Kryeministri Edi Rama dhe komisoneri për Zgjerimin në BE Oliver Varhelyi kanë komentuar nga Vlora zhvillimet në Maqedoninë e Veriut në lidhje me votimin e propozimit francez, për integrimin në BE.
Varhelyi: Nëse keni ndonjë pyetje për Maqedoninë e Veriut atëherë gjëja më e mirë është që atë pyetje tja bëni atyre. Nuk mund të jap përgjigje në emër te Maqedonisë së Veriut se për çfarë mund të presim prej tyre, por ama nuk është se po i bëj bisht pyetjes. Natyrisht që ne tashmë i kemi sytë dhe veshët drejt Shkupit. Mendoj që është thjesht gjëja e duhur që tani të ketë një debat demokratik pra dhe është gjeja e duhur që kemi këtë debat. Ju keni parë që presidentja jonë, Ursula von der Leyen ka bërë kontributin tonë në formë të drejtpërdrejtë tek kuvendi i Maqedonisë së Veriut dhe jam i sigurt që ky debat do të jetë përfundimtar dhe do të na japë një vendim të qartë, një vendim të qartë i cili do konfirmojë që Maqedonia e Veriut është gati për të ecur përpara me atë që është vënë në tryezë nga presidenca franceze dhe nga qeveria, nga presidenti Republikës angazhimi është i qartë, por për çështje të tilla është thjeshtë demokratike, është gjëja e duhur që të pyeten përfaqësuesit e qytetarëve dhe jam shpresëplotë që do të kemi një përgjigje të qartë dhe pozitive në fund të këtij debati, por ama ta lëmë këtë debat të shtjellohet, të kryhet e të përfundojë ashtu siç duhet të përfundojë në çdo parlament të cdo vendi.
Rama: Unë nuk dua të zgjatem se vërtetë mund të ketë mbaruar një seancë, por në dijeninë time debati do vazhdojë në parlamentin e Maqedonisë së veriut. Unë dua të shpresoj që rezultati do të jetë pozitiv. Nëse rezultati do të jetë pozitiv patjetër që konferenca mund të thirret shpejt. Nëse rezultati nuk do të jetë pozitiv ne menjëherë të nesërmen do të kërkojmë dhe do vazhdojmë të kërkojmë pastaj në vijimësi ndarjen e dosjes së Shqipërisë nga dosja bullgaro-maqedonase dhe patjetër që ne jemi të bindur që Shqipëria duhet t’i çojë negociatat këtë vit pa diskutim.
Tani të presim fundit e këtij debati maratonë që parashikohet të zhvillohet në parlamentin e Maqedonisë së Veriut dhe pastaj të shikojmë hapin tjetër që do të hedhim. Sigurisht që unë uroj të ndodhë që parlamenti i Maqedonisë së Veriut t’i hapë rrugë propozimit francez dhe kështu të dy vendet të hyjnë menjëherë në negociatat për anëtarësim, por kjo, siç e tha dhe komisioneri nuk është diçka që e vendosim ne, këtë e vendos parlamenti sovran i Maqedonisë së Veriut.
Ndërkohë dua të theksoj edhe një herë që falë kujdesit të veçantë të komisionerit Varhelyi dhe shtytjes që i ka bërë ky Komision Europian aspektit të bashkëpunimit dhe të mbështetjes ekonomiko-financiare të Ballkanit Perëndimor, ne jemi në përgatitje edhe për të tjera projekte që janë drejtpërdrejtë të mbështetura nga kjo strukturë financimi dhe projekte që nuk janë vetëm rrugë, por janë dhe hekurudhat, janë dhe projektet ne energji dhe ne do të kërkojmë edhe nga plani ekonomik i investimeve gjë që do ta bisedojmë sot me komisionerin edhe mbështetje për portin e ri të Durrësit, ku kemi kërkuar mbështetje nga paketa e investimeve të NATO-s për krahun ushtarak të portit dhe do të kërkojmë nga krahu civil i Aleancës, mbështetje edhe për krahun e veprimtarisë civile, të lëvizjes së mallrave në këtë rajon përmes portit të Durrësit, i cili do të marrë komplet tjetër peshë strategjike në ekonominë e vendit dhe ekonominë rajonale duke praktikisht krijuar një mundësi të re, më pak të kushtueshme dhe më shumë efektive për të gjitha vendet e rajonit. Këto janë ato që kanë një rëndësi të veçantë, por duhen thënë sot këtu në Vlorë.
Lajmi kryesor:
Propozimi francez, Rama dhe Varhelyi në Bypassin e Vlorës: Nëse s'miratohet, të ndahemi nga Maqedonia! Komisioneri: Jemi shpresëplotë
M.Q./ReportTv.al