Protesta e 8 shkurtit e opozitës dhe zgjedhjet në Kosovë ishin dy nga temat e debatit në studion e emisionin “Frontline” në Report TV.
Të ftuar të moderatores Marsela Karapanço ishin juristi Kreshnik Spahiu, deputeti Luan Baçi, analistët Arben Meçe dhe Poli Hoxha, gazetari Almer Toska dhe Skerdi Dhuli.
Pyetja kryesore që u analizua ishte se përse del në protestë PD kur firmos pakte me PS? Gjithashtu u diskutua për votën e Diasporës nëse do dështonte apo do bëhej marrëveshje e re mes palëve.
Deputeti i PD-së, Luan Baçi foli në lidhje me detajet e protestës, duke u shprehur për Report TV se ajo do jetë me “format të ri” dhe në dorë të qytetarëve shqiptarë, por nuk e tregoi të plotë strategjinë e protestës së 8 shkurtit.
“PD ka hyrë në një stinë protestash dhe e kemi thënë shpesh, me të drejtë e kemi quajtur mosbindje civile. Opozita është në aksion, me deputetë në diasporë për regjistrim të shqiptarëve, punës në terren me qytetarët, si dhe me protestat si mjet i fuqishëm në duart e opozitës dhe PD. Protesta e 8 shkurtit është e radhës, pritet të ketë një format të ri, akoma nuk ka detaje. Janë duke u diskutuar deri në fund dhe më tej do dalim me axhendë të plotë se si do jetë organizimi të shtunën në orën 17:00. Do jetë protestë e qytetarëve dhe në dorë të qytetarëve. Kaq mund të them. Ka mosbindje civile, nuk ka pakt dhe marrëveshje, por ka pakt me qytetarët për zgjedhje të ndershme dhe risi për votën e diasporës”, tha ai.
Kurse për votën e Diasporës, ligjvënësi demokrat tha se nuk është PD që po pengon procesin, por në të kundërt PS-ja. Kurse marrëveshjen me mazhorancën ai tha se opozita e bën për hir të realizimit të votës së emigrantëve të plotë, ku të përfshihen edhe ata pa dokumente shqiptare.
“Janë bashkëpunime në të mirë të qytetarëve, e kemi me shqiptarët, s’do bëhemi pengesë për atë që kemi nisur që në krye të herës, vota e diasporës. Këto që quani marrëveshje janë bërë vetëm për mundësimin e votës së diasporës. Tani kanë vënë një pengesë, ne nuk kemi vënë kusht. Votën për diasporën pa përjashtim, nuk kemi vënë kusht. Pse pengohen shqiptarët të votojnë me një dokument të shteteve të BE-së, SHBA apo Britanisë, këtë kërkon PD, s’ka vënë kushte për vete. Ne nuk d dimë se kë votojnë ata, për PD apo PS, ne kërkojmë të votojnë të gjithë. Nuk duhet t’u mohohet e drejta për votim asnjë emigranti, edhe pse s’kanë dokumente shqiptare. PS vuri pengesë edhe për kartat dhe pasaportat e skaduara, por pas këmbënguljes së PD kaluan aktin normativ. Pse në fillim thanë jo dhe pastaj e lanë. Për këtë këmbëngulim, nuk është alibi, është e drejtë e qytetarëve shqiptarë. Nuk duhet ta bëjmë gjysmake. Pengesa që bëjnë është e qëllimtë, ata po kërkojnë që të dështojë vota e diasporës. Ne do kërkojmë deri në fund të realizohet kjo votë 100%. Nuk ka pengesë nga PD”, u shpreh Baçi.
Çfarë do ndodhë me votën e Diasporës? A do gjejnë dakordësinë dy partitë e mëdha politike apo po kërkojnë që ajo të dështojë, pasi shihet si e paparashikuar. A po kërkon opozita një alibi për humbjen e zgjedhjeve apo e kundërta?
Të ftuarit në “Frontline” dhanë mendime të ndryshme, deri te ideja e shtyrjes së zgjedhjeve, qeverisë teknike, lojës politike të dy partive të mëdha dhe gjetjes së alibisë së opozitës për humbjen e zgjedhjeve.
“Unë mendoj se çështja është ajo e manipulimit apo falsifikimit të votave dhe dokumenteve. Ky është problemi kryesor dhe që shqetësohet PD-ja. Por unë mendoj se këta po krijojnë dhe formojnë alibinë e tyre për dështimin e votës së diasporës. Kjo alibi ka kohë që po krijohet. Çështja është instrumenti i manipulimit të votës. Është e tmerrshme mëndësia se ke një instrument për të bllokuar zgjedhjet apo procesin. Ligjet janë bërë në mënyrë të atillë që kjo të mos ndodhë. Në mendësi është antidemokratik bllokimi i certifikimit të zgjedhjeve”, tha analisti Arben Meçe.
Por Skerdilajd Dhuli ngriti dyshime për përfshirjen e administratës në regjistrimin e votës së diasporës për pushtetin.
“Administrata po regjistron formularë me atë afërmit e tyre në diasporë. Këto regjistrime të administratës po pranohen e dërgohen në KQZ, por unë mendoj se Celibashi s’do që të shkojë në burg e të mos pranojë aplikimet. Unë mendoj se do shkojmë te 400 mijë aplikime, puna është a do i pranojë KQZ-ja t’i regjistrojë”, tha ai.
Kurse për gazetarin Poli Hoxha kjo është një lojë politike e Ramës dhe Berishës.
“E bëjnë për paktet e tyre të fshehta, e bënë për vula, për besnikët e tyre, për amnistinë e të tjera. E kur vjen puna bënë këtë paçavure për votën e diasporës, votë që kërkohet prej vitesh. Ka një strukturë të tërë, komisionerë, deputetë, ky Parlament i mbaruar si e ngritën dorën, pse nuk pyetën për rreziqet. Ndaj unë them se po bëjnë lojë sikur do bëhet nami, do zihen dhe do merren vesh në fund. E kanë lëshuar sinjalin. PS e ka lëshuar sinjalin. Por nuk e dimë se të kujt janë këta emigrantë, të PS apo PD. Siç e tha edhe Kreshnik Spahiu, këta bëjnë lojë. Unë mendoj se ka valë popullore dhe këta janë të trembur për 11 Majin”, u shpreh ai.
Kurse gazetari Almer Toska parashikon shtyrje zgjedhjesh, dështim të votës së diasporës dhe qeveri teknike.
“Ka rrezik që vota e emigrantëve të dështojë. Nëse të enjten dështon, atëherë do gjendet alibia. Nëse PD tërhiqet nga komisioni, atëherë rrezikohet procesi i zgjedhjeve. Nëse nuk numërohet vota e diasporës bllokohet dhe nuk certifikohet procesi. Palët nuk e duan votën e Diasporës, arsyet pse nuk i di. Por ata nuk e duan se vota e Diasporës është e paparashikuar. Kjo votë mund të sjellë probleme dhe një ngërç, që çon në shtyrje zgjedhjesh. E vetmja zgjidhje është që palët të gjejnë gjuhën dhe ajo është qeveria teknike”.
Të ftuarit në studio ndanë mendime të ndryshme për çështjen e protestës së opozitës më 8 Shkurt dhe debateve politike mes partive të mëdha për votën e Diasporës.
Diskutimet në studion e “Frontline” në Report Tv sollën elementë të rinj dhe detaje për ato çfarë mund të ndodhin ditët apo javët e ardhshme.
Analisti Arben Meçe shprehet se protestat e opozitës janë të ligjshme, por nuk prodhon më frymë, dhe madje as frymën e disa viteve më parë, teksa entuziazmi i saj bie nga tubimi në tubim. Ai parashikoi se protesta e 8 shkurtit do të jetë edhe më e dobët.
“Është e drejta e opozitës për protesta apo edhe për mënyrën se si i bën, me apo pa sherr, në parlament apo jashtë tij. Çdo forcë llogarit nëse fiton me këtë aksion apo penalizohet dhe është e drejtë e saj. Por ne analizojmë nëse fiton apo jo dhe pas çdo proteste ka bërë, nuk ka rezultuar në analizat e bëra se ka pasur përfitime. Pra, kjo lloj strategjie nuk është optimale deri tani. Protestat janë pasqyrimi i frymës në sheshe, e prodhon fryma sheshin dhe jo e kundërta. Nëse më parë kishte një lloj fryme të rëndësishme, por nga analiza e fundit e protestave nuk rezulton se kanë prodhuar ngjarje, ku kjo frymë nuk ekziston në shesh, mungon kjo frymë dhe mendoj se në ballafaqim me paraardhëset do jetë më e dobët, s’do jetë e njëjtë”, tha ai.
Kurse Skerdilajd Dhuli si përfaqësues i PD-së, deklaroi se nuk do të kishte akte dhune, por do ishte protestë kundër qeverisë dhe me qëllim largimin e Edi Ramës.
“Kush pret dhunë nga protesta do zhgënjehet. Shqiptarët janë zhgënjyer nga aferat korruptive të qeverisë. Do ketë protestë. Ka arsye për protesta. Edi Rama e ka zbritur në derexhe jetën institucionale, korrupsionin galopant, zyrtarët e burgosur, që janë arsyet kryesore. Qëllimi i protestës është largimi i Edi Ramës. Gjëja e parë që duhet bërë është rrëzimi i ligjit për investimet strategjike”, shprehet Dhuli.
Analisti Poli Hoxha e shikon protestën si një rrjedhim i situatës për listën e deputetëve në PD, duke e quajtur luftë të heshtur dhe nervash brenda opozitës. Por shtoi se në seancën për votat e Diasporës priten tensione.
“Në mënyrë të papritur mosbindja civile pushoi. Po në mënyrë të papritur, u shpall protesta, por s’dinin orën, as Berisha s’e dinte. Mirë bëjnë, edhe pse këto lloj protestash në Europë nuk bëhen më. Sepse në takimet në Uashington dalin qafë për qafë siç e pamë edhe në foto, pra më duket e pakuptimtë. Ka luftë të heshtur, nervash dhe interesash në vigjilje të listave. Mungesa e transparencës i krijon këto, ankthe, zëmërime, plane. Akoma nuk e dimë nga ana teknike se si do bëhen, Primaret, në nivel qarku, rrethesh dhe varet nga mërzitja e brendshme. Pritet dhe një seancë e tensionuar parlamentare për çështjen e emigrantëve më 13 shkurt”, u shpreh analisti.
Almer Toska mendon se në Shqipëri priten ngjarje të forta pas takimeve të Berishës në Gjermani. Madje ai tha se Edi Rama nuk është më aleati i sigurt dhe i besueshëm i Europës, kurse Berisha sipas tij pritet në muajin Mars të zhvillojë edhe një vizitë në SHBA, edhe pse është ‘non grata’.
“Në Shqipëri asgjë nuk është e sigurtë. Mund të ketë zhvillime të forta të paparashikuara në vend dhe politikë. Javët e ardhshme mund të sjelli ngjarje dhe zhvillime, pasi edhe takimi i Sali Berishës në Gjermani ishte i suksesshëm. Edi Rama nuk është më partner i sigurt i Europës dhe as i besueshëm. Berisha është më i besueshëm, E rëndësishme është vizita e Berishës në SHBA në muajin Mars, detajet do dalin më vonë. Do ketë vizitë në SHBA dhe do jetë e rëndësishme” (‘Mos e ke ngatërruar me Bashën’, i thotë analisti Poli Hoxha). Berishës do i kërkohet emri i kryeministrit dhe do vendosen disa piketa bashkëpunimi me Shqipërinë. Do shkojë për vizitë në muajin Mars, por nuk dihet nëse shkon për heqjen e non gratës apo për projekte bashkëpunimi”.
Komente
![](https://report-tv.al/template/img/antipiracynote.jpg)