Ofertat ekonomike të partive politike janë ambicioze në aspektin ekonomik. Të dy frontet konkurrojnë më shumë në sistemin fiskal e tatimor. Demokratët me taksën e sheshtë dhe socialistët me progresiven.
Në rast se e majta qëndron dhe një mandat në pushtet, paga minimale është premtuar 40 mijë lekë, ndërsa e djathta thotë 36 mijë lekë.
Socialistët pagën do vazhdojnë ta tatojnë me tre fasha. 0% tatim për pagat deri në 40 mijë lekë nga viti i ardhshëm, 13% tatim për pagat nga 40-250 mijë lekë dhe 23% për ata që marrin mbi 250 mijë lekë.
Oferta e demokratëve edhe pse thonë e sheshtë është me dy fasha. 0% tatim për pagat deri në 30 mijë lekë dhe 9% tatim për pagat mbi këtë nivel.
Nga ana tjetër një premtim i PD është edhe ulja e detyrimeve të sigurimeve shoqërore, nga 25% në 18%, por për ekspertët kjo është thuajse e parealizueshme për shkak se ulen të ardhurat nga taksa e sheshtë.
Sa i takon sektorëve ekonomik PD ende nuk ka dalë me mbështetje financiare, ndërsa PS ka premtuar 50 mln euro për fasonët, 50 milionë euro për bizneset inovative.
Ndërkohë për biznesin në tërësi, deri në vitin 2029 tatimi mbi fitimin do të jetë 0 për bizneset me xhiro deri në 14 milionë lekë, ndërsa me PD, do aplikohet taksa 0.5% për sipërmarrjet e vogla dhe sheshtë 9% për ato të mëdha.
Kryeministri ka premtuar edhe rritje pagash me 40% për mësuesit dhe bluzat e bardha ndërsa PD thotë 60% rritje pagash për arsimtarët dhe paga e infermiereve do të behet 700 Euro dhe e mjekëve do te behet 1200 Euro.
PAGA MINIMALE NË VEND
Aktualisht 30 mijë lekë
Premtimi i PS 40 mijë lekë
Premtimi i PD 36 mijë lekë
TATIMI MBI PAGAT / PROGRAMI PS
Pagat 0-40 mijë lekë tatim 0 %
Pagat mbi 40 mijë – 250 mijë lekë tatim 13%
Pagat mbi 250 mijë lekë tatim 23%
TATIMI MBI PAGAT / PROGRAMI PD
Pagat 0-30 mijë lekë tatim 0 %
Pagat mbi 30 mijë tatim 9%