Policia e shtetit njoftoi se në orën 15:00 është liruar hyrja e tunelit e cila ishte bllokuar nga përdorues të varkave por dhe turistë të cilët kishin shkuar për të udhëtuar me varka në liqenin e Komanit dhe në Lumin e Shalës.
Pas një komunikimi me banorët nga përfaqësuesit e Policisë së Shtetit dhe të Drejtorisë së Përgjithshme Detare, prej orës 15:00 vijon lëvizja e lirë e turistëve dhe vizitorëve në zonën e Komanit.
Ndërkohë mësohet se banorët e zonët kanë filluar të aplikojnë menjëherë, pranë Drejtorisë së Përgjithshme Detare për të çertifikuar mjetet lundruese dhe pajisjet e tyre me dokumentacionin përkatës si dhe marrjen e masave të tjera të sigurisë me qëllim kryerjen e sigurtë të aktivitetit të lundrimit për sigurinë e jetës së turistëve dhe vizitorëve.
Deri në këto momente janë pajisur nga Drejtoria e Përgjithshme Detare me dokumentacion 3 mjete lundruese dhe kanë aplikuar për pajise me dokumentacion përkatës dhe 13 shtetas të tjerë , që iu bllokuan mjetet lundruese gjatë operacionit.
Policia e Shtetit thekson edhe një herë se ky operacion ka për qëllim të vetëm sigurinë e jetës së turistëve dhe vizitorëve dhe jo penalizimin e operatorëve ekonomikë që e ofrojnë shërbimin e lundrimit konform ligjeve dhe duke përmbushur plotësisht standardet e sigurisë.
Gjithashtu apelon sërish, për të gjithë operatorët ekonomikë që ofrojnë shërbimin e lundrimit, në hapësirat liqenore, lumore dhe detare që të pajisen me dokumentacionin përkatës, konform ligjit, si dhe të përmbushin kriteret për sigurinë e pasagjerëve, siç është pajisja e pasagjerëve me jelekë shpëtimi.
Gjithashtu, Policia e Shtetit fton qytetarët që të denoncojnë çdo indicie për paligjshmëri në këtë fushë.
Lajmi kryesor:
Policia u bllokoi varkat në lumin e Shalës, pronarët dhe turistët në protestë bllokojnë për gati 8 orë tunelin e Komanit, ndërhyn policia
S.G//ReportTv.al