Politikë

Ndryshimet kushtetuese, SPAK: Mos na përfshini në vettingun në politikë! Propozimi i PD krijon problem njëanshmërie dhe vlerësim të pasaktë

24 Nëntor 2021, 15:32| Përditesimi: 24 Nëntor 2021, 19:12

  • Share

Propozimin e Partisë Demokratike që vettingun në politike ta bëjë SPAK është kundërshtuar në mënyrë të prerë nga kreu i këtij institucioni Arben Kraja. Sipas tij, SPAK nuk mund të përfshihet në këtë çështje pasi propozimi i PD-së krijon hapësira për vlerësim të njëanshëm ose pasaktësi.

'Kjo mënyrë e propozuar nga PD, mund të krijohen probleme për njëanshmëri apo vlerësim të pasaktë. Krijon problematika në objektivitetin e një vendimmarrje'- tha Kraja.

Në seancën dëgjimore në mbledhjen e përbashkët të Këshilli për Legjislacionin dhe Komisionit për Çështjet Ligjore në Kuvend, kreu i SPAK tha po ashtu se një tjetër problem është edhe mbingarkesa e këtij institucioni që të merret edhe me vettingun në politikë, e cila shfokuson edhe objektin e punës së tyre. Por sipas deputetit Enkelejd Alibeaj, në amendamentet e propozuara nga PD, merret parasysh rritja e buxhetit dhe stafit me prokurorë në mënyrë që të realizohet kjo nismë.

Nga ana tjetër për Avokaten e Popullit, Erida Ballanca, propozimet për ndryshime kushtetuese të Partisë Demokratike janë të vlefshme. Këtë e argumentoi duke vënë theksin të problematikat, dhe tha se shërbimet janë përkeqësuar pas reformës së fundit territoriale. Për vettingun në politikë, Avokatja e Popullit nuk preferoi të komentojë pasi sipas saj është në konflikt interesi pasi pozicioni  i saj parashikohet si objekt i vettingut në politikë, i propozuar nga Partia Demokratike. Ajo tha se sipas saj populli shikon shpëtim vetëm nga vettingu.

Kujtojmë se Partia Demokratike ka dorëzuar në Kuvend propozimet për ndryshime kushtetuese që kërkojnë në thelb zhbërje të ndryshimeve kushtetuese të korrikut 2020, që mazhoranca bëri me opozitën parlamentare që nuk ishte PD-LSI, kërkojnë ndryshime në hartën territoriale të Shqipërisë dhe me ndryshime për vettingun e politikanëve, që praktikisht bëjnë një Kushtetutë të re.  Propozimi më i rëndësishëm i PD ka të bëjë me propozimin për veting të politikanëve. Një nismë deri diku të ngjashme me vitin 2018, që u kritikua dhe u hodh poshtë nga Komisioni i Venecias, duke vënë në diskutim vlerën e propozimit dhe theksuar rrezikun për shkeljen e të drejtave të themelore.

Megjithatë, tre vite më pas, Lulzim Basha ka rikthyer draftin për Vetingun e politikanëve, përmes disa amendamenteve kushtuese, më të zgjeruara dhe të detajuara. PD propozon që të përjashtohen nga e drejta e për t’u zgjedhur shtetasit që janë dënuar me burgim, me vendim përfundimtar të formës së prerë, për kryerjen e një krimi, ose shtetasit që kanë kontakte të papërshtatshme me persona të përfshirë në krimin e organizuar, ose pasuri të pajustifikuar ligjërisht, sipas rregullave të përcaktuara me ligj të miratuar me tri të pestat e të gjithë anëtarëve të Kuvendit.

 

Ora 16:56
'Do shkoni në parukeri!', Nikolla përplaset me Alibeajn: Gjuha jote është fyese dhe seksiste, tërhiqni fjalët

Deputeti Enkelejd Alibeaj është përplasur me kryetaren e Kuvendit, Lindita Nikolla në mbledhjen e Këshillit për Legjislacionin dhe Komisionit për Çështjet Ligjore, pasi kjo e fundit i kërkojë që të mbarojë fjalën, pasi po merr shumë kohë.

Alibeaj: Mos e mbroni, zotëria i ka dalë vet garant detyrës së tij. Duhet të ikim ne... se shkoj koha për të shkuar në parkureri.

Nikolla: Tërheq vëmendje gjuha jote është fyese dhe seksiste duke u mbivendosur zonjave një steriotip të caktuar.

Alibeaj: Mos beni viktimën, ky është abuzim me detyrën...

Ora 16:50
Gazment Bardhi ngre zërin ndaj deputetes socialiste: Je hajdute kokë e këmbë, nuk je patronazhistja e Krajës

Gazment Bardhi është përplasur ashpër në mbledhjen e përbashkët të Këshillit për Legjislacionin dhe Komisioni për Çështjet Ligjore me deputeten e PS-së Ermonela Felaj.

Ndërkohë që Alibeaj, po parashtronte pyetjet për kreun e SPAK, Arben Kraja, ka ndërhyrë deputetja e PS-së, Ermonela Felaj e cila ka kërkuar që pyetjet të jenë specifike dhe mos të ndikohen përgjigjet e prokurorit.

Por për deputeten socialiste, një përgjigje e ashpër ka ardhur nga Gazment Bardhi, i cili e ka cilësuar Felajn si hajdute.

Pjesë nga debati:

Ermonela Felaj: Kërkoni të dhëna sasiore.

Enkelejd Alibeaj: Këto diskutime janë të rëndësi.

Gazment Bardhi: Ermal Pishtari është patronazhisti i zotit Kraja, nuk jeni juve, Ju jeni Ermonela.

Ermonela Felaj: Sado që ti mund të jesh subjekt i veprës penale.

Gazment Bardhi: Po lere veprën penale. Ti je hajdute kokë e këmbë, vjen këtu, na tregon ne rregulloren. Po na le rehat. Na ndërhyn këtu. S’keni nevojë të ndërhyni.

Ora 16:40
Vettingu në politikë, Alibeaj-Krajës: Amendamentet e PD-së kanë parashikuar rritje të buxhetit dhe shtim të numrit të prokurorëve

Në përgjigje të argumenteve të kreut të SPAK se mbingarkohen nëse marrin përsipër që të bëjnë vettingun në politikë, deputeti i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj u shpreh se amendamente të PD-së kanë marrë parasysh edhe mbingarkesën dhe për këtë tha duhet të shtohen prokurorët si dhe buxheti për këtë institucion.

Alibeaj: Sot që flasim kryeni veprimtarinë administrative antimafia, OFL, komisionin e posaçëm të vlerësimit të kandidatëve, jo vetëm kaq, por edhe vettingun parmament të gjithë anëtarëve të BKH-së, prokurorëve, kontroll periodik mbi ligjshmërinë e pasurive të tyre... Ju kryeni veprimtari amdinistrative rëndom e të diversifikuar, në volum po e po, pres të më thoni numrin. Mungesa e stafit ndoshta dhe mungesa buxhetore, ju mbingakron!

Kraja: Pjesa e ligjit Anti-mafia nuk është administrative pasi lidhet me një aktivitet kriminal. Futet tek detyrat e caktuara me ligj. Na kanë mbingarkuar në mënyrë të jashtëzakonshme. Është një procedurë e jashtëzakonshme. Monitorimi i vazhdueshëm, ka disa problematika. Por po mbingarkohemi me punë të tjera duke mos u fokusuar tek puna jonë...

Alibeaj: Po besoj se shqetësimi juaj për mbingarkesë vjen për ta bërë punën tuaj me cilësi...

Kraja: Mund të shkojë diku tek 200 punonjës në total shto edhe familjarë dhe të afërt, që ju nënshtohen verifikimit.

Alibeaj: Sipas një përllogaritje numri i subjekteve të vettingut në politikë është i njëjtë me vettingun që ju bëni. Të mirëkuptoj për faktin se jeni të mbingarkuar. Këta 200 deputetë e ministra, cilësisht nuk ndryshon asgjë. Është vetëm çështje njerëzish, e cila është e arsyeshme, por një iniciativë e tillë ka edhe paketën me staf e buxhet. Për ta çuar para këtë proces duhen njerëz. Lidhjet e politikës me krimin po tentojnë që të shtohen. Nga të dhënat statistikore janë bërë një mori kallëzimesh, por nuk ka përfunduar asnjë rast.

Ora 16:17
Bardhi: Bota e krimit ka kontakte me zyrtarë të lartë publik? Ja si përgjigjet Kraja

 

Sekretari i Përgjithshëm, Gazment Bardhi ka pyetur kreun e SPAK, Arben Krsaja nëse nga hetimet ka rezultuar se persona të botës së krimit kanë kontakte me zyrtarë të lartë publik. Mirëpo Kraja është shprehur se nuk mund të japë emra për shkak të hetimeve.

Bardhi: Nuk kemi parë rezultate. Ne kemi nisur nga 2017 një proces që lidhet me vettingun e gjyqtarëve dhe prokurorëve. A ka procedime penale për gjyqtarë dhe prokuror që kanë shfaqur probleme me pasurinë?
Kraja: Ka disa procedime penale, për gjyqtarë dhe prokuror.
Bardhi: Bota e krimit ka kontakte me zyrtarë të lartë publik?
Kraja: Nuk mund të jap detaje për hir të hetimeve, referojuni vendimeve gjyqësore
Bardhi: Nuk kërkova të dhëna konkrete apo emra. Teksa prokuroria po ndjek një eksponent rezulton që kanë kontakte me zyrtarë të lartë publik?
Kraja: Fenomeni që krimi i organizuar lidhet nënpunës publik, nuk jap emra për sa kohë çështjet janë në hetim

Ora 16:14
SPAK refuzoi vettingun në politikë, Bardhi: Prisja përgjigje tjetër, jeni institucion që luftoni korrupsionin

Deputeti i Partisë Demokratike Gazment Bardhi ka mbetur i befasuar nga përgjigja e kreut të SPAK Arben Kraja i cili tha se ky institucion nuk mund të bëjë vettingun në politikë. Bardhi tha se priste një përgjigje tjetër pasi ky është një institucion që po lufton korrupsionin.

'Prisja tjetër përgjigje nga drejtuesi i prokurorisë së Posaçme që të mos përfshihet SPAK,  duke qenë se përfaqëson një insitucion që lufton korrupsionin. Konfirmuat që e latë luftën ndaj korrupsionit dhe u përqëndruat te ajo që ju dha ministri i Brendshëm, suksesi i madh te OFL, duke sekuestruar 3 makina'- tha Bardhi.

Ora 16:05
Vettingu në politikë, Kraja: SPAK nuk mund të përfshihet në këtë çështje

Kreu i SPAK, Arben Kraja tha se është pro çdo iniciative që lufton korrupsionin, por tha se vettingun në politikë nuk mund ta bëjë SPAK.

'Vettingu në politikë, Arben Kraja: Jemi pro çdo iniciative që lufton kurrupsionin, por jo luftë në një strukturë të vetme, gjithë shoqëria duhet ta luftojë këtë problematikë. Është një procedurë administrative që përfshin rreth 200 subjekte, që do kohën e saj dhe në këto kusht duhet ta vlerësojmë në vijimësi. Detyrat e tjera nuk duhet të bllokojnë thelbin e punës së prokurorisë. Propozimet e PD parashikojnë krijimin e një strukture në SPAK që do ti shtojë një volum pune prokurorisë së posaçme. Ne kemi kaluar një eksperiencë negative në vitin e parë t punës sonë për të ashtuquajturën OFL, një detyrë e ngarkuar me ligj që na shfokusoi nga objekti i punës, kështu që unë do e konsideroja të papërshtatshme përfshirjen e SPAK në këtë çështje.Kjo mënyrë e propozuar nga PD, mund të krijohen probleme për njëashmëri apo vlerësim të pasaktë. Krijon problematika në objektivitetin e një vendimarrje. '- tha Kraja.

Ora 15:32
Ballanca: Ka nevojë për ndryshime në hartën territoriale, me reformën e fundit u përkeqësuar shërbimet

Për Avokaten e Popullit, Erida Ballanca, propozimet për ndryshime kushtetuese të Partisë Demokratike janë të vlefshme. Këtë e argumentoi duke vënë theksin të problematikat. Në një seancë dëgjimore në mbledhjen e përbashkët të Këshilli për Legjislacionin dhe Komisionit për Çështjet Ligjore në Kuvend, Ballanca tha se shërbimet janë përkeqësuar pas reformës së fundit territoriale.

"Fakti është se niveli dhe shërbimi për qytetarët ka pasur përkeqësim, këtë e ndjejmë nga raportet e monitorimit. Nga kjo qasje mendojmë se duhet një reformë e re territoriale për të adresuar nevojat e qytetarëve veçanërisht në qytetet e vogla dhe zonat rurale. Me këtë ndarje, disa komunitete minoritare janë ndarë,  një ndarje e re territoriale duhet të adresojë dhe këtë çështje", tha jo.

Sa i përket propozimet për ndryshime në Kodin Zgjedhor, Ballanca tha se raportet e OSBE në dy vitet e fundit kanë vënë theksin te kthimi i besimit të zgjedhësve te zgjedhjet, secila palë duhet të kthehet në  një proces të ndershëm.

Për vettingun në politikë, Avokatja e Popullit nuk preferoi të komentojë pasi sipas saj është në konflikt interesi pasi pozicioni  i saj parashikohet si objekt i vettingut në politikë, i propozuar nga Partia Demokratike. Ajo tha se sipas saj populli shikon shpëtim vetëm nga vettingu.

K.T.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Iris: 25/11/2021 03:50

    Nese nuk e beni vetingun ne politike,per arsye ligjore,do te ishit te mirekuptuar,por justifikimi qe jepni eshte qesharak,kur mendon se me cfare merreni zakonisht.SPAKU dhe BKH duhet t'a kerkonin vete vetingun e politikaneve me patjeter,por kam pershtypjen sikur po u dridhen gjunjet para politikaneve //te paprekshem//.

    Përgjigju
  • Huta: 24/11/2021 18:10

    Ky individ eshte turpi dhe deshtimi total i çdo gjeje ne drejtesi. Ta shohe edhe zonja kimete se e katandisi spakun ne aspak duke vendose ne krye nje ish sigurims komunist

    Përgjigju
    • Loni: 25/11/2021 00:05

      Po kush e Ben spakun Po keta e bejne e ke do donojne Po veten e shoket e tyre ska lidhje sigurims apo demokrat apo LSI apo ps apo ku di un Po keta Jan e keta do te denojne padrejtesite e shokeve te tyre. E thjeshte fare.

  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?