kemi parë rishtazi të shkëlqejë në një nga performancat e saj gjatë koncertit “Folk Fest” në skenën e madhe të Operas. I këndon flamurit me “Çpo qëndis moj Marigo”...

I ka kënduar përgjatë gjithë rrugëtimit të saj këngët polifonike nga Liceu Artistik “Naim Frashëri” në Vlorë, e më tej në Akademinë e Arteve ku nën drejtimin e Suzana Frashërit u diplomua për kanto. Prej dy vjetësh ajo është pjesë e Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore, ku është spikatur nga Sokol Marsi dhe Aranit Hoxha.

“Të qenit pjesë e Ansamblit, ka qenë një nga eksperiencat më të bukura për mua, pasi jam njohur me njerëz të mirë dhe profesionistë. Po ashtu kemi marrë pjesë në koncerte të ndryshme brenda dhe jashtë vendit duke përfaqësuar këngën dhe kostumet. Është një përgjegjsi shumë e madhe të interpretosh në skena të ndryshme duke përfaqësuar traditën e kombit tënd”, shprehet artistja.

Në koncertin e parë të Ansamblit për këtë vit “Jehona jonë”  25-vjeçarja si soliste këndon “Kaçurelat”. Do të jetë edhe pjesë e korit shoqërues në të tjera këngë. Emocione të veçanta i fal fakti se njësoj si babai i saj, figurë kyçe në orientimin e saj artistik, do të jetë në rolin e kthyeses tek “Mu thanë sytë mu thanë”.

“Babai ishte ai që më nxiti drejt kësaj rruge. Është kritiku dhe mbështetësi im më i mirë”, rrëfen Likaj.

Nga “The Voice” te “Kënga magjike” apo edhe Festivali i Fundvitit si pjesë e korit shoqërues, Likaj edhe me muzikën e lehtë ka provuar eksperienca të ndryshme. Projektet për të ardhmen i sheh të lidhura me të dyja rrymat

“Kam disa qëllime në fakt, njëri prej tyre është që dua të marë pjesë në Festivalin e Radio Televizionit Shqiptar. Dhe disa projekte të miat që dua ti lançoj që edhe publiku të njihet më tepër me Malvlinën edhe jashtë kontekstit të Ansamblit”, thotë më tej.

“Jehona jonë” sjell përgjatë kësaj mbrëmje në skenën e Operas, këngë dhe valle të traditës nga të gjitha trevat shqiptare.

B.V//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Erik: 17/01/2024 08:09

    Te lumte goja dhe suksese!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?