Një grup qytetarët në Vlorë janë ngritur sërish në protestë, duke kundërshtuar projektin e Sheshit të Flamurit në qytet. Sipas qytetarëve projekti po rrënon historinë në një shesh që i përket jo vetëm Vlorës, por edhe të gjithë shqiptarëve kudo që janë.
"Është spostuar monumenti, i mungon ajo pista e bukur ku mbaheshin festat e fjalimet çdo vit, Këtu nuk do festohet më sepse nuk ka më Shesh Flamuri. Kjo është zhdukja e historisë së një kombi".
"Protestoj kundër kësaj ndërhyrje, ky shesh është simbol i qytetit. Jemi të shqetësuar për këto veprime jo të rregullta që po bëhen në Vlorë. Nuk na kanë pyetur ne si qytetarë të Vlorë, e kanë bërë çdo gjë vetë".
"Banoj në Tiranë, kam ardhur të mbështes qytetarë t e Vlorës, ky nuk është vetëm sheshi i Vlorës, por i të gjithëve. Po ndodh pushtimi i Vlorës nga një beton i madh, Turp që nuk reagon askush për këtë shesh", shprehen protestuesit.
Sikurse edhe në protestën e së dielës, të pranishëm janë edhe disa banorë të Laprakës në Tiranë, që edhe më herët janë hetuar për manifestime për kauza të ndryshme. Po ashtu protestës i janë bashkuar edhe deputetët e opozitës, Bujar Leskaj dhe Fatjon Veizi.
Në sheshin e Flamurit në Vlorë kanë nisur punimet për të vënë në jetë projektin që pritet ta rikualifikojë zonën ndërsa një godinë 15 katëshe qe shteti ia ka marrë privatit, pritet të kthehet në qendër social-kulturore dhe jo në hotel, siç pretendojnë përfaqësues të “Foltores” së Sali Berishës. Ndërtesa i është marrë biznesmenit Sulo Shehi, të cilin shteti e ka dëmshpërblyes me 8 milionë dollarë.
Zhvillues i projektit është Fondi Shqiptar i Zhvillimit ndërsa financuese e projektit nga Xavier de Geyter, i njëjti arkitekt belg që ideoi Lungomaren, është qeveria. Vlera e kontratës për zbatimin e këtij projekti është 818 milionë lekë.