Ministrja e Arsimit, Evis Kushi ka reaguar në lidhje me protestën e maturantëve dhe shqetësimin e tyre për testin e matematikës.
Me një postim në Facebook, Kushi shprehet se grupi i ekspertëve ka filluar vlerësimin e nivelit të vështirësisë për çdo pyetje në test dhe në rast se rezulton se tejkalon nivelin e parashikuar, do të ketë rishikim të shpërndarjes së pikëve në test dhe mënyrën e vlerësimit.
"Të dashur maturantë, Siç ju kemi premtuar, ne do të jemi gjithmonë në mbështetjen tuaj. Në këto momente, jemi duke vlerësuar edhe një herë me grupet e ekspertëve nivelin e vështirësisë së çdo pyetjeje në testin e matematikës. Dhe në rast se na rezulton që ai e tejkalon nivelin e parashikuar, të cilin e kushtëzon mënyra e zhvillimit të mësimit gjatë këtij viti shkollor, pa dyshim që ne do ta rishikojmë shpërndarjen e pikëve në test dhe mënyrën e vlerësimit. Ju uroj shumë suksese për provimin e radhës!", shkruan Kushi.
Maturantë në Tiranë, Durrës, Shkodër e Gjirokastër janë ngritur në protestë ditën e sotme, duke shprehur shqetësimin se provimi i matematikës ishte shumë i vështirë. Ata kërkojnë uljen e pragut të pikëve dhe rivlerësim.
Ndërkohë, më herët gjatë ditës së sotme reagoi edhe Qendra e Shërbimeve Arsimore, duke u shprehur se teza e provimit nuk kishte asnjë gjë jashtë programit mësimor, ishte e nivelit mesatar dhe se nxënësit e mirë nuk kanë pasur asnjë vështirësi.