Shqipëria ka bërë progres në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. BE vlerëson punën e SPAK në progres raportin për vitin 2024, duke evidentuar se politikanë apo zyrtarë të lartë janë në hetim ose të dënuar.
“SPAK, i përbërë nga Prokuroria e Posaçme, Byroja Kombëtare e Hetimit dhe gjykatat kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, ka vazhduar të japë rezultate të mira në hetim, ndjekje penale dhe dënime në rastet e korrupsionit të nivelit të lartë, duke përfshirë edhe ato që përfshijnë politikanë dhe zyrtarë të nivelit të lartë si raste që përfshijnë mbrojtjen e interesave financiare të BE-së.
Kapaciteti i SPAK në hetimet financiare është rritur dhe përdorimi sistematik i hetimeve financiare dhe konfiskimeve të pasurive është përmirësuar. Megjithatë, numri i referimeve në SPAK nga autoritete të tjera ka rënë. Organet e tjera të ngarkuara me luftën kundër korrupsionit, veçanërisht Prokuroria e Përgjithshme dhe policia e shtetit, ende përballen me sfida në zbulimin dhe efektivitetin hetimin e korrupsionit”, thuhet në raport.
Po ashtu, në progres raport, të siguruar nga Shqiptarja.com, vlerësohet puna e institucioneve të vettingut. BE thotë se përmbyllja e vettingut në shkallë të parë do jetë një moment historik në luftën kundër korrupsionit në gjyqësor.
“Përfundimi i afërt i verifikimit të të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve në shkallë të parë është një moment historik i madh me ndikim pozitiv në luftën kundër korrupsionit në gjyqësor. Nga më shumë se 798 magjistratë që i janë nënshtruar verifikimit që nga viti 2017 nga 805, deri më tani 56 % janë shkarkuar nga detyra, kryesisht për çështje që kanë të bëjnë me pasuri të pajustifikuara, ose kanë dhënë dorëheqjen. 7 çështje të mbetura deri më 21 tetor pritet të finalizohen me kohë. Është regjistruar një tjetër rezultat i drejtpërdrejtë i vettingut në shtator, teksa KPK-ja i referoi SPAK-ut për ndjekje gjyqësore 19 çështje”, thuhet në raport.
Lajmi kryesor:
Report Tv siguron Progres raportin e BE për Shqipërinë: Mbështesim objektivin e qeverisë për mbylljen e negociatave të anëtarësimit deri në 2027! Përparim në luftën kundër korrupsionit
SI.E./ReportTv.al