Politikë

Programi i PS-së për mandatin e IV/ Më 8 maj hapet pista e aeroportit të Vlorës! Së shpejti nis puna për portin tregtar të Durrës, do jetë dhe porti i NATO-s

29 Mars, 14:08| Përditesimi: 29 Mars, 14:25

  • Share

1743246294_edirama.jpg

Qeveria ka prezantuar një sërë investimesh strategjike në infrastrukturën hekurudhore, portuale dhe ajrore, duke synuar modernizimin e transportit dhe fuqizimin e lidhjeve rajonale.

Projekte të rëndësishme janë në proces për të zgjeruar rrjetin hekurudhor të vendit. Ndër linjat kryesore që po zhvillohen janë Rrogozhinë-Pogradec, Rrogozhinë-Vlorë dhe Durrës-Prishtinë, ky i fundit në bashkëpunim me qeverinë e Kosovës.

Një tjetër projekt madhor është Vorë-Han i Hotit, tashmë i financuar dhe tenderuar me mbështetjen e Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH). Këto ndërhyrje e fusin Shqipërinë në rrjetin hekurudhor rajonal, duke e lidhur me Kosovën, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut.

Porti i Durrësit po shndërrohet në një qendër moderne tregtare për rajonin. Me një financim të siguruar nga qeveria shqiptare, ky projekt do të trefishojë kapacitetet ekzistuese dhe do të hapë dy Porte të Thata në Prishtinë dhe Shkup. Gjithashtu, pjesë e strategjisë është edhe ndërtimi i një porti ushtarak të NATO-s, i cili pritet të rrisë ndjeshëm sigurinë kombëtare dhe të konsolidojë rolin e Shqipërisë në Mesdhe.

Transporti ajror ka njohur një zgjerim të jashtëzakonshëm në dekadën e fundit. Aeroporti i Tiranës është kthyer në një nga më të rëndësishmit në rajon, duke kaluar Beogradin, ndërkohë, projekti i Aeroportit të Vlorës po përparon, me pistën e tij që pritet të bëhet funksionale më 8 maj, ndërsa terminali është ende në ndërtim. Me këto investime, Shqipëria synon të bëhet një nyjë kyçe transporti në rajon, duke modernizuar infrastrukturën dhe forcuar lidhjet me tregjet europiane.

"Por ne nuk do të lëmë pa bërë atë që është pjesa e shumë munguar e gjithë këtyre viteve. Kemi të gjithë programin e infrastrukturës hekurudhore dhe konkretisht kemi Rrogozhinë -Pogradec, kemi Rrogozhinë –Vlorë. Kemi Durrës-Prishtinë, që është një projekt shumë ambicioz që po punojmë me qeverinë e Kosovës, jemi në fazën e projektit. Kemi Vorë –Han i Hotit i financuar, i tenderuar si një projekt, së bashku me Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, kemi Sukth -Porto Romano që është një projekt shumë i rëndësishëm, pa pasur parasysh edhe porti i ri i Durrësit.

Kemi Durrës-Rrogozhinën, po ashtu pjesë e korridorit 8, Tiranë- Rinas- Durrës, që është në 80% të punës i realizuar dhe falë gjitha këtyre ndërhyrjeve ne praktikisht, jo vetëm me rrugët, por edhe me hekurudhat futemi në rrjetin hekurudhor të rajonit; bashkohemi me Kosovën, bashkohemi me Malin e Zi, bashkohemi me Maqedoninë e Veriut. Ata i kanë trashëguar nga kohë e mëparshme dhe nuk patën një “Liri Demokraci” agresive që iu tha njerëzve “Merrni hekurudhat dhe përdorni për të bërë gardhe për ndërtimet pa leje, që janë një mrekulli e 8-të e botës”, kështu u tha atëherë.

Porti i ri. Këneta thotë që ne kemi bërë krimin e madh të ndërhyrjes dhe të heqjes së portit më të vjetër në botë nga qendra e qytetit. Vetëm një mendje komplet e mbyllur, për të mos thënë e trashë, një mëndje që jeton në një qytetërim tjetër dhe ashtu jeton, mund të thotë që një port tregtar duhet të rrijë mes qytetit. Nëse ka mundësi që ai të spostohet nga mesi i qytetit dhe porti i Durrësit, që ishte në mes të qytetit do duhej spostuar dhe sikur aty të mos bëjë asgjë, thjesht do duhej marrë, ngritur peshë dhe çuar jashtë qytetit sepse ishte një qendër kanceroze, përveçse një pseudo-portë pa asnjë kusht për t’u bërë një portë për Shqipërinë 2030.

Porti i ri, gara ndërkombëtare është hapur, së shpejti do të fillojë nga puna, financimi është i qeverisë shqiptare, do të trefishojë kapacitetet ekzistuese, potencialin e Portit të vjetër, por mbi të gjitha do të jetë zemra e një sistemi të ri tregtie, duke krijuar mundësinë e hapjes së dy Porteve të Thata në Prishtinë dhe në Shkup, dhe duke e bërë Shqipërinë një pikë referimi në Mesdhe. Nga ana tjetër, Porti i ri nuk do të jetë vetëm port tregtar, por do të ketë edhe krahun e vet ushtarak, porti i NATO-s. Jemi shumë afër finalizimit të mbështetjes financiare nga NATO-ja. Pra, me portin ushtarak, Shqipëria rrit në mënyrë eksponenciale sigurinë e vet, duke pasur NATO-n këtu. Po aksesi i qytetarëve shqiptarë në fluturimet ajrore, e dini sa qytetarë shqiptarë kishin akses në ajër për të shkuar? Flasim për qytetarët këtu, banorë, nuk flasim për shqiptarët në emigracion.

Në 2013, aksesi në fluturime ishte 6%, vetëm 6%. Sot e dini sa qytetarë shqiptarë këtu “ku s'ka bukë për të ngrënë, këtu ku vdesin të gjithë nga uria, këtu ku njerëzit vriten rrugëve, këtu, ku s'ka më njerëz, kanë marrë avionin”? 32%. 

Pra, kemi rritur aksesin sepse kemi ulur ndjeshëm çmimin e fluturimeve dhe praktikisht e kemi kthyer Tiranën në aeroportin me rritjen më të lartë në Europë, tre vjet rresht dhe në ndërkohë kemi lënë pas Beogradin për numër pasagjerësh. Kur ne e morëm detyrën në atë aeroport hynin e dilnin 1,7 milionë pasagjerë në vit. Vitin që lamë pas ishin 11 milionë pasagjerë në Tiranë, në aeroport. Në 8 maj, shpresojmë do të bëjmë edhe fluturimin e pagëzimit të pistës së aeroportit të Vlorës, ku terminali do të kërkojë edhe ca kohë për shkak të vonesave me furnizimet materiale", tha Rama. 


Lajmi kryesor:

Mandati 4/ PS premton 700 km rrugë të reja, ‘rijetësim’ i linjave hekurudhore! Më 8 maj fluturimi ‘pagëzues’ i pistës së aeroportit të Vlorës (Të gjitha projektet)


S.G/SI.E./ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    A e keni vendosur se për kë do të votoni më 11 maj?