Bardhi, Rama dhe Meta

Politikë

Programi i PS për ‘Shqipërinë 2030’/ PD: Rama ofroi të njëjtën ‘përrallë’ si herët e tjera! Meta: Vodhi premtimet tona elektorale! Basha: Ke investuar te 313-ta

29 Mars, 17:19| Përditesimi: 29 Mars, 20:40

  • Share

Ndërsa kryeministri Edi Rama rezantoi paraditen e kësaj të shtune programin qeverisës për atë që ai e quan ‘Shqipëria 2030’, opozita nxitoi të dilte e të thoshte se e ka kopjuar nga ata. I pari që reagoi ishte Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi, i cili tha se në fakt Rama prezantoi programin e tyre dhe se ai pranoi që është i realizueshëm.

“Pa dashur sot duke prezantuar programin e PD, Edi Rama ka pranuar se programi ynë është I REALIZUESHËM, ashtu siç PD ka premtuar që ditën e parë kur e ka prezantuar. Çdo premtim i yni bazohet në një analizë të kujdesshme, të kryer nga ekspertë vendas dhe ndërkombëtar.”, tha mes të tjerash Bardhi.

Edhe për Ilir Metën, presidentin e Partisë së Lirisë, i cili ndodhet prej 21 Tetorit të vitit të kaluar në qeli , kryeministri Rama ka kopjuar programin e opozitës. Duke e cilësuar si një ‘autointervistë’ prezantimin e kryeministrit, Meta tha se ai ka zgjedhur që të flasë me vetveten pasi nuk mund të zhvillojë konferenca apo debate me kundërshtarët politikë.

“I mbetur pa program, se i kanë shteruar të gjitha mashtrimet e mundshme elektorale prej 12 vitesh, tani Edi Rama ka nisur të vjedhë edhe premtimet elektorale të opozitës,  të cilat për muaj të tërë i quante të parealizueshme. I pamundur për të dalë në debate me kundërshtarët politikë. I pamundur të dalë në konferenca shtypi me gazetarët e pavarur, si detyrim ndaj qytetarëve që kërkojnë transparencë dhe llogaridhënie, Kryetari i Organizatës ka zgjedhur të flasë me vetveten përmes autointervistave të fabrikuara.”, tha Meta në një audio mesazh nga qelia.

Më vonë, në një deklaratë për mediat, PD tha përmes zëdhënëses Floriana Garo se Rama përsëriti veten duke thënë të njëjtën ‘përrallë’ si vitet e tjera.

“Pas 12 vitesh në pushtet, suksesi i të cilëve ishte shpopullimi masiv, me mbi 1 milion shqiptarë të larguar, kryeministri në ikje nuk bëri gjë tjetër veçse përsëriti veten në vitet 2013, 2015, 2017, 2019 dhe 2021. Ofroi të njëjtën përrallë të pesë herëve të tjera.Ai nuk bëri gjë tjetër veçse kopjoi kundërshtarin politik, Sali Berishën, duke ofruar 4 muaj pas tij, pensionin minimal 200 euro dhe rrogën minimale 500 euro. Ai nuk bëri gjë tjetër pra, veçse gënjeu për të pestën herë dhe kopjoi për të disatën herë.”, tha mes të tjerash zëdhënësja.

Ora 20:36
Basha ironizon programin e Ramës në takimin me shqiptarët në Londër: Ke premtuar Shqipërinë 2030, por investove tek Shqipëria 313

1743277102_WhatsAppImage20250329at20.22.44.jpeg

Drejtuesi Politik i Koalicionit Euroatlantik, Lulzim Basha, ka ironizuar programin e kryeministrit Edi Rama nga takimi me shqiptarët në Londër. Në videon që nis me thirrjet e të pranishmëve 7x7=313, Basha i çon mesazh Ramës duke thënë se premtoi Shqipërinë 2030, por ka investu tek 313-ta.

“O Rame, çfarë të të them, këta janë shqiptarët e Londrës. E nisën këta, pa e nisur unë. Ke premtuar Shqipërinë 2030, por ke investu tek Shqipëria 313, o Rame. Kështu që edhe këtu nga Londra, pyesin: ku i ke shokët Rame? 7x7=313” – shprehet Basha.

Ora 19:35
PD: Rama kopjoi programin tonë! E shpalli sot të linte në hije fronëzimin e Kryepeshkopit Joani

1743273553_WhatsAppImage20250329at16.20.45.jpeg

Partia Demokratike ka reaguar pas prezantimit të programit elektoral nga kryeministri Edi Rama, për të cilin tha se e ka vjedhur nga PD. Përmes zëdhënëses Floriana Garo, PD nënvizon se suksesi i qeverisë gjatë këtyre 12 viteve në pushtet është shpopullimi masiv, me mbi 1 milionë shqiptarë të larguar.

Po ashtu, PD thekson se Edi Rama mungoi sot në ceremoninë e fronëzimit të Fortlumturisë së tij Joanit, kryepeshkopit shqiptar të Kishës Ortodokse Autoqefale, dhe sipas tyre, kur prelati ortodoks po kurorëzohej, kryeministri hodhi në media programin e Partisë Socialiste.

Deklarata e plotë: 

Pas 12 vitesh në pushtet, suksesi i të cilëve ishte shpopullimi masiv, me mbi 1 milion shqiptarë të larguar, kryeministri në ikje nuk bëri gjë tjetër veçse përsëriti veten në vitet 2013, 2015, 2017, 2019 dhe 2021.

Ofroi të njëjtën përrallë të pesë herëve të tjera.

Ai nuk bëri gjë tjetër veçse kopjoi kundërshtarin politik, Sali Berishën, duke ofruar 4 muaj pas tij, pensionin minimal 200 euro dhe rrogën minimale 500 euro.

Ai nuk bëri gjë tjetër pra, veçse gënjeu për të pestën herë dhe kopjoi për të disatën herë.

Pensionistët duhet të pyesin kryeministrin në ikje: pse nuk e bëre pensionin minimal 200 euro për 12 vjet?!

Të keqpaguarit e Shqipërisë duhet ta pyesin Kryeministrin në ikje: pse nuk e bëre rrogën minimale 500 euro në 12 vjet?!

Shifrat që paraqiti sot Edi Rama janë të gënjeshtërta edhe për një arsye tjetër.

Në kohën e qeverisë së Partisë Demokratike euro këmbehej me 140 lekë, sot është 98 lekë.

Rënia e monedhës së BE nuk ka të bëjë me forcimin e lekut, por me futjen e narko-euros në ekonomi. Kjo ka dërrmuar eksportet dhe xhepat e shqiptarëve, sepse shumica e tyre, në mos paguhen, blejnë në euro.

Sot kryeministri në ikje shpalosi programin e megamashtrimeve, i futur në një fluskë elektronike.

Kush e pa sot, dhe kush voton më 11 maj, duhet të pyesë veten: nëse kryeministri në ikje ka bërë çfarë thotë, dhe do të bëjë çfarë gënjen, si ka mundësi që shqiptarët ikën dhe po ikin?

Çfarë i shpjegon 1 milion të ç’atdhesuar?!

Edi Rama mungoi sot në ceremoninë e fronëzimit të Fortlumturisë së tij Joanit, kryepeshkopit shqiptar të Kishës Ortodokse Autoqefale, dhe kur prelati ortodoks po kurorëzohej, ai hodhi në media programin e PS.

Televizionet e qeverisë, me urdhër të tij, ua hoqën fishën qindra mijëra ortodoksëve shqiptarë, por edhe vëllezërve të tyre nga fe të tjera, që të mund të dëshmonin këtë moment historik në jetën e kombit.

Në përcjelljen e Hirësisë së Tij, Janullatos, ai ishte, por me sa duket jo për të ndjerin, po për fotot me kryeministrin grek Micotaqis.

Ky është Edi Rama. Me 11 maj, refuzojeni!

Ora 15:52
Meta audio mesazh nga qelia: Rama ka nisur të vjedhë premtimet elektorale të opozitës! 11 Maji, dita e fitores së lirisë mbi tiraninë

Në një audio mesazh nga qelia, Ilir Meta ka reaguar për programin qeverisës që prezantoi kryeministri Edi Rama, duke thënë se ai ka nisur të vjedhë premtimet elektorale të opozitës, të cilat për muaj të tërë i quante të parealizueshme.

Ai kritikon qeverinë, duke thënë se pas 12 vitesh në pushtet, ka dështuar të mbajë premtimet që ka dhënë. Sipas presidentit të Partisë së Lirisë, kreu i qeverisë ka zgjedhur që të flasë me vetveten me autointervista të fabrikuara, pasi nuk mund të dalë të mbajë konferenca apo të mbajë debate me kundërshtarët politikë.

“Edi Rama, duke ju fshehur llogaridhënies, pas 12 vitesh, për të gjitha ato mundësi që i kishte në dorë, premton sot, çuditërisht, ato që si ka në dorë.”, thotë Meta.

Sipas tij, programi i opozitës është realisht dhe në interes të shumicës dërrmuese të shqiptarëve. Ai thotë gjithashtu se opozita është garantja e përshpejtimit të integrimit evropian sepse i ka dhënë provat për këtë.

Mesazhi i plotë:

Të dashur qytetarë,  të dashur miq!

Edhe 6 javë na ndajnë nga 11 Maji, dita e fitores së lirisë mbi tiraninë.

Dita e fitores të programit mbi pushtetin.

Dita e fitores të patriotëve ndaj mercenarëve.

Dita e fitores së Shqipërisë, që prodhon dhe eksporton dhe asaj që vetëm importon.

Pasi vodhi për 12 vjet taksat e shqiptarëve me inceneratorët që nuk ekzistojnë dhe me rrugët që më shpejt rrëzohen sesa inagurohen, si ajo e Ersekës dhe shumë të tjera.

I mbetur pa program, se i kanë shteruar të gjitha mashtrimet e mundshme elektorale prej 12 vitesh, tani Edi Rama ka nisur të vjedhë edhe premtimet elektorale të opozitës,  të cilat për muaj të tërë i quante të parealizueshme.

I pamundur për të dalë në debate me kundërshtarët politikë.

I pamundur të dalë në konferenca shtypi me gazetarët e pavarur, si detyrim ndaj qytetarëve që kërkojnë transparencë dhe llogaridhënie, Kryetari i Organizatës ka zgjedhur të flasë me vetveten përmes autointervistave të fabrikuara.

Dhe ai ka të drejtë që i fshihet debatit të vërtetë dhe llogaridhënies.

Ç'të thotë ai për zgjidhjen e plotë të ujit të pijshëm, që brenda mandatit të parë qeveritar, kur edhe sot, mbas 12 vjetësh në pushtet, shumica e kryeqytetit është pa ujë dhe për ujë të pijshëm as që bëhet më fjalë.

Po për legalizimet që do t’i zgjidhte që në mandatin e parë, ç'të thotë ai pas 12 vjetësh?

Po për shëndetësinë falas, e cila është 60% më e shtrenjtë për shqiptarët, ç'mund të thotë?

Apo për ilaçet që mungojnë tek Onkologjiku.

Po për arsimin që premtoi se që në mandatin e parë do e çonte buxhetin në 5% të GTP-së, ndërkohë që sot është në nivelin mjeran 2.3%, mbas 12 vitesh çfarë mund të thotë?

Po për fëmijët që vriten me thika në oborret e shkollave, në mes të Tiranës dhe askush nuk mban përgjegjësi, çfarë mund të thotë?

Vetëm për shkak të korrupsionit të tij dhe të Organizatës që drejton, Shqipëria ka, pas 12 vitesh, nivelin më skandaloz të mbledhjes së të ardhurave deri në 28% të PBB, ndërsa Bosnja, Mali i Zi, Serbia arrijnë të mbledhin nga 41 në 42.6% të PBB.

Kjo diferencë prej 14% me mesataren e vendeve të rajonit tonë është 3.3 miliard euro në vit ose 13.2 miliard euro në katër vite, pra në një mandat qeverisës, e cila grabitet prej  Edi Ramës dhe Organizatës të tij në tatime, dogana dhe kudo.

Me këto të ardhura, tejkalohen të gjitha premtimet e opozitës, por edhe ndryshon rrënjësisht situata sociale dhe ekonomike për të gjithë shqiptarët, 50% e të cilëve jetojnë sot në varfëri zyrtare.

Edi Rama, duke ju fshehur llogaridhënies, pas 12 vitesh, për të gjitha ato mundësi që i kishte në dorë, premton sot, çuditërisht, ato që si ka në dorë.

Kush ja ka fajin Edi Ramës që edhe fondet e Bashkimit Europian për bujqësinë, i çoi te inceneratori që nuk ekziston dhe klientët e tij që nuk merren fare me aktivitete bujqesore dhe blegtorale.

Kush i zeroi fondet europiane të IPARD-it për bujqësinë?

Vetëm korrupsioni i  Edi Ramës dhe i klientëve të tij.

Pse Shqipëria në këto 12 vite është vendi i fundit përfitues nga projekte të financuara nga Bashkimi Europian apo “Procesi i Berlinit”  me nivelin më të ulët të disbursimit dhe përfitimit .

Kush e mbylli Ministrinë e Integrimit Europian në vitin 2017, kur e mori edhe timonin edhe tepsinë i vetëm Edi Rama.

Të gjithë e dinë se e mbylli shakaxhiu i integrimit, Edi Rama.

Kush refuzoi thirrjen dhe përpjekjen serioze të Bundestagut Gjerman në Qershor 2019, që Shqipëria të mos bënte zgjedhje vendore pa opozitën, sepse do të humbiste shansin për Çeljen e Negociatave, njëkohësisht me Maqedoninë e Veriut që kishte arritur Marrëveshjen historike të Prespës.

Përsëri këtë refuzim e bëri shakaxhiu i integrimit, sepse për Edi Ramën, pushteti absolut dhe korrupsioni absolut është i vetmi prioritet, ndërsa integrimi është gjëja më e parëndësishme.

Sepse projekti i tij i vërtetë ishte dhe ende është "Ballkani i Hapur" që ka rrënuar fermerët dhe blegtorët shqiptarë.

Kush ja ka fajin Edi Ramës, që në 8 vite që ai drejton i vetëm, është përgjysmuar numri i gjedhëve dhe i të imtave dhe që prodhimi bujqësor është në pikiatë?

Kush ja ka fajin Edi Ramës që Shqipëria eksporton edhe pas 12 vitesh, që ai është në pushtet, vetëm 8% të PBB, kur Maqedonia e Veriut fqinje eksporton 57%?

Ndërkohë eksportet shqiptare vazhdojnë pikiatën e tyre të pandalshme për shkak të Narkoeuros, por edhe të klimës diskriminuese ndaj prodhuesve vendas dhe ndaj  investimeve prodhuese dhe eksportuese.

Ndaj shqiptarët jam i bindur do të votojnë për programin e opozitës që është tepër realist dhe në interes të shumicës dërrmuese të shqiptarëve.

Për programin e opozitës që synon fuqizimin e ekonomisë familjare, por edhe të ekonomisë kombëtare në mënyrë të qëndrueshme dhe afatgjatë.

Opozita është edhe garantja e përshpejtimit të integrimit europian, sepse ajo i ka dhënë të gjitha provat për këtë.

Po kështu,  Partia Demokratike është anëtare e Partive Popullore Europiane, të cilat drejtojnë Bashkimin Europian dhe tani do të marrin dhe drejtimin e Gjermanisë.

Opozita ka edhe ekspertët më të mirë për çështjet me Bashkimin Europian, një pjesë e të cilëve do të jenë edhe në Kuvendin e ardhshëm.

Ndaj të gjitha votat për numrin 1 në fletën e votimit.

PD - ASHM.

Unë çdo ditë, këtu, në kushte ekstreme izolimi,  përpiqem të shkruaj 50 deri në 100 letra, sepse kuptohet edhe këtu ikin dritat herë pas here, për bashkëpunëtorët,  për anëtarët e Partisë së Lirisë,  për shokët, për miqtë, për të afërmit.

Për t’u kujtuar të gjithëve se sa e rëndësishme është të mos humbasim asnjë sekondë kohë kot në këto 6 javë që kanë mbetur.

Ora 14:50
Prezantimi i programit nga Rama, Bardhi: Pranoi që plani i PD është i realizueshëm, duhet vetëm një qeveri e re

1743256255_gazbardhiedirama.jpg

Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi reagoi pas prezantimit të programit nga kryeministri Edi Rama.

Rama tha se qeveria e drejtuar prej tij, nëse fiton sërish në 11 maj, do të miratojë rritjen e pagës minimale në 500 euro. Por sipas Bardhit, Rama ka marrë programin e PD dhe e prezantoi si të vetin.

Reagimi i plotë i Gazment Bardhit:

Nuk është asfare e çuditshme që Edi Rama ka mbetur pa ide, pa alternativë, dhe pa vizion. Nuk është as e papritur që ka marrë alternativën dhe programin e PD dhe ka nisur ta prezantojë si të vetin. Pas 12 vitesh në pushtet, jo vetëm lodhesh, mbetesh pa ide, nuk të shërben dot as propaganda, por punët e shtetit të duken të parëndësishme!

 Pa dashur sot duke prezantuar programin e PD, Edi Rama ka pranuar se programi ynë është I REALIZUESHËM, ashtu siç PD ka premtuar që ditën e parë kur e ka prezantuar. Çdo premtim i yni bazohet në një analizë të kujdeshme, të kryer nga eksprtë vendas dhe ndërkombëtar.

 Por për tu realizuar, duhet të largohet Edi Rama dhe qeveria e tij e korruptuar në 11 Maj, që kishin mundësinë ta bënin për 12 vjet, por as nuk deshën dhe as nuk ditën. Një punë që nuk bëhet për 12 vjet, nuk ka asnjë shans pa ndryshim që të bëhet më nga i njëjti person që gënjeshtrën ka të vetmin mjet në politikë.

 Tashmë është koha për një Qeveri të re, një qeveri të PD dhe Aleancës për Shqipërinë Madhështore, që ka altenativën dhe idetë për të zhvilluar Shqipërinë. Gjithmonë zhvillimi nis nga ekonomia, nga mirëqenia e qytetarëve, nga përparimi dhe mbështetja e biznesit dhe fermerëve.

 Me PD pas 11 Majit:

Do të vendosim minimumin jetik 200 euro.

Do të rrisim pagën minimale në 500 euro.

Do të rrisim pagën mesatare në 1200 euro.

Do të dyfishojmë pensionet.

Voto nr. 1: Koalicionin “Partia Demokratike - Aleanca për Shqipërinë Madhështore”.

Xh.D/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Programi i PS, a ju duken të realizueshme objektivat ekonomikë?