TIRANË- Infrastruktura mbetet një nga pikat kyçe të qeverisjes së Partisë Socialiste dhe në mandatin e katërt synohet një transformim i mëtejshëm i rrjetit rrugor dhe hekurudhor në vend. Duke e quajtur një nga kuajt më të fortë të betejës, kryesocialisti Edi Rama prezantoi sot projektet infrastrukturore që synojnë të realizojnë deri në vitin 2029. Gjatë mandatit të katërt, shefi i qeverisë premton të ndërtojë edhe 700 kilometra të tjera rrugë, duke përfunduar disa prej projekteve më strategjike për vendin.
"Nga viti 2013 deri më sot janë ndërtuar 935 kilometra rrugë kombëtare, përfshirë 21 kilometra ura dhe 12 kilometra tunele. Por për mandatin e katërt, qeveria synon të ndërtojë edhe 700 kilometra të tjera rrugë, duke përfunduar disa prej projekteve më strategjike për vendin”, tha Rama.
Korridori 8 dhe Korridori Blu janë në qendër të investimeve, duke u kthyer në kantiere të mëdha ndërtimi. Brenda vitit 2030, qeveria synon të përfundojë të dyja këto korridore të rëndësishme, që do të lehtësojnë lidhjet rajonale dhe integrimin e Shqipërisë në rrjetin europian të transportit.
“Sot, Korridori 8, Korridori Blu për të cilin na qeshnin kur unë e thashë është korridori i piktorit. Korridori i piktorit sot është korridor i futur në rrjetin europian, në rrjedhën e korridoreve europiane falë Samitit që bëmë këtu në 2023 me Bashkimin Europian kemi edhe korridorin e 8, që nuk ishte i futur në rrjedhën e korridoreve europiane dhe faktikisht, qoftë njëri, qoftë tjetri, sot janë kantiere reale, janë kantiere reale me segmente të përfunduara dhe me segmente që janë në punë e sipër”, tha Rama.
Kryesocialsiti Edi Rama listoi edhe disa prej akseve kryesore që pritet të përfundojnë gjatë mandatit të katërt, Dhërmi-Sarandë rruga turistike që do të lidhet me tunelin e Llogarasë, Tiranë-Krujë, Berat-Çorovodë.
“Rruga e bregut, Dhërmi-Sarandë, brenda mandatit të katërt do të jetë një rrugë turistike, që do të vazhdojë atë nga tuneli i ri i Llogarasë, deri në Dhërmi, rruga e shumëpritur, e shumë dëshiruar dhe e shumë nevojshme. Ndërkohë që brenda 2026 përfundon faza e parë dhe e dytë e superstradës Tiranë-Durrës. Përfundon edhe Kombinat- Ndroq – Plepa. Maqellarë- Peshkopia përfundon këto ditë, Qukës- Qafë Plloçë, Berat - Ballaban përfundon po këtë vit”, tha Rama.
Një tjetër prioritet i qeverisë është infrastruktura hekurudhore, me disa projekte të rëndësishme që përfshijnë, rikonstruksionin e linjave Rrogozhinë-Pogradec dhe Rrogozhinë-Vlorë, hekurudhën Durrës-Prishtinë, si një projekt strategjik për lidhjen me Kosovën, lidhjet Vorë-Hani i Hotit dhe Sukth-Porto Romano, si pjesë e rrjetit rajonal të transportit, linja Tiranë-Rinas-Durrës që pritet të vihet në funksion së shpejti. Rama u shpreh se realizimi i tyre do të sjellë një transformim të madh dhe do të lidhë vendin me Kosovën, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut.
“Nuk do të lëmë pa bërë atë që është pjesa e shumë munguar e gjithë këtyre viteve. (...) Falë gjitha këtyre ndërhyrjeve ne praktikisht, jo vetëm me rrugët, por edhe me hekurudhat futemi në rrjetin hekurudhor të rajonit; bashkohemi me Kosovën, bashkohemi me Malin e Zi, bashkohemi me Maqedoninë e Veriut”, tha Rama.
Një element i ri në infrastrukturën rrugore do të jetë Qendra Kombëtare e Monitorimit të Trafikut, e cila do të hyjë në funksion në 2025-ën, duke eliminuar patrullimin fizik të policisë në rrugë. Projekti është parashikuar të monitorojë fillimisht akset Tiranë-Durrës, Tiranë-Elbasan, Durrës-Rrogozhinë, Rrogozhinë-Fier, By Pass i Fierit dhe Levan-Vlorë, në 200 km e para me një total prej 150 kamera inteligjente dhe radarë.
“Do kalojmë në një nivel tjetër, nuk do kemi më policë nëpër rrugë, nuk do kemi më postblloqe, nuk do kemi më njerëz që dalin nga ferra me uniformë, edhe që thonë “Ndalo”, dhe ti s'di të ndalosh a mos ndalosh, se mund të mos jenë ekzaktësisht ata që thonë që janë”, tha Rama.
Me shifrat rekord të turistëve që vizituan vendin tonë, kreu i qeverisë lajmëroi se më 8 maj pritet të mbahet edhe fluturimi i parë për 'pagëzimin' e pistës së aeroportit të Vlorës.
“Kur ne e morëm detyrën në atë aeroport hynin e dilnin 1,7 milionë pasagjerë në vit. Vitin që lamë pas ishin 11 milionë pasagjerë në Tiranë, në aeroport. Në 8 maj, shpresojmë do të bëjmë edhe fluturimin e pagëzimit të pistës së aeroportit të Vlorës, ku terminali do të kërkojë edhe ca kohë për shkak të vonesave me furnizimet materiale”, tha Rama.
Shumë shpejt pritet të nisë puna edhe për Portin e ri Tregtar në Durrës, ku do të stacionohet edhe një bazë ushtarake e NATO-s.
"Porti i ri, gara ndërkombëtare është hapur, së shpejti do të fillojë nga puna, financimi është i qeverisë shqiptare, do të trefishojë kapacitetet ekzistuese, potencialin e Portit të vjetër, por mbi të gjitha do të jetë zemra e një sistemi të ri tregtie, duke krijuar mundësinë e hapjes së dy Porteve të Thata në Prishtinë dhe në Shkup, dhe duke e bërë Shqipërinë një pikë referimi në Mesdhe. Nga ana tjetër, Porti i ri nuk do të jetë vetëm port tregtar, por do të ketë edhe krahun e vet ushtarak, porti i NATO-s. Jemi shumë afër finalizimit të mbështetjes financiare nga NATO-ja. Pra, me portin ushtarak, Shqipëria rrit në mënyrë eksponenciale sigurinë e vet, duke pasur NATO-n këtu”, tha Rama.
Sa i takon infrastrukturës energjetike, Rama tha se shpejt vendi do të prodhojë 100% të nevojës për energji elektrike, madje dhe do të eksportojë.
"Kur ne morëm detyrën, kjo ishte fuqia e përgjithshme prodhuese e Shqipërisë. Ju kujtohet këneta, ndoshta duke u bazuar edhe te uji vetë, premtonte Shqipërinë superfuqi energjetike. Diku ma kapi veshi prapë në një nga ato uuuu-të e bufit. Superfuqia energjetike e premtuar ishte kjo, gjithë ajo shifër lart është sekretari i parë i sekretarit, që u bë pastaj kryetari i partisë opozitare. E kishte bërë shoku Enver atë bashkë me diktaturën. Këneta shtoi vetëm këtë shifër këtu dhe e shtoi me skemë mbështetëse, pra duke i dhënë lekë kompanisë që ndërtoi dhe prodhimin këneta e rriti vetëm me 241 MWH. Shikoni, sot prodhimi ishte atje kur ne e morëm, pra, shoku Enver me shokun Buf, atje, këtu është rezultati. Pra, dyfish prodhim, 3298 MËH dhe këtu do shkojmë në 2030", tha Rama.
Brenda mandatit të katërt, Rama premtoi mbulim të 90% të vendit me ujë 24 orë, brenda 2026 tha ai do të përfundojë plotësisht digjitalizimi i Kadastrës dhe brenda 2028 do të përmbyllet i gjithë procesi i legalizimit.
Qeveria ka prezantuar një sërë investimesh strategjike në infrastrukturën hekurudhore, portuale dhe ajrore, duke synuar modernizimin e transportit dhe fuqizimin e lidhjeve rajonale.
Projekte të rëndësishme janë në proces për të zgjeruar rrjetin hekurudhor të vendit. Ndër linjat kryesore që po zhvillohen janë Rrogozhinë-Pogradec, Rrogozhinë-Vlorë dhe Durrës-Prishtinë, ky i fundit në bashkëpunim me qeverinë e Kosovës.
Një tjetër projekt madhor është Vorë-Han i Hotit, tashmë i financuar dhe tenderuar me mbështetjen e Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH). Këto ndërhyrje e fusin Shqipërinë në rrjetin hekurudhor rajonal, duke e lidhur me Kosovën, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut.
Porti i Durrësit po shndërrohet në një qendër moderne tregtare për rajonin. Me një financim të siguruar nga qeveria shqiptare, ky projekt do të trefishojë kapacitetet ekzistuese dhe do të hapë dy Porte të Thata në Prishtinë dhe Shkup. Gjithashtu, pjesë e strategjisë është edhe ndërtimi i një porti ushtarak të NATO-s, i cili pritet të rrisë ndjeshëm sigurinë kombëtare dhe të konsolidojë rolin e Shqipërisë në Mesdhe.
Transporti ajror ka njohur një zgjerim të jashtëzakonshëm në dekadën e fundit. Aeroporti i Tiranës është kthyer në një nga më të rëndësishmit në rajon, duke kaluar Beogradin, ndërkohë, projekti i Aeroportit të Vlorës po përparon, me pistën e tij që pritet të bëhet funksionale më 8 maj, ndërsa terminali është ende në ndërtim. Me këto investime, Shqipëria synon të bëhet një nyjë kyçe transporti në rajon, duke modernizuar infrastrukturën dhe forcuar lidhjet me tregjet europiane.
"Por ne nuk do të lëmë pa bërë atë që është pjesa e shumë munguar e gjithë këtyre viteve. Kemi të gjithë programin e infrastrukturës hekurudhore dhe konkretisht kemi Rrogozhinë -Pogradec, kemi Rrogozhinë –Vlorë. Kemi Durrës-Prishtinë, që është një projekt shumë ambicioz që po punojmë me qeverinë e Kosovës, jemi në fazën e projektit. Kemi Vorë –Han i Hotit i financuar, i tenderuar si një projekt, së bashku me Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, kemi Sukth -Porto Romano që është një projekt shumë i rëndësishëm, pa pasur parasysh edhe porti i ri i Durrësit.
Kemi Durrës-Rrogozhinën, po ashtu pjesë e korridorit 8, Tiranë- Rinas- Durrës, që është në 80% të punës i realizuar dhe falë gjitha këtyre ndërhyrjeve ne praktikisht, jo vetëm me rrugët, por edhe me hekurudhat futemi në rrjetin hekurudhor të rajonit; bashkohemi me Kosovën, bashkohemi me Malin e Zi, bashkohemi me Maqedoninë e Veriut. Ata i kanë trashëguar nga kohë e mëparshme dhe nuk patën një “Liri Demokraci” agresive që iu tha njerëzve “Merrni hekurudhat dhe përdorni për të bërë gardhe për ndërtimet pa leje, që janë një mrekulli e 8-të e botës”, kështu u tha atëherë.
Porti i ri. Këneta thotë që ne kemi bërë krimin e madh të ndërhyrjes dhe të heqjes së portit më të vjetër në botë nga qendra e qytetit. Vetëm një mendje komplet e mbyllur, për të mos thënë e trashë, një mëndje që jeton në një qytetërim tjetër dhe ashtu jeton, mund të thotë që një port tregtar duhet të rrijë mes qytetit. Nëse ka mundësi që ai të spostohet nga mesi i qytetit dhe porti i Durrësit, që ishte në mes të qytetit do duhej spostuar dhe sikur aty të mos bëjë asgjë, thjesht do duhej marrë, ngritur peshë dhe çuar jashtë qytetit sepse ishte një qendër kanceroze, përveçse një pseudo-portë pa asnjë kusht për t’u bërë një portë për Shqipërinë 2030.
Porti i ri, gara ndërkombëtare është hapur, së shpejti do të fillojë nga puna, financimi është i qeverisë shqiptare, do të trefishojë kapacitetet ekzistuese, potencialin e Portit të vjetër, por mbi të gjitha do të jetë zemra e një sistemi të ri tregtie, duke krijuar mundësinë e hapjes së dy Porteve të Thata në Prishtinë dhe në Shkup, dhe duke e bërë Shqipërinë një pikë referimi në Mesdhe. Nga ana tjetër, Porti i ri nuk do të jetë vetëm port tregtar, por do të ketë edhe krahun e vet ushtarak, porti i NATO-s. Jemi shumë afër finalizimit të mbështetjes financiare nga NATO-ja. Pra, me portin ushtarak, Shqipëria rrit në mënyrë eksponenciale sigurinë e vet, duke pasur NATO-n këtu. Po aksesi i qytetarëve shqiptarë në fluturimet ajrore, e dini sa qytetarë shqiptarë kishin akses në ajër për të shkuar? Flasim për qytetarët këtu, banorë, nuk flasim për shqiptarët në emigracion.
Në 2013, aksesi në fluturime ishte 6%, vetëm 6%. Sot e dini sa qytetarë shqiptarë këtu “ku s'ka bukë për të ngrënë, këtu ku vdesin të gjithë nga uria, këtu ku njerëzit vriten rrugëve, këtu, ku s'ka më njerëz, kanë marrë avionin”? 32%.
Pra, kemi rritur aksesin sepse kemi ulur ndjeshëm çmimin e fluturimeve dhe praktikisht e kemi kthyer Tiranën në aeroportin me rritjen më të lartë në Europë, tre vjet rresht dhe në ndërkohë kemi lënë pas Beogradin për numër pasagjerësh. Kur ne e morëm detyrën në atë aeroport hynin e dilnin 1,7 milionë pasagjerë në vit. Vitin që lamë pas ishin 11 milionë pasagjerë në Tiranë, në aeroport. Në 8 maj, shpresojmë do të bëjmë edhe fluturimin e pagëzimit të pistës së aeroportit të Vlorës, ku terminali do të kërkojë edhe ca kohë për shkak të vonesave me furnizimet materiale", tha Rama.
Komente

Nuk na intereson sa km rruge por sa beton do hudhesh neper ndertesa or teeeejjjjj
Përgjigju